Foto: KALLXO.com

Gjykimi për pronën e “Infrakos”-it, dëshmitari: Hekurudha nuk është dëmtuar nga ndërtimet përreth saj

Gjykimi ndaj shtatë ish-zyrtarëve të komunës së Prizrenit dhe zyrtarë të ndërmarrjes publike “Infrakos” ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Nexhmi Rama.

Prokuroria e Prizrenit më 31 dhjetor 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paçarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamajt, Bujar Nerjovajt, Bashkim Krasniqit, Agron Thaqit dhe Naim Avdylit, të cilët po i ngarkon me akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit e lartcekur me veprimet e tyre kanë shkaktuar degradim të pronës dhe infrastrukturës së hekurudhës në komunën e Prizrenit si dhe e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar Hekurudhave të Kosovës – “InfraKos” dëm në vlerë prej 104,674.61 euro.

Në seancën e sotme dëshmitari Nexhmi Rama deklaroi se që nga viti 1982 punon në Hekurudhat e Kosovës kurse në vitin 2012 Hekurudha ishte ndarë në dy kompani: “Infrakos”, punëtor i së cilës është dëshmitari, dhe “TrainKos”.

Tutje, ai përpara trupit gjykues sqaroi se hekurudha ishte ndërtuar në vitin 1959 ndërsa në qarkullim ishte lëshuar në vitin 1963 deri në vitin 2003-2004. Ai theksoi se ndërtimet afër hekurudhës rregullohen me Ligjin për hekurudha që përcakton brezin e hekurudhës dhe distancën minimumi 6 metër nga njëra anë dhe 6 metër nga ana tjetër.

Sipas dëshmitarit Nexhmi Rama, nëse objektet nuk janë të ndërtuara në këtë brez nuk paraqesin pengesë të qarkullimit të trafikut hekurudhor.

Mirëpo, në pyetjen e parashtruar nga kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, se gjatë punës cilin ligj e kanë përdorur për hekurudhat dhe a janë paraparë ndërtime rreth hekurudhës, dëshmitari shtoi se me ligjin e Jugosllavisë nuk janë paraparë ndërtime në afërsi të hekurudhës.

“Po, e kemi përdorur ligjin e vjetër të Jugosllavisë dhe të gjitha rregulloret që kanë rrjedhur nga ky ligj. Sipas këtij ligji, largësia minimale e ndërtesave prej aksit të hekurudhës është dashur të jetë 25 metra”, deklaroi Rama.

Kurse, për dëmin në vlerë prej 104 mijë euro të cilin Prokuroria e ka konstatuar në aktakuzë, dëshmitari tha se sipas dijenisë së tij këto dëmtime fizike janë bërë nga pala e tretë dhe nuk kanë të bëjnë me ndërtimet rreth rrugës.

Për shkak të orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës u caktua për më 27 dhe 28 tetor 2021.

Katër nga shtatë të akuzuarit e lartcekur sipas Prokurorisë janë Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj dhe Bujar Nerjovaj, ish-drejtorë të Komunës së Prizrenit në kohën e qeverisjes së PDK-së. Të akuzuar tjerë nga Prokuroria janë edhe ish-inspektori  komunal Bashkim Krasniqi, kryeshefi i “Infrakos”-it Agron Thaqi dhe bashkëpunëtori profesional Naim Avdyli.

Sipas aktakuzës, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu dhe Visar Islamaj në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe kanë shkaktuar degradimin e pronës dhe infrastrukturës së hekurudhës në komunën e Prizrenit si dhe e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Bujar Nerjovaj, sipas Prokurorisë së Prizrenit  gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar në cilësinë e drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, pasi që ka bërë tejkalimin e kompetencave, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në komunën e Prizrenit të cilën e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Aktakuza e ngarkon edhe ish-inspektorin komunal Bashkim Krasniqi, për periudhën kohore të vitit 2012 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspeksion të Komunës së Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave, me ç’rast pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Agron Thaqi, gjatë vitit 2013 në Fushë-Kosovë, duke qenë kryeshef në “Infrakos”- Hekurudhat e Kosovës dyshohet se i kishte shkaktuar dëm “Infrakos”-it pasi nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Kurse,  i akuzuari i fundit, Naim Avdyli, sipas Prokurorisë gjatë vitit 2013 duke punuar si menaxher i patundshmërive dhe bashkëpunëtor profesional në “Infrakos”, dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, duke shkaktuar dëm “Infrakos”-it edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

I akuzuari Naim Avdyli, pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në komunën e Prizrenit, e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

KALLXO.com ka raportuar për këtë ngjarje.

Dosja për të fortët e PDK-së: Cilat “sallta” u përdorën për të zbutur aktakuzën?

Kjo ngjarje ishte trajtuar edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

www.kallxo.com