Foto: KALLXO.com
Gjykimi për rrëmbim, familjarja e të akuzuarve pretendon se familja e saj ishte mashtruar nga i dëmtuari
Në gjykimin e Daut Berishës dhe Rinor Berishës, të akuzuar për rrëmbim, në seancën e 09.08.2024 në Gjykatën e Prishtinës ka dëshmuar Shpresa Berisha, bashkëshortja e të akuzuarit të parë dhe nëna e të akuzuarit të dytë.
Dëshmitarja gjatë dëshmisë së saj rrëfeu se më 04.10.2022 kishte vdekur djali i saj Ardi dhe në të njëjtën ditë në shtëpinë e saj kishte shkuar një person dhe ishte paraqitur si Egzon Prendrecaj dhe i kishte thënë se motra e tij kishte qenë në lidhje dashurie me Ardin dhe e njëjta ishte shtatzënë. Ajo tha se Egzonin e kishin pranuar në shtëpi si shok të djalit të tyre dhe njëkohësisht si mik shtëpie.
Ndërsa pas varrimit, në të njëjtën ditë në mbrëmje, e kishte thirrur një person me emrin Vanesa dhe i kishte thënë se ishte shtatzënë me Ardin.
“Për Ardin ka pasur 3 ditë të pame dhe gjatë të cilave Egzoni ishte i pranishëm. Ndërsa Egzoni edhe pas të pamës kishte vazhduar edhe kishte qëndruar 3 muaj rregullisht dhe rreth 4 muaj kohë pas kohe” – rrëfeu dëshmitarja Shpresa Berisha.
“Tri javë pas telefonatës Egzoni na kishte thënë se Vanesa kishte bërë vetëvrasje për shkak të dhimbjes nga vdekja e Ardit” – shtoi tutje dëshmitarja gjatë seancës së sotme.
Derisa Egzoni ishte duke qëndruar në shtëpinë e tyre përveç motrës u kishte thënë se i kishte vdekur edhe nëna.
Sipas dëshmitares, gjatë kohës që kishte qëndruar aty Egzon Prendrecaj ai ishte ushqyer aty, ia kishin pastruar rrobat dhe nga ata kishte marrë mbi 17,000 euro nga bashkëshorti dhe djali i saj me pretendimin se ishte i sëmurë nga kanceri.
“Më vonë e kemi kuptuar se Egzoni paratë nuk i kishte kërkuar për sëmundje por na kishte mashtruar. Sipas mendimit tim ata kanë qenë një grup i organizuar” – rrëfeu dëshmitarja Berisha.
Se Egzoni i kishte mashtruar e kishin mësuar nga fqinji i tyre, djali i axhës, Lutfi Berisha, i cili u kishte thënë se Egzoni nuk kishte familje por ai ishte i adoptuar.
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitares Shpresa Berisha seanca tutje vazhdoi me paraqitjen e provave materiale nga prokurorja Dulina Hamiti.
Gjatë paraqitjes së provave materiale prokurorja Hamiti paraqiti raportin e ekzaminimit mjekoligjor të datës 19.08.2023, i përpiluar nga dr. Valon Hyseni për të dëmtuarin Egzon Prendrecaj, raporti mbi analizimin e video-incizimeve, fotografive dhe mesazheve lidhur me rastin 2023-AB-2014 nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë i datës 28.08.2023 dhe 1 CD me nr. AKF-2023-0340 dhe fotoalbumi lidhur me rastin 2023-AB-2014 si dhe të shikohet foto-dokumentacioni i lëndës.
Avokatja Fehmije Gashi Bytyqi, e cila është mbrojtësja e të akuzuarit Daut Berisha, tha se në këtë fazë të procedurës nuk kishte ndonjë provë për të paraqitur por rezervoi të drejtën të paraqesë në fazat e mëvonshme.
Po ashtu, as mbrojtësja e të akuzuarit Rinor Berisha, avokatja Florije Manaj në këtë fazë nuk kishte ndonjë provë për të paraqitur.
Tutje seanca e sotme vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarit Daut Berisha.
Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësja e tij, avokatja Fehmije Gashi Bytyqi, ai deklaroi se mënyra e njoftimit me Egzon Prendrecajn, qëndrimi në shtëpinë e tyre, dhënia e parave atij është e njëjtë ashtu siç e përshkroi sot dëshmitarja (bashkëshortja e tij Shpresa Berisha), por me disa ndryshime të vogla.
“Unë Egzon Prendrecajt ia kam dhënë 21,500 euro duke përfshirë edhe 2,000 eurot e Shpresës” – tha i akuzuari Daut Berisha.
Gjatë dëshmisë së tij ai rrëfeu se me çekan nuk e kishte goditur atë natë Egzonin sepse nuk kishte pasur çekan aty, e kishte pasur në bodrum por nuk kishte shkuar për ta marrë.
“Po të kisha dashur t’ia bëja atë që thuhet në aktakuzë nuk do e kisha dërgu në shtëpinë time. Qysh rrëmbehet njeriu në shtëpi, këtë nuk e kuptoj” – shtoi tutje i akuzuari Daut Berisha.
Pas deklarimit të të akuzuarit Daut Berisha seanca tutje vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarit Rinor Berisha.
I akuzuari Rinor Berisha gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësja e tij, avokatja Florije Manaj, rrëfeu se në natën kritike më 02.08.2023 ai kishte qenë në punë ndërsa Egzoni e kishte thirrur në telefon dhe i kishte thënë: “Ku je? Hajde merrum sepse nuk kam veturë”.
“Unë atë kohë isha në orar të punës dhe e vazhdova punën deri sa përfundova orarin ndërsa rreth orës 20:20 jam larguar nga puna” – tha i akuzuari Rinor Berisha gjatë marrjes në pyetje nga avokatja e tij Florije Manaj.
Gjatë dëshmisë së tij ai rrëfeu se rrugës kishin biseduar normal si zakonisht dhe kur kishin arritur në shtëpinë e tij ai ishte ulur në sallon.
Me kërkesë të babait të tij u kishte bërë nga një kafe.
Gjatë kësaj kohe e kishte dëgjuar një zhurmë, babai i kishte thënë Egzonit: “Pse nuk ke ardhur për Bajram”, ndërsa ai ishte arsyetuar se kishte ikur nga spitali.
Ndërsa babai i tij i kishte thënë se gjithnjë po e gënjen atë ndërsa Egzoni e kishte ngritur zërin: “Pse po m’thu po gënjen?”, pastaj ai e kishte shtyrë tavolinën dhe kishte tentuar ta sulmojë babanë e tij, Dautin.
Situata ishte acaruar pak më shumë pasi babai i Rinorit ia kishte dhënë nja dy shuplaka Egzonit dhe pas kësaj ai ishte qetësuar.
“Nuk është e vërtetë ta kemi lidhur Egzonin me litar dhe atë natë nuk kam dëgjuar bisedë për para” – tha i akuzuari Rinor Berisha.
Natën kritike ai e kishte kuptuar se gjatë gjithë kohës kishin qenë të mashtruar nga Egzon Prendrecaj dhe gabimi më i madh si familje që e kishin bërë ishte që nuk e kishin hapur rastin në Polici ndaj tij.
Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur më këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit tetor.
Ky rast po trajtohet në Departamentin për Krime të Rënda në përbërje nga trupi gjykues Naser Foniqi – kryetar dhe dy anëtarët Fatime Dërmaku dhe Ertan Sejfulla.