Gjykimi për krimet e luftës në Nerodime, dëshmitari tregon si u arrestua bashkë me të akuzuarin

Në gjykimin e Zllatan Kërstiqit dhe Destan Shabanajt, të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt është dëgjuar dëshmitari L.J., i propozuar nga Prokuroria Speciale.

Dy të akuzuarit në këtë rast Prokuroria Speciale i akuzon se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të Policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë në vitin 1999, në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt, kishin kryer krime lufte.

Dëshmitari L.J. në pyetjet e prokurorit Valdet Gashi ka deklaruar se të akuzuarin Z.K. e ka djalë të tezes dhe së bashku me të më 11 prill 2019 ishin arrestuar nga Policia, gjatë kohës sa kishin qenë në Komunën e Ferizaj për të nxjerrë certifikatën e lindjes për Z.K.

“Më 11 prill 2019 jam takuar me Z.K., e kemi thirrë edhe I. pasi e din mirë gjuhën shqipe dhe e kam tezak nga linja e babait dhe me veturën time kemi shkuar në Ferizaj për të nxjerrë certifikatën e lindjes, ekstraktin e ka nxjerrë në Graçanicë dhe aty na kanë thënë që mbiemri duhet të rregullohet në regjistrin e lindjes ku është regjistruar për herë të parë”, tha dëshmitari L.J.

Tutje dëshmitari ka treguar se kur kishin arritur në Komunën e Ferizajt e kishin korrigjuar një shkronjë tek mbiemri i të akuzuarit Z.K., dhe në momentin kur kishin dalë jashtë i kishte arrestuar Policia.

Më pas i njëjti ka shtuar se gjatë luftës nuk ishte takuar me të akuzuarin Z.K., për shkak se në atë kohë nuk kishin punuar as telefonat, por ka treguar se në periudhën  e vitit 97-98  për shkak të lidhjeve familjare kishin pasur kontakte.

Ndërkaq sa i përket se a ka qenë pjesë e forcave paramilitare serbe gjatë kohës së luftës, dëshmitari është përgjigjur se kishte punuar në minierën e Kishnicës në kuzhinë, por ka treguar se miniera ka pasur edhe ushtarë, por se i njëjti nuk kishte qenë i armatosur.

Kurse në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari S.H., por mbrojtësi i të akuzuarit Destan Shabanaj, avokati Mile Markoviq, ka kërkuar që i njëjti të mos dëgjohet në këtë seancë për shkak se ai kishte qenë vetëm zëvendësues i avokatëve Zhivojin Jokanoviq dhe Mentor Neziri.

Edhe pse pati kundërshtime për këtë propozim si nga ana e prokurorit special po ashtu edhe nga dëshmitari S.H., kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Kongjeli aprovoi propozimin e mbrojtjes dhe ndërpreu seancën për të vazhduar ditën e nesërme.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kërstiq, më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të Policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të Policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkte në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O.N., e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me forcë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familjeje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civilë të familjes N. ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familjeje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

Pastaj, sipas akuzës i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familjeje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve  i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familjeje. Sipas aktakuzës, duke vepruar në bashkëveprim me kryerës të tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes personat O., B., A. dhe B.N, tani të ndjerë. Pas marrjes së tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur përskaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krime lufte kundër popullatës civile.

Kurse, i pandehuri Destan Shabanaj, sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O.N., B.N., A.N. dhe I.R., ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura më larë, përmes personave H.K., I.A. dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë, janë tërhequr nga morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari Shabanaj, i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut” që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së trupave të viktimave.

Ndërkaq, më pas, akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri Destan Shabanaj ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë.

Sipas aktakuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

https://kallxo.com/ligji/shtyhet-seanca-per-krimet-e-luftes-ne-nerodime/