Foto: KALLXO.com

Gjykimi për pronën e “Infrakos”-it vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve

Gjykimi ndaj shtatë ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit dhe zyrtarë të ndërmarrjes publike “Infrakos” ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Nexhmi Rama, drejtor i mirëmbajtjes së linjës hekurudhore në “Infrakos”.

Rama përpara trupit gjykues sqaroi se dëmtimet e hekurudhës janë bërë jashtë zonës së ndërtimit mbi binarë. Sipas vlerësimit të dëshmitarit, ndërtimet  e larta nuk e kishin dëmtuar hekurudhën. Ai theksoi se këto pretendime i ka paraqitur në ekspertizë.

Tutje, avokatët e disa prej të akuzuarve e ballafaquan dëshmitarin me tabelën për vlerësimin e dëmit të shkaktuar.

Sipas dëshmitarit Rama, vetëm në komunën e Prizrenit dëmi është në vlerë prej 104.674, 61 euro dhe është shkaktuar nga viti 2004, të cilën vlerësim e kishte bërë me kërkesë të zyrës ligjore nga ana e “Infrakos”-it.

Mirëpo, ai shtoi se ka pasur dëmtime nga persona fizikë dhe juridikë dhe ka pasur raste kur materiali i vjedhur është gjetur dhe është kthyer në “Infrakos”.

Blerim Mazreku, avokat i të akuzuarit Bujar Nerjovaj, e pyeti dëshmitarin nëse gjatë përllogaritjes së dëmit ka marrë parasysh shkaktimin e pasojave nga persona të tjerë përveç të akuzuarve.

“Jo”, deklaroi dëshmitari.

Në pjesën e dytë të seancës u mor në pyetje edhe dëshmitarja Hidajete Zhuri, e cila ka qenë anëtare e komisionit vlerësues për planifikim urban dhe rural.

Dëshmitarja përpara trupit gjykues theksoi se gjatë vlerësimit të planit rregullativ të qytetit të Prizrenit komisioni harton raport përmes të cilit vendimi i nxjerr nga Kuvendi Komunal është në pajtim ose jo me ligjet përkatëse.

Avokati Blerim Mazreku e pyeti dëshmitaren se çfarë nënkupton konfirmimi mbi ligjshmërinë e një vendimi.

Zhuri tha se komisioni ka vlerësuar nëse vendimet janë në pajtim me ligjin apo jo, të cilat vendime i kanë konstatuar në raport dhe në rast se ka pasur mungesa atëherë e kanë evidentuar.

Në fund, dëshmitarja deklaroi se komisioni nuk i ka shqyrtuar planet rregullative urbanistike por vetëm vendimet.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre dhe seanca e radhës u caktua për datën 28 tetor.

Sipas aktakuzës, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu dhe Visar Islamaj në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe kanë shkaktuar degradimin e pronës dhe infrastrukturës së hekurudhës në komunën e Prizrenit si dhe e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Bujar Nerjovaj, sipas Prokurorisë së Prizrenit gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar në cilësinë e drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, pasi që ka bërë tejkalimin e kompetencave, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në komunën e Prizrenit të cilën e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Aktakuza e ngarkon edhe ish-inspektorin komunal Bashkim Krasniqi se duke punuar si person zyrtar në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspeksion të Komunës së Prizrenit ka bërë tejkalimin e kompetencave, me ç’rast pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Agron Thaqi, gjatë vitit 2013 në Fushë-Kosovë, duke qenë kryeshef në “Infrakos”- Hekurudhat e Kosovës dyshohet se i kishte shkaktuar dëm “Infrakos”-it pasi nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Kurse,  i akuzuari i fundit, Naim Avdyli, sipas Prokurorisë gjatë vitit 2013 duke punuar si menaxher i patundshmërive dhe bashkëpunëtor profesional në “Infrakos”, dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, duke i shkaktuar dëm “Infrakos”-it edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

I akuzuari Naim Avdyli, pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Shkrimet e KALLXO. lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.

Kjo ngjarje ishte trajtuar edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.