Foto: KALLXO.com
Gjykimi për kontrabandimin e 80 mijë kg duhan, për shkak të problemeve teknike kërkohet që provat të konsiderohen të dëgjuara
13 të pandehurit në lidhje me akuzat për kontrabandimin e 80 mijë kilogramëve duhan sot, më 09.10.2024, janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.
Në këtë rast për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen Besart Malaj, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Millan Vidosavleviq, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, ndërsa i akuzuari Dritan Hasimaj për veprën penale – marrja e ryshfetit.
Nga ana tjetër, Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen për veprat penale – kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, dhe tregtia e ndaluar.
Gjatë seancës së sotme u dëgjua përgjimi ligjor i datës 07.04.2018.
Nga ky përgjim u konstatua se dëgjohej komunikimi: “Ha bush”, “ha more”, “po, po, dul”.
Prokurorja Ervehe Gashi deklaroi se ky komunikim është i të pandehurit Vullnet Syla me të pandehurin Mevlan Arifaj.
Pasi që në seancë kishte probleme teknike lidhur me dëgjimin e CD-ve, prokurorja Gashi pasi theksoi se i kanë lexuar raportet, i kanë administruar si provë, dhe se secili mbrojtës i ka të gjitha CD të cilat mund t’i shikojë dhe ndoshta edhe i kanë shikuar, propozoi që këto të konsiderohen të dëgjuara dhe të shikuara, “pasi që kanë mbështetje në raporte 15-ditore e që janë administruar si prova”.
Në anën tjetër, avokati Korab Bokshi tha se e kundërshton ligjshmërinë e provave të paraqitura ndaj të akuzuarit Driton Kurshumlija për disa arsye.
“Së pari, përgjimi ambiental në momentin kur supozohet se është regjistruar biseda e Driton Kurshumlijës, i njëjti nuk ka qenë subjekt i hetimit në atë kohë. Këto prova, nuk mund të administrohen në raport me të akuzuarin Driton” – tha ai.
Ndërsa, avokatja Elvira Heta Vata deklaroi se po e përsërit atë që e dëgjuan, sipas saj, bashkërisht, se te pjesa e bisedës “po, po, doli”, nuk përmendet askund fjala “mall”. “Në këtë sallë, përafërsisht 30 persona, askush nuk e dëgjoi fjalën “mall” përveç prokurores” – tha ajo.
Tutje, avokati Teki Bokshi deklaroi se nga propozimi i të gjithë mbrojtësve të kërkohet listingu, hyrjet – daljet nga IPKO dhe operatori Vala. E sipas tij, kështu vërtetohet identiteti i pronarit të telefonit.
Lidhur me këtë propozim, Gjykata do të vendosë jashtë seance.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, të ngritur në qershor të vitit 2021, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Millan Vidosavleviq, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këto thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Dritan Hasimja gjatë muajit shkurt-mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë, kërkojnë përfitime për vete, për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019 kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.
Po ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019 kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.
Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 03 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i janë të liruara nga dogana.
Aktakuza thotë se më 08 shkurt 2019, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale – marrje e ryshfetit në vazhdimësi.
Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë-refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi akuzohen se kanë kryer veprat penale kontrabandim me mallra, veprën penale – shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore, si dhe veprën penale – tregti e ndaluar.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.