Gjykimi për krime lufte, me lot në sy nëna tregon si iu vra vajza në Sllovi të Lipjanit

Në gjykimin ndaj Goran Stanishiqit, i cili po akuzohet për krime lufte të kryera në fshatin Sllovi të Lipjanit, dëshmitarja S. G. ka rrëfyer historinë e vrasjes sëvajzës së saj në vitin 1999 në Sllovi.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999 si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Dëshmitarja S. G., duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Drita Hajdari, deklaroi se gjatë luftës kishte jetuar në fshatin Tërbovc me familjen e saj.

Ajo tregoi se më 15 prill 1999, dy familjet kishin shkuar në mal në vendin e quajtur Lugu i Laknave. Ajo tregoi se të nesërmen, vajza e saj, Z. G., së bashku me çikën e kunatës, ishin nisur për në shtëpi për të marrë ushqim për ta sjellë në mal.

“Na jena dalë në mal më 15 prill 1999. Të nesërmen janë shku çika jeme me “A”, kanë shku prej malit me marrë ushqim në shtëpi, se vendi ku jena kanë na u kanë Lugu i Laknave”, tha dëshmitarja.

Tutje ajo tregoi se vajza e saj dhe vajza e kunatës nuk ishin kthyer më në mal për shkak se gjatë rrugës kishin hasur në forcat serbe.

“Ato janë nisë në mëngjes, janë vonu deri e kanë marrë ushqimin por kur janë nisë me ardh me pru ushqimin, ma nuk janë kthy në mal, se e kanë vra çiken teme”, tha G.

Më pas e njëjta ka treguar se në momentin kur vajza e saj Z. dhe e vajza e kunatës nuk ishin kthyer në mal, ajo së bashku me kunatën ishin nisur rrugës për të shikuar se ku mbetën ato.

Dëshmitarja ka treguar se edhe vjehrri i kunatës së saj, B. G., kishte zbritur kodrave për të parë çfarë po ndodhë me shtëpitë e tyre.

“Unë me kunatën thamë të këqyrim çka ka ndodhur, me këqyr ku janë fëmijët, fëmijët e familjen e lamë atje në mal, këta nuk pe dimë ku janë, kur jena dalë kodrës poshtë i kena pa shpiat tuj u kallë, kurrkush i gjallë s’livritke, vetëm do lopë, jena ra teposhtë me këqyrë ku mbetën fëmijët, ku mbet plaku. Mahrama e plakut ish vjerrë në therra, kapuqi i bardhë ish mbet në therra, ajo nana e “A”-së e ka pasë vjehërr, tha plakun e paskan vra, trupin e plakut na s’e pamë”, shtoi dëshmitarja.

Tutje dëshmitarja G. ka rrëfyer se së bashku me kunatën e kishte gjetur trupin e çikës të vrarë.

“Me nënën e “A” e gjeta trupin e çikës, e gjeta qatëherë, kur e kam gjetë trupin e Z. e gjeta të mbytur, unë jam ndal te çika me nanën e “A”, pastaj kanë ardh të tjerët”, shtoi ajo.

Tutje  dëshmitarja G. në detaje ka treguar se në çfarë pozicione e kishte gjetur vajzën e saj 19-vjeçare të vrarë nga forcat serbe.

“Venat e prerë në duar dhe këmbë dhe syrin e nxjerrtë dhe tre plumba i ka pasë në trup, në gjoks, në kraharor, a vdekjeprurës u kanë plumbi i tretë, shyqyr qe u kanë e ia kanë ndal britmat”, tha dëshmitarja G.

Më pas e njëjta ka treguar se personat e mbijetuar ia kishin treguar gjithë historinë si kishte ndodhur kur ishte vrarë vajza e saj.

“Kur i kanë ndal serbët ju kanë thane: Hajde, hajde se na jem UÇK! Ato e kanë ditë se janë shqiptarë, se nëper mal janë shpërnda UÇK, se nuk ishin afru ato bash qashtu. Këta që kanë mbijetu më kanë kallxu”, tha G.

Kurse sa i përket trupit të vajzës së saj, dëshmitarja ka treguar se 3 ditë mbasi që e kishin vra, trupin e saj e kanë tërhequr prej atij vendi për arsye se nuk kishin mundur ta tërheqin dhe e kishin varrosur një herë në oborrin e tyre, pastaj pas zhvarrosjes e kishin varrosur në varret e fshatit.

Ndërkaq se ku e gjetën personin “A”, dëshmitarja ka treguar se e njëjta ishte gjetur te një përrua larg shumë prej vajzës së saj, Z.

“Tu bërtit jena ra teposhtë, ajo plumbin e ka pasë në shpinë, mbrapa i kish depërtu por tu e pasë trupin të nxehtë ish ra prej kodre ish rrotullu ish ra, ka hi poshtë livadh, ish hi te ni përrua, larg shum prej Z.”, tha dëshmitarja.

Më pas dëshmitarja ka shtuar se e dëmtuara “A”, u kishte treguar gjithë familjarëve se si kishte ndodhur rasti, dhe se personi që kishte shtënë në Z. dhe në të, kishte qenë i akuzuari Goran Stanishiq.

“Krejt qito që po i tregoj sot mi ka kallxu “A”- ja, që janë kanë në pritë, ata ishin  kanë katër veta, dhe se e ka njoft G. se ky u kanë i mëhallës, u rrit me shqiparë, ka folë shqip”, tha dëshmitarja.

Në fund të dëshmisë së saj dëshmitarja G. shtoi se nuk kërkon kompensim për dëmin e shkaktuar por tha se është për t’u dënuar kryesi i kësaj vepre, duke treguar se në atë fshat ishin vrarë 46 persona.

Kurse dëshmitari tjetër i këtij rasti A. ka treguar se të dëmtuarën “A”, që është në këtë rast, e kishte gjetur në mal të plagosur, me ç’rast e kishte tërhequr trupin e saj dhe e kishte nxjerrë deri te përroi poshtë, ku më pas familjarët e saj e kishin marrë.

Tutje dëshmitari A. ka treguar se personi “A”, ati dhe gjithë familjeve qe ishin atë ditë në mal u kishte treguar se çfarë kishte ndodhur me Z. G., ku më pas të njëjtit kishin filluar kërkimin e trupit të saj.

Por në këtë rast dëshmi ka dhënë edhe dëshmitari H. G., i cili është djali i dajës së Z. G.

I njëjti ka treguar se gjatë luftës të vitit 1999 kishte qëndruar në mal një muaj së bashku me disa anëtare të familjes së  tij, duke treguar se trupin e Z. G. e kishin gjetur më 16 prill 1999.

I njëjti ka treguar se si e ka parë viktimën të vrarë, dhe se çfarë kishte biseduar me personin “A”, mbasi që ishte shëruar pas plagosjes.

Ai shtoi se personi “A”, i kishte treguar se Gorani kishte qenë ai i cili kishte vrarë Z. dhe e kishte plagosur të njëjtën.

Pas kësaj seanca e radhës është caktuar për datën 19 janar.

Kujtojmë se në fillim të seancës gjyqësore, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Valon Kurtaj dhe anëtarët Musa Kongjeli e Valbona Selimi, thirrën prokuroren dhe mbrojtësin e të akuzuarit të diskutojnë për një çështje në lidhje me dëshmitarët dhe të vendosin se si do të procedojnë me dëshmitarët e sotëm, duke pasur në fokus ruajtjen e identitetit dhe zbulimin e ndonjë informate në raport me dëshmitarët që nuk do t’u zbulohet emri.

“Në pajtim me palët në procedurë, trupi gjykues vendos që t’i tërheqë vërejtjen dëshmitarëve që emrin e dëshmitarit “A1” mos ta përmendin, por në qoftëse rastësisht ndodh të përmendet atëherë kërkon nga monitoruesit presentë që  gjitha ato që i mësojnë në sallë në lidhje me identitetin e dëshmitarëve ose të dëmtuarve ose ndonjë fakt i cili sido që të jetë ai që e dëmton imazhin, personalitetin e ndonjë të dëmtuari ose dëshmitarë në këtë procedurë të rezervohen në përmendje e tyre, përndryshe  gjykata është e obliguar të ndërmarrë masa bazuar në ligj”, tha gjykatësi Valon Kurtaj.

Sipas Prokurorisë Speciale, Goran Stanishiq gjatë 15 dhe 16 prillit 1999 ka kryer krime lufte kundër popullatës civile shqiptare dhe atë ndaj fqinjve të tij.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F. B., Z. G. dhe personave të tjerë të ciltë sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetarë dhe ishin pushkatuar.