Foto: KALLXO.com

Gjykimi për shmangie nga tatimi, zyrtari i ATK-së tregon vlerën e borxhit të të pandehurve

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca gjyqësore ndaj personit juridik “Dino’s Las Vegas” SH.P.K., pronarit të këtij biznesi Hajridin Gushi dhe menaxherit, Artan Quni, të akuzuar për veprën penale – shmangie nga tatimi.

Ata po akuzohen se nga viti 2009-2013 nuk i kanë deklaruar të hyrat nga lojërat e fatit dhe shitja e aparateve dhe importet.

Prokuroria pretendon se Administratës Tatimore të Kosovës i është shkaktuar dëm vë vlerën 19,997 euro.

Të hënën, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar përfaqësuesi i ATK-së, Agron Ndrecaj.

Dëshmitari Ndrecaj ka deklaruar se subjekti juridik “Dino’s Las Vegas” Administratës Tatimore borxh i ka vetëm 625 euro.

“’Dino’s Las Vegas’, ka përfituar nga falja e borxheve në vlerë prej 23,061,81 euro i cili i është falur me ligjin për faljen e borxheve. Ndërkaq, pjesën e mbetur prej 18,543.1 euro e ka paguar me datë 31 gusht 2017 në ATK. Obligimi momental i  këtij subjekti i cili figuron në databazën e gjendjes së borxheve është 625 euro” – deklaroi Agron Ndrecaj.

Lidhur me këtë, dëshmitari Ndrecaj, Gjykatës dhe palëve si dëshmi ia dorëzoi pasqyrën financiare të ATK-së.

Agron Ndrecaj ka shtuar se shuma e falur e borxhit është bërë nga periudha 2009-2012.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Atnor Skoro, Ndrecaj ka thënë se nuk ka dijeni sa është dëmi i shkaktuar në ATK.

Dëshmitari tutje ka sqaruar se biznesi “Dino’s Las Vegas” ka qenë i regjistruar si tatimpagues.

Paraprakisht në këtë seancë është dhënë fjala hyrëse nga prokurori dhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për më 20 dhjetor 2022, kur do të dëgjohet dëshmitari Masar Zejnullahu.

Sipas Prokurorisë, personi juridik “Dino’s Las Vegas”, pronari Hajridin Gushi dhe menaxheri i këtij biznesi, Artan Quni, akuzohen se nga viti 2009-2013 nuk i deklarojnë të hyrat nga lojërat e fatit si importe, po ashtu edhe përmes shitjeve të aparateve të lojërave.

Në këtë rast, sipas Prokurorisë, i janë shmangur tatimit në shumë prej 14,638.25 euro.

Tutje aktakuza thotë se i pandehuri “Dino’s Las Vegas” dhe Hajridin Gushi, si pronarë i biznesit përmes Artan Qunit, menaxher i kompanisë, të hyrat prej 107,173.00 euro i transferojnë te pronari dhe persona të tjerë duke mos ia deklaruar prejardhjen e tyre.

Prokuroria pretendon se me këtë duke iu shmangur tatimit në vlerë prej 5,358.65 euro ATK-së i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 19,997.00 euro.