Foto: KALLXO.com

Gjykimi për shmangie nga tatimi, inspektori i ATK-së tregon për kontrollin dhe borxhin e biznesit “Dino’s Las Vegas”

Në Gjykatën e Prizrenit ka vazhduar gjykimi kundër personit juridik “Dino’s Las Vegas” SH.P.K., ish-pronarit të këtij biznesi Hajridin Gushi dhe ish-menaxherit, Artan Quni, të akuzuar për veprën penale – shmangie nga tatimi.

Ata po akuzohen se nga viti 2009 deri më 2013 nuk i kanë deklaruar të hyrat nga lojërat e fatit dhe shitja e aparateve dhe importet.

Prokuroria pretendon se Administratës Tatimore të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë 19,997 euro.

Të martën të akuzuarit u ballafaquan me deklarimin e inspektorit tatimor të ATK-së, Masar Zejnullahu.

Dëshmitari Zejnullahu ka deklaruar se ka bërë kontrolle tatimore te subjekti “Dino’s Las Vegas” me ç’rast ka përpiluar një raport.

Inspektori ka elaboruar raportin ku ka konstatuar se në periudhën kohore 2009-2013, shmangia e tatimit nga ky biznes kap vlerën 34,113.87 euro.

“Tatimi bazë për periudhën 2009-2013, ka qenë 14,639.23, ndërsa për ndëshkime ka qenë 13,618.77 euro. Shuma e përgjithshme për të cilën subjekti i është shmangur tatimit është shumë e përgjithshme e këtyre dy vlerave”-ka thënë dëshmitari.

Masar Zejnullahu ka sqaruar se subjekti “Dino’s Las Vegas” po ashtu ka pasur disa pagesa tepër të tatimeve, të cilat janë rregulluar me formularë për kompensimin e debi-kredive.

E pas të gjitha këtyre, sipas dëshmitarit, subjekti i akuzuar rezulton të ketë borxh total të ndëshkimeve dhe interesit në vlerë 34,113.87 euro.

Inspektori më tej ka bërë të ditur se borxhet e subjektit janë konstatuar në raportin e datës 8 gusht 2016.

Dëshmitari në vijim të gjykimit ka pohuar se subjekti juridik “Dino’s Las Vegas” ka qenë tatimpagues, por për të njëjtin gjatë kontrolleve është vlerësuar se nuk i ka deklaruar saktë transaksionet që i ka pasur.

Lidhur me këto, Idriz Daci, përfaqësues i subjektit të akuzuar ka arsyetuar se “Dino’s Las Vegas” pas aplikimit të ligjit është liruar nga pagesa e tatimit të mbetur. Ky subjekt po ashtu, sipas avokatit, ka bërë pagesë në vlerë 18.700 euro për tatimet dhe ndëshkimet dhe me këtë rast është bërë barazimi i tyre.

Ndërkaq, i akuzuari Hajridin Gushi ka shtuar rreth 786,444.00 euro i janë paguar shtetit në formë akcize.

Në fund të shqyrtimit, Gjykata aprovoi propozimin e prokurorit që të ftojë ekspertin Ramadan Ferizi.

Seanca e radhës u caktua për më 30 janar 2023.

Sipas Prokurorisë, personi juridik “Dino’s Las Vegas”, pronari Hajridin Gushi dhe menaxheri i këtij biznesi, Artan Quni, akuzohen se nga viti 2009-2013 nuk i deklarojnë të hyrat nga lojërat e fatit si importe, po ashtu edhe përmes shitjeve të aparateve të lojërave.

Në këtë rast, sipas Prokurorisë, i janë shmangur tatimit në shumë prej 14,638.25 euro.

Tutje aktakuza thotë se i pandehuri “Dino’s Las Vegas” dhe Hajridin Gushi, si pronarë i biznesit përmes Artan Qunit, menaxher i kompanisë, të hyrat prej 107,173.00 euro i transferojnë te pronari dhe persona të tjerë duke mos ia deklaruar prejardhjen e tyre.

Prokuroria pretendon se me këtë duke iu shmangur tatimit në vlerë prej 5,358.65 euro ATK-së i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 19,997.00 euro.

Me këtë, sipas Prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale shmangie nga tatimi.