Gjykimi për krime lufte, dëshmitarja thotë se në Pejë ka qenë edhe një tjetër Zoran Gjokiq

Në gjykimin ndaj Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në lagjen Kristal të Pejës, kanë dhënë dëshminë e tyre dy dëshmitarë të propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit.

Dëshmitarja S.M, ka deklaruar se në qytetin e Pejës e ka njohur edhe një tjetër  Zoran Gjokiq i cili sipas saj kishte qenë polic.

“Po e njoh edhe një person me emrin Zoran Gjokiq, është një fqinj që ka jetuar në anën tjetër të soliterit, me vajzën e tij kam qenë në shkollë fillore dhe ai ka qenë polic dhe e kemi parë në uniformë të policisë”, tha dëshmitarja.

Kurse sa i përket të akuzuarit në këtë rast Gjokiq ajo tha se në kohën e bombardimeve nuk e kishte parë fare në Pejë ndërsa dhjetë ditë para bombardimeve tha se kur kishte qenë së bashku me babain e saj e kishin takuar të akuzuarin Gjokiq në hyrje të ndërtesës, i cili sipas saj iu kishte thënë se do të shkonte në Beograd.

“Nuk e di saktë a ka qenë Zorani më të vërtetë në Beograd, por më kujtohet se motra e tij J. shpesh e ka përmendur [duke thënë] mirë se Zorani ka shkuar për Beograd, këtë e ka thënë gjatë bombardimeve kur jemi takuar”, ka thënë ajo.

Tutje  dëshmitarja ka thënë se asnjëherë nuk e kishte parë të akuzuarin Gjokiq me çfarëdo lloj uniforme dhe as të armatosur.

“Zorani ka qenë një fqinj i mrekullueshëm e tërë familja kanë qenë të njëjtë, por Zorani ka qenë shumë djalë i qetë, asnjëherë në jetë nuk e kam parë se është grindur me dikë e aq më pak duke u grindur”, ka thënë S.M.

Më pas ajo deklaroi se Gjokiq nuk ishte marrë as me politikë, pasi nuk kishte qenë përkrahës i Slobodan Millosheviqit.

“Nuk ka qenë përkrahës i Slobodan Milosheviqit, mua më është dukur e çuditshme sepse në atë kohë të gjithë kemi qenë përkrahës të tij, kur kam qenë të motra e tij J, kemi komentuar diçka ai më zë të lartë e ka thënë këtë. Kjo ka qenë e çuditshme për mua sepse në atë kohë rrallë kush ka qenë kundër Millosheviqit”, shtoi tutje dëshmitarja.

Dëshmitarja ka treguar se deri para qershorit 1999 kishte jetuar në qytetin e Pejës së bashku me familjen e saj, ndërsa tash ka thënë se jeton në Kralevë të Serbisë.

Më pas gjykatësi Arben Hoti, e pyeti dëshmitaren se a kishte marrë instruksione nga dikush para fillimit të kësaj seance se çfarë të përgjigjet dhe se a ishte takuar me dikë para seancës.

Dëshmitarja  u përgjigj se ishte dëgjuar me motrën e të akuzuarin Gjokiq, shoqen e saj J, e cila e kishte njoftuar për kohën e mbajtjes së seancës, ndërsa tha se ishte takuar edhe me avokatin Pantoviq, i cili sipas saj e kishte njoftuar se si duhet të sillej në gjykatë dhe se duhej të tregohej e sinqertë dhe ta thotë vetëm të vërtetën.

Në këtë seancë dëshmoi edhe  I.Q i cili tha se të akuzuarin Zoran Gjokiq e kishte pasur koleg në fakultet dhe se ishte shoqëruar me të gjatë kohës së studimeve, ndërsa sipas tij e kishte takuar edhe pas përfundimit të fakultetit.

“Ka qenë i hareshëm dhe shakaxhi, ka qenë i dashur në shoqëri, person pozitiv”, ka thënë dëshmitari për të akuzuarin Gjokiq.

Seanca e radhës është caktuar më 13 tetor.

Zoran Gjokiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psikikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.

Sipas prokurorisë, Zoran Gjokiq akuzohet për veprat penale krime lufte në shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës dhe krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.

 

Krimet e luftës – I akuzuari Zoran Gjokiq ballafaqohet me deklaratat e dëshmitarëve