Foto: KALLXO.com

Gjykimi për rrënimin e aneksit të 'Abi Çarshisë', dëshmitari tregon vlerën e dëmit

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur në Gjykatën e Prizrenit, ndaj zyrtarëve të Komunës së Prizrenit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e rrënimit të ankesit të kompleksit “Abi Çarshia”, eksperti i ndërtimtarisë ka vlerësuar se dëmi i shkaktuar me rastin e rrënimit të këtij aneksi e arrin shumën prej 69.729.66 eurove.

Islam Thaçi, Jetmire Vrenezi, Egzona Morina Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipron Krasniqi, po akuzohen nga Prokuroria se në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Prizrenit kishin urdhëruar dhe zbatuar rrënimin e një aneks-objekti të kompleksit “Abi Çarshia”, i cili ishte ndërtuar pa leje.

Rasti për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik 2019.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit kanë realizuar rrënimin në qendrën tregtare ndonëse e kanë ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Në seancën e së hënës ka dëshmuar në cilësinë e ekspertit Liman Mustafa.

Dëshmitari tha se e ka vlerësuar dëmin që i është shkaktuar kompanisë “Abi” Sh.P.K.

Sipas dëshmitarit, vlera e dëmit të shkaktuar është 69,729  euro.

Liman Mustafa sqaroi se ekspertiza është bërë pas shikimit të vendit, matjeve të realizuara dhe konsultimit të projektit kryesor.

Gjithashtu, Mustafa theksoi se gjatë hartimit të ekspertizës ka qenë prezent përfaqësuesi i palës së dëmtuar, projektuesi si dhe mbikëqyrësi i objektit.

Megjithatë, këtë deklaratë e kontestuan avokatët e të akuzuarve si dhe vetë të akuzuarit.

Islam Thaçi, ish-kryeinspektor në Komunën e Prizrenit, i cilësoi provat e paraqitura nga Prokuroria si të mangëta. Ndërsa, mbrojtësi i tij, avokat Blerim Mazreku gjatë seancës, përveç tjerash, vuri në pikëpyetje metodat e ekspertit për vlerësimin e dëmit.

Mazreku tha se eksperti ka përdorur metodën normale ndërtimore, e cila nuk ka asnjë bazë ligjore që të aplikohet dhe nuk është e lejuar.

Në anën tjetër, eksperti  Liman Mustafa deklaroi se në këtë rast kemi të bëjmë me prurjen e objektit në gjendjen e mëparshme, “për të cilën ka ekzistuar oferta dhe të gjitha këto që i përmenda investitori i ka parashtruar dhe s’ka të bëjë këtu me asnjë metodë tjetër pos normales”.

Avokati Bestar Kolgeci, mbrojtës i të akuzuarit Shqipron Krasniqi, pyeti ekspertin nëse ka licencë që ta bëjë vlerësimin e dëmit apo vlerësimin e shumës së dëmit.

“Unë jam ekspert i ndërtimtarisë. Mund të vlerësoj ndërtimin e objekteve ndërtimore dhe këtë e kam bërë përmes paramasave dhe parallogarisë nëpërmjet pozicioneve të përshkruara dhe në fund shumën e punimeve që duhet të kryhej”, u përgjigj dëshmitari.

Kurse, avokati Taulant Hodaj, përfaqësues i palës së dëmtuar, shtoi se eksperti vlerësimin e dëmit e ka bërë në bazë të ofertave të cilat gjenden në projektin e ndërtimit të atij objekti, “projekt i cili është paraqitur edhe në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Prizrenit nga e cila i është dhënë leje e ndërtimit”.

Kryetarja e trupit gjykues, Kymete Kicaj, pyeti ekspertin nëse mënyra e rrënimit të objektit të kompleksit “Abi Çarshia” ka qenë e njëjtë si te rrënimet e tjera.

Eksperti deklaroi se rrënimi ka qenë i njëjtë, pa projektin mbi rrënimin e objektit që është i domosdoshëm.

Në seancën e radhës pritet që të vazhdohet me vërejtjet rreth deklarimeve të ekspertit.

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren më 19 korrik 2019 ka rrënuar aneksin e objektit pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia”.

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik 2019 ka rrënuar aneksin e objektit pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia”.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë mundësuar realizmin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia” në Prizren, duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.

Në këtë mënyrë sipas Prokurorisë të akuzuarit i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit të “Abi” SHPK në Prizren.

Në shqyrtimin fillestar, të mbajtur më 20 janar 2020, të gjithë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria.

Në anën tjetër, Prokuroria pretendon se që të gjithë të akuzuarit kanë ditur se i dëmtuari ish kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës,  Irfan Fusha kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit, prandaj sipas Prokurorisë të akuzuarit kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ dhe Ligjin mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Kujtojmë se në seancën e datës 24 shkurt 2020, mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar nga gjqytarja e rastit që aktakuza e Prokurorisë të hudhej poshtë si e pabazuar.

Në lidhje me këtë rast Kallxo.com ka publikuar historinë e ndërtimit, rrënimit e deri tek aktakuza ndaj ish-Kryeinspektorit dhe zyrtarëve të Komunës së Prizrenit.