Gjykimi për krimet e luftës në Nerodime: Dëshmitarja identifikon të akuzuarin

Në gjykimi ndaj Zlatan Krstiq dhe Destan Shabanaj, të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme të Komunës së Ferizajt, janë dëgjuar dëshmitaret e propozuar nga ana e Prokurorisë.

Dëshmitarja I.N, në pyetjet e prokurorit Enver Krasniqi, ka rrëfyer ngjarjen e 26 marsit të vitit 1999, ditën kur, sipas saj, pjesëtarët e policisë serbe dhe paramilitarët serbë i kishin rrethuar shtëpinë.

“Atë natë kishte të shtëna. Serbët na patën rrethu, e kanë thy derën, na kanë qitë jashtë e na kanë renditë. Kemi dalë krejt tu piskatë, na kanë përzanë, na shajshin. Kur kemi dalë jashtë ka qenë flakë e madhe, shtallat, kashtat, shpija jem edhe e djalit të kunatit kanë qenë tu u kallë”, tha dëshmitarja.

Më pas e njëjta ka treguar se forcat serbe i kishin përzënë nga shtëpia, ndërsa në oborr kishin mbetur vetëm burrat e shtëpisë.

“I kanë ndalë katër prej neve, dy djemtë e mi, kunatin O.N dhe djalin e kunatit B. N”, tha I.N

Kurse për familjaret e saj që kishin mbetur në oborr e njëjta tha se nuk e kanë ditur a janë gjallë, por më pas kishin marrë lajm se të njëjtit “ishin vra e masakru nga forcat serbe”.

“Niherë se kena ditë a janë gjallë, na vishin lloj lloj lajmi, po ata të katërtit i kishin vra e masakru e i kishin varros në Ferizaj”, tha dëshmitarja.

Pas përfundimit të luftës e njëjta ka treguar se kufomat e familjareve të saj më pas i kishin gjetur.

“Pas tre muajve i kena gjetë, po unë nuk jom kanë në vendin ku i kanë gjetë, vetëm i kom pa në CD, i kishin vra, i kishin pre, ja u kishin mush barkun me zavoja”, deklaroi dëshmitarja I.N

Më pas dëshmitarja u pyet nga kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, nëse i kishte njohur ata si dhe a e kishte parë të akuzuarin Zllatan Krstiq. Dëshmitarja deklaroi se të akuzuarin Krstiq e ka parë.

“I kam njoftë. Zllatani e ka pas arën ngat neve, njani u kanë komandant e tjetri zëvendës. Zllatan Krstiqin e kam pa por edhe janë thirrë me emra. I kam pas shumë afër, 2-3 metra. Krejt kanë qenë me armë, aty kanë folë krejt, nuk u merrshin vesh se folshin serbisht, përmbi 50 persona janë kanë”, tha dëshmitarja.

Pas kësaj, ngjarjen e 26 marsit të vitit 1999, e ka rrëfyer edhe dëshmitarja A.N

Dëshmitarja A.N ka treguar se si forcat serbe kishin hyrë nëpër oborre duke thyer dritare dhe duke bërtitur. Më pas, gratë i kishin dëbuar nga oborri i shtëpisë, ndërsa katër anëtarë të familjes kishin mbetur në oborr të detyruar nga forcat serbe.

“Atë ditë, policia-ushtria serbe kanë hy, na i kanë thy dritaret e kuzhinës, bërtitshin, ju mshojshin dritareve. Kemi dalë jashtë, dikush mbathë e dikush dathë. Na thanë fmitë edhe gratë me u nda dhe na çuan në drejtim të ni sokaku e burrat i ndalën në oborr”, tha dëshmitarja.

Tutje dëshmitarja ka treguar se shtëpia kur ishte rrethuar kishin qenë dikun 50-60 persona, dhe kur familjaret e saj që kishin mbetur në oborr më nuk i kishin parë.

“Vjehrri dashti me na ndalë e i pyti ku po i çoni, ata nuk e lejun, e t`u dal na u dëgju fjala “PUCAJ”, dhe sa kanë mujtë kanë gjujtë. Ka pasë shumë persona 50-60, pastaj kemi vazhduar rrugën për Dremjak, vjerri O, mbet në oborr, B, A, B kanë mbet mbrapa edhe më nuk i kemi pa”, tha A.N.

Kurse për kufomat e familjareve dëshmitarja tha se të njëjtit i kanë gjetur në Ferizaj, të gjithë së bashku në një varr, dhe se më pas i kanë zhvarrosur e i kanë sjellë në Nerodime për t’i varrosur.

Tutje, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe A. N i cili tha se ditën kritike kishte qenë në Gjermani dhe nga familjarët ishte njoftuar se nuk dihet fati për katër anëtarë të tjerë.

Dëshmitari ka treguar se pasi ishte kthyer nga gjermani kishte filluar t`i kërkonte kufomat e familjareve të tij.

I njëjti më pas ka treguar se gjatë kërkimit ishte takuar me një person, me emrin S.H, me të cilin e kishin diskutuar çështjen e zhdukjes së familjarëve sepse edhe atij iu kishte zhdukë një vëlla, sipas dëshmitarit.

Dëshmitari N më pas tregoi se kishte shkuar te varrezat, ku e kishte vërejtur një varrezë të hapur me ekskavator, prej së cilës kishte nxjerrë trupat e pajetë të familjarëve.

“E kam pa babën, ja kam pa rrypin e qystekun dhe e kam vërejtë që është baba. E kemi nxjerrë dhe e kemi qit në trap. Sot e asaj dite i kam parasysh nofullën e thyme, ka qenë i mavijosun, organet gjenitale i ka pas të preme. Kufoma e dytë ka qenë e djalit të mixhës, ai ka qenë 19 vjeçar. Kufoma e tretë ka qenë e B.N, unë nuk di qysh me e përshkru por ka pas thyrje, çarje të barkut. Kufoma e katërt ka qenë e vëllait, i ka pasë këmbët e thyme, gishtat, pluma ka pasë prapa shpinës. E kemi gjetë edhe kufomën e pestë, I.R atë nuk e kam njoftë atëherë. Edhe ai ka pasë pluma prapa shpinës, nofullën e thyme, kokën e krisur, duart, këmbët e thyme”, ka thënë dëshmitari N

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kristiq, më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkte në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Gjithnjë sipas aktakuzës i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O.N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civil të familjes N, ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

Pastaj, sipas akuzës i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O, B, A. dhe B.N, tani të ndjerë. Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Kurse, i pandehuri Destan Shabanaj, sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O.N, B.N, A. N dhe I.R, ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave H.K, I.A dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari Shabanaj, i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.

Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri Destan Shabanaj, ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.

Sipas akuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “krime lufte kundër popullatës civile”.