![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/11/neha-1-720x395.jpg)
Nehrudin Skenderi gjatë dhënies së fjalës përfundimtare në Gjykatën e Prishtinës më 20.11.2024 - Foto: KALLXO.com
Gjykimi për paratë që Prokuroria pretendon se janë përdorur për terrorizëm prek fundin, të enjten shpallja
Në gjykimin ndaj të dënuarit për lehtësim dhe financim të terrorizmit, Nehrudin Skenderi, në Gjykatën e Prishtinës, më 20.11.2024 është dhënë fjala përfundimtare.
Tashmë gjykimi ndaj Skenderit po vijon vetëm sa u përket mjeteve monetare 20,000 euro dhe 19,000 franga zvicerane, të cilat ishte vendosur të konfiskoheshin nga Gjykata e shkallës së parë por që kjo pikë e aktgjykimit ishte kthyer nga shkalla e dytë në rigjykim.
Në fjalën e tij përfundimtare i dënuari për lehtësim dhe financim të terrorizmit, Nehrudin Skenderi, ka thënë se paratë e konfiskuara nuk janë të tij, por pasuri e prindërve të tij.
Ai më tej akuzoi Prokurorinë se po mundohet ta bindë Gjykatën se prindërit e tij kanë kryer ndonjë krim.
“Prokurori po mundohet me bindë Gjykatën se prindërit kanë bërë ndonjë krim, për gjëra që janë të qarta nuk janë as të dyshimta. Prokurori tha se paratë janë të miat, po unë jam në burg, qysh vërtetohet se janë të miat? E nëse thotë se paratë janë të prindërve duhet të kërkojë arrestimin e tyre”- tha ndër të tjera Nehrudin Skenderi.
Skenderi e cilësoi kthimin e parave të konfiskuara, të cilat ai thotë janë të prindërve të tij, drejtësi.
“Unë mendoj se kthimi i sendeve të konfiskuara njerëzve që ju takon, njerëz që nuk kanë asnjë faj pos që janë prindërit e mi është drejtësi. Nuk du me folë për veten ose dënimin tim pse, qysh, tek. Jam pajtuar me caktimin e Allahut, qëllimi është me pranu atë si gjykatës kjo është kënaqësia ime. Unë jam dënu e mbaj burg do të dal inshallah” – u shpreh Nehrudin Skenderi.
Skenderi përfundoi fjalën e tij duke treguar se mbështetja e tij në këtë çështje dhe çdo çështje tjetër është Allahu.
E prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, edhe në fjalën e tij përfundimtare kërkoi konfiskimin e mjeteve.
“Mbetem në tërësi pranë propozimit për konfiskimin e mjeteve të sekuestruera nga tani i dënuari Nehrudin Skenderi” – deklaroi prokurori Bekim Kodraliu.
Ai u shpreh i bindur se paratë janë të Nehrudin Skenderit dhe të njëjtat janë përdorur për kryerje të veprës penale.
“Gjatë administrimit të provave shtesë, deklaratave të familjarëve të Nuhredinit, provave të administruara gjithmonë sipas sygjerimeve të Gjykatës së Apelit edhe një herë u vërtetua përtej dyshimit të bazuar mirë se mjetet e sekuestruara janë mjete që i përkasin Nehrudin Skenderit, i cili i ka përdorur për të kryer veprën penale për të cilën tashmë është gjykuar” – tha ndër të tjera prokurori special Bekim Kodraliu.
Prokurori tha se qëndrimin e tij e mbështet në provat personale dhe materiale të prezantuara në Gjykatë.
Prokurori e cilësoi dëshminë e nënës së Nehrudin Skenderit, Amella Skenderit, kontradiktore.
“Dëshmia e saj [Amella Skenderit] është kontradiktore dhe nuk ofron asnjë provë e cila dëshmon se mjetet e sekuestruara janë të saj. Dëshmitarja e ka ofruar një konratë mbi shitblerjen e kësaj parcele të cilën e ka poseduar edhe prokuroria dhe askund në atë kontratë nuk figuron emri i shitësit respektivisht babait të saj” – deklaroi prokurori Blerim Kodraliu.
Lidhur me dëshiminë e dajës së Nehrudinit, Amir Ukës, prokurori tha se nuk ka ofruar ndonjë provë konkrete, akt nga gjykata apo noteri që vërteton se parcela e tokës i është dhënë Amellës nga babai.
Ndërkohë për gjyshin e Nehrudinit, Besim Ukën, prokurori potencoi se gjatë dëshmisë së dhënë më 18.11.2024 nuk ka ofruar asnjë provë se i ka dhënë ‘miraz’ (dhuratë) vajzës së tij [Amellës].
Mbrojtësi i Nehrudin Skenderit, Tomë Gashi, propozoi të administroheshin edhe disa prova shtesë në këtë seancë të cilat tregoi se ndërlidheshin me një arrestim të mëhershëm të Skenderit për një vepër të ngjashme në vitin 2017.
Ai tha se provat në fjalë i ka gjetur nga lënda e ish-avokatit të Skenderit, i cili ka vdekur para disa muajsh dhe siç u shpreh avokati nuk kishte qenë në dijeni më herët për to.
Avokati Tomë Gashi tha se të njëjtat janë dokumente zyrtare të Prokurorisë dhe Gjykatës dhe kanë të bëjnë lidhur me sekuestrimin e një shumë e cila më pas me urdhëresë të Prokurorisë ishte rikthyer.
Avokati konkretisht propozoi të administroheshin: Vërtetimi mbi sekuestrimin e shumës 29,480, certifikata mbi dorëzimin – kthimin prapë në emër të Naim Skenderit, aktvendimi mbi pushimin e hetimeve, aktvendimi me të cilën ndërpritet paraburgimi dhe lëshohet në liri në masën e dorëzanisë, vërtetimi mbi sekuestrimin e përkohshëm në emër të Naim Skenderit.
Prokurori Bekim Kodraliu kërkoi që këto prova të mos pranohen.
“I kundërshtoj propozimet e paraqitura respektivisht provat nga pala mbrojtëse për dy arsye. Arsyeja e parë është se është pushuar hetimi penal ndaj të dyshuarit Naim Skenderi për veprën penale që është dyshuar në vitin 2018. Dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me veprën e Nehrudin Skenderit” – tha prokurori Bekim Kodraliu.
Megjithatë trupi gjykues në përbërje të Valon Kurtaj – kryetar dhe anëtarët Kujtim Krasniqi dhe Kushtrim Shyti, e aprovuan propozimin e mbrojtjes dhe vendosën që të administrohen provat në fjalë në procedurë të plotësimit të provave.
Në fjalën e tij përfundimtare, avokati Tomë Gashi ripotencoi se paratë në fjalë s’janë të Nehrudin Skenderit por të prindërve të tij.
Tutje avokati tha se se i kanë mundësi që këto para sipas Prokurorisë janë përdorur për vepër penale e njëkohësisht të njëjtat janë gjetur në çizme e nën shtrat të prindërve e jo në ndonjë organizatë po pikërisht në shtëpi.
Ai po ashtu i hodhi poshtë dyshimet e ngritura për paratë për shkak se një pjesë e tyre ishte gjetur në valutën e frangut zviceran.
“Jetojmë në shtet demokratik, s’kemi nevojë kurrëkujt me i tregu në çfarë valuta i mbajmë paratë. Na nuk kemi ligj që na ndalon, na mbajmë para qaq sa kemi, qaq sa dojmë dhe i vetmi kusht është që paratë të jenë legale dhe jo të krimit. Dhe që nuk janë të krimit e dëshmon dokumentacioni që ua dorëzova më herët” – tha ndër të tjera avokati mbrojtës i Skenderit, Tomë Gashi.
Shpallja për këtë rast bëhet nesër më 21.11.2024.
Nehrudin Skenderi i bëri me dije Gjykatës se nesër nuk do të jetë në shpallje pasi rruga nga Burgu i Dubravës deri në Pallat të Drejtësisë është larg.
Ardian Gjuraj, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Ergim Syla, ishin katër të dënuarit në shkallë të parë për terrorizëm, të cilëve Gjykata e Prishtinës u kishte shqiptuar mbi 30 vjet burgim më 30.01.2024.
Nehrudin Skenderi ishte deklaruar se ndihet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ardian Gjuraj ishte dënuar me 9 vjet burgim. Mentor Bellaqa ishte dënuar me 6 vjet e 6 muaj. Ergim Syla ishte dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim. Kurse Nehredin Skenderi ishte shpallur fajtor për financim dhe lehtësim të terrorizmit, vepër për të cilën ishte dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim dhe gjobë 5 mijë euro.
Gjykata e Prishtinës i kishte shpallur fajtorë Ardijan Gjurajn, Ergim Sylën dhe Mentor Bellaqën se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Ardijan Gjuraj dhe Ergim Syla ishin shpallur fajtorë për veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Mentor Bellaqa ishte shpallur po ashtu fajtor për veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Nehrudin Skenderi ishte shpallur fajtor për veprën penale – lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit.
Krahas dënimeve me gjobë dhe me burgim Gjykata e Prishtinës kishte vendosur që të konfiskojë përgjithmonë sendet e luajtshme si mjete që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, të cilat ishin konfiskuar me vendimin e Gjykatës.
Ky aktgjykim në shkallë të parë ishte marrë nga trupi gjykues në përbërje të Valbona Selimaj Musliut – kryetare dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Mentor Bajraktari.
Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 02.07.2024 e kishte vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore të datës 30.01.2024 për pjesën e dënimeve ndërsa për pjesën e sekuestrimit të mjeteve monetare ndaj Nehrudin Skenderit çështjen penale e ka rikthyer në rigjykim dhe vendosje.
Kolegji penal i Gjykatës së Apelit gjeti se aktgjykimi i ankimuar përkitazi me vendimin për konfiskim për Nehrudin Skenderin, ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të Kodit të Procedurës Penale, për çka aktgjykimi i ankimuar në këtë pjesë u anulua.
Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate u gjetën të bazuara pretendimet e mbrojtësve të Nehrudin Skenderit, të paraqitura në ankesat e tyre se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për konfiskimin e mjeteve monetare në banesën e Nehrudin Skenderit.
Për paratë në fjalë, përkatësisht 20,000 euro dhe 19,000 franga, nëna e Nehrudinit, Adella Skenderi, potencohet të ketë deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallë të parë se të njëjtat ia kishte dhënë si dhuratë babai i saj nga shitja e një parcele toke në Prevallë.
Vendimi në shkallë të dytë ishte marrë nga kolegji në përbërje Burim Ademi – kryetar, dhe anëtarët Afërdita Bytyqi dhe Kreshnik Radoniqi.
Raportimet lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.