Gjykimi për mashtrim me viza shtyhet për datë të pacaktuar

Gjykimi për M. Z. (ish-deputet i Kuvendit të Kosovës), dhe dy të akuzuarve të tjerë I. K. dhe E. K., në rastin e mashtrimit me viza pune gjermane, është anuluar dhe u shty për një datë të pacaktuar.

Këtë e konfirmoi për KALLXO.com, gjyqtari i rastit, Vesel Ismajli.

“Arsyeja e anulimit të kësaj seance është sepse, i akuzuari I. K. ka rast vdekje në familje”, tha gjyqtari Ismajli.

Prokuroria e akuzon ish-deputetin M. Z. dhe dy të akuzuarit e tjerë për veprat penale mashtrim, shmangie nga tatimet dhe pastrim të parave.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale thotë se M. Z. dhe I. K., që nga viti 2016 deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kishin themeluar biznesin si agjenci punësimi, duke paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, duke mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të akuzuarit nga Prokuroria ngarkohen se si në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit dhe shmangie nga tatimi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen se lidhur me veprat penale të mashtrimit dhe shmangies nga tatimi kanë kryer edhe veprën penale pastrimi i parave.