I akuzuari Vllaznim Emërllahu gjatë gjykimit në seancën e datës 07.11.2024 në Gjykatën e Prishtinës. Foto | Kallxo.com

I akuzuari Vllaznim Emërllahu gjatë gjykimit në seancën e datës 07.11.2024 në Gjykatën e Prishtinës. Foto | Kallxo.com

Gjykimi për keqpërdorime në tenderin për shitjen e qymyrit, zyrtarët e akuzuar të KEK-ut deklarohen të pafajshëm

Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me një tender për shitjen e thëngjillit, zyrtarët e KEK-ut Vllaznim Emërllahu, Muhamet Selmani, Flamur Bekteshi në seancën gjyqësore të mbajtur më 07.11.2024 në Gjykatën e Prishtinës janë deklaruar të pafajshëm.

Ndërsa, prokurori i rastit, Besnik Jakupi, në fjalën hyrëse ndër të tjera tha se përmes provave të propozuara në aktakuzë, gjegjësisht pas administrimit të tyre, do të vërtetohet se në veprimet e të pandehurve janë manifestuar elementet e veprës penale për të cilën akuzohen.

Kurse përfaqësuesi i KEK-ut, sipas aktakuzës palë e dëmtuar, Arsim Shaljani, i pyetur nga kryetari i trupit gjykues Alban Ajvazi nëse ndihen të dëmtuar tha se në bazë të shkresave dhe ekspertizës janë palë e dëmtuar.

Në fjalën hyrëse mbrojtësi i Vllaznim Emërllahut, avokati me autorizim Florian Petanaj, ndër të tjera ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk do të vërtetohet asnjë nga faktet vendimtare lidhur me akuzën që i vihet në barrë klientit të tij.

Më tutje avokati tha se dështimi për publikimin e ftesës së tenderimit do të vërtetohet se ka ardhur nga një zinxhir keqkuptimesh me vetë njoftimin e datës 16.02.2021 të KRPP-së.

“Ajo çka është e rëndësishme nuk do të provohet qëllimi kriminal – dashja direkte dhe do të vërtetohet se nuk ka pasur asnjë shkelje të nenit 42 të Ligjit për Prokurim Publik” – shtoi avokati Florian Petanaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Selmani, avokati Salih Gjonbalaj, teksa e quajti aktakuzën e Prokurorisë “me të meta substanciale” tha se edhe në rast se i mbrojturi i tij do të donte të ndikonte në tender nuk do të kishte pasur mundësi.

“Edhe në qoftë se i mbrojturi im do të kishte dashur të ndikonte në atë procedurë nuk ka pasur asnjë kompetencë dhe asnjë përgjegjësi zyrtare me rëndësi që mund të ndikonte në favorizimin apo ndërhyrjen e dhënies së tenderit në fjalë. Andaj Prokuroria është dashur që këtë përgjegjësi në radhë të parë ta kërkojë ose t’ia vërë në barrë drejtorit menaxhues dhe jo të mbrojturit tim” – tha ndër të tjera avokati Salih Gjonbalaj.

Ai u shpreh i bindur se në fund Gjykata do ta shpallë të pafajshëm të mbrojturin e tij Muhamet Selmanin.

Mbrojtësi i të akuzuarit Flamur Bekteshi, avokati Yll Zeka, tha se klienti i tij i punësuar në KEK që dy dekada është akuzuar nga Prokuroria pa asnjë provë që do të vërtetonte dashjen e tij të drejtpërdrejtë.

“I gjithë argumenti i Prokurorisë në aktakuzë ndërlidhet me dy-tre email-a të shkëmbyer në mes të personave përgjegjës të cilët zbatonin përgjegjësitë e tyre konform kontratave. E në të cilat e-mail-a i mbrojturi ishte vetëm CC pa ndonjë rol të drejtpërdrejtë. 2-3 e-mail-a nga qindra që i mbrojturi im i pranonte si drejtor i Zyrës së Prokurimit në korporatën më të madhe në vend” – tha ndër të tjera avokati Yll Zeka.

Ai tha se do të vërtetohet se ka qenë pikërisht KRPP-ja ajo e cila ka dështuar ta monitorojë zbatimin e këtij aktiviteti të prokurimit përkundër dy njoftimeve. E cila, sipas avokatit, po të mos kishte dështuar i mbrojturi i tij do të kishte mundësi të njoftohej më herët dhe t’i merrte masat adekuate.

Edhe avokati Zeka u shpreh i bindur se do të vërtetohet pafajësia e klientit të tij.

Më tej gjykimi vijoi me dëgjimin e dëshmitarit Ismet Vrapçani, asokohe zyrtar i auditimit të brendshëm në KEK.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Besnik Jakupi ai tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë.

“Në polici kam deklaru atë që e kam thanë edhe në raport të auditimit, qëndroj pranë të njëjtës” – tha dëshmitari Ismeti Vrapçani.

Ai tha se është zhvilluar aktivitet i auditimit lidhur me tenderin në fjalë për blerjen e thëngjillit pas marrjes së informatës nga sinjalizuesi.

“Të gjeturat kanë qenë se nuk është publikuar dosja e tenderit për zhvillimin e aktivitetit të prokurimit për shitjen e thëngjillit dhe kanë filluar procedurat pa publikim” – deklaroi Ismet Vrapçani.

Ai tha se person përgjegjës për publikimin e aktivitetit të prokurimit në e-prokurim ka qenë bartësi i lëndës “sa më kujtohet Vllaznim Emërllahu”.

Ai tha se publikimi i çdo aktiviteti në këtë platformë është obligim në mënyrë që t’i nënshtrohet konkurrencës.

Gjatë parashtrimit të pyetjeve ana e avokatëve, ai disa herë potencoi se disa nga detajet e raportit dhe rastit i ka harruar sepse kanë kaluar disa vite dhe tashmë ai është në pension, por potencoi se qëndron pranë gjetjeve të këtij raporti.

Dëshmia e dëshmitarit Ismet Vrapçani u ndërpre për të vazhduar në seancën e radhës, gjatë ballafaqimit nga ana e të pandehurit Muhamet Selmani me kopjet e disa e-mail-ave lidhur me provimin e disa konstatimeve në raportin e auditimit të përpiluar nga Vrapçani.

“Pasi që dëshmitarit i nevojitet që të shikojë raportin final se në cilën provë është bazuar dhe i njëjti është pensionuar nuk e ka qasjen në dosje me pëlqimin e palëve i propozohet dëshmitarit të paraqitet te zyra e prokurorit dhe të pajiset me një kopje të raportit dhe provave ku është bazuar ky raport në mënyrë që të jetë i përgatitur dhe të deklarohet lidhur me këtë çështje” – deklaroi gjyqtari Alban Ajvazi.

Seanca e radhës do të mbahet me 06.12.2024.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje Alban Ajvazi – kryetar dhe anëtarët Sulltane Hoti dhe Avni Syla.

Çka përmban aktakuza e Prokurorisë?

Të tre të pandehurit Vllaznim Emërllahu, Muhamet Selmani, Flamur Bekteshi ngarkohen nga Prokuroria me akuza për kryerjen e veprës penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzën e ngritur më 23.10.2023 thuhet se i pandehuri Vllaznim Emërllahu nga data 12.02.2021 e deri më 30.06.2021 në cilësinë e personit zyrtar si Zyrtar i Lartë i Zyrës së Prokurimit në KEK, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër me dashje nuk ka vepruar sipas legjislacionit të prokurimit publik.

Sipas dosjes, i pandehuri, në cilësinë e zyrtarit përgjegjës, respektivisht si bartës i lëndës për tenderin e titulluar “Shitja e Qymyrit”, më 12.02.2021 i kishte dërguar e-mail menaxheres për përkrahje të prokurimit të KEK-ut, Mirvete Gërgurit, që të dërgojë ofertën për publikim në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), pa e përfunduar dosjen e tenderit.

Ndërsa KRPP-ja më 15.02.2021 i kishte kthyer përgjigje me e-mail Gërgurit, duke kërkuar që ofertën për shitje të qymyrit ta publikonin në platformën e E-prokurimit. Këtë e-mail Gërguri ia kishte dërguar të pandehurit Emërllahu, duke i kërkuar që të vepronte sipas udhëzimeve të KRPP- së.

Megjithatë, sipas pretendimeve të Prokurorisë, i pandehuri, përkundër këtij e-maili, nuk e kishte publikuar ofertën në platformën E- prokurimi, e as në atë të KRPP-së apo të KEK-ut, por kishte vazhduar tutje me këtë aktivitet të prokurimit.

Ndërsa më 23.02.2021, i pandehuri thuhet që së bashku me të pandehurin Muhamet Selmani, ishin takuar po ashtu edhe me përfaqësuesin e operatorit ekonomik “Enertech” Sh.p.k, Ilmi Zhugollin, dhe kishin biseduar për tenderin në fjalë.

Më pas ky operator ishte shpallur fitues për blerjen e 200,000 tonë qymyr me një çmim minimal për 1,600,000 €, aq edhe sa kishte qenë oferta e shitjes.

I pandehuri Muhamet Selmani akuzohet nga Prokuroria që në cilësinë e personit zyrtar si Menaxher i Departamentit të Punëve dhe Shërbimeve në KEK, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tija zyrtare, duke vepruar me dashje në kundërshtim me legjislacionin për prokurim publik.

Duke mos qenë i autorizuar lidhur me aktivitetin e prokurimit për tenderin e titulluar “Shitja e Qymyrit”, i njëjti, sipas Prokurorisë, më 23.02.2023, në objektin e KEK-ut, kishte zhvilluar takimin e lartcekur me Ilmi Zhugollin së bashku me të pandehurin Vllaznim Emërllahu.

Pa qenë i publikuar tenderi në fjalë dhe gjatë bisedës që kishin zhvilluar me operatorin ekonomik në fjalë, Prokuroria pretendon se i pandehuri Selmani i kishte thënë të pandehurit Emërllahu se “unë e sqaroj këtë punë me operatorin (“Enertech”) në kafene!”.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, kur Selmani ishte kthyer nga takimi që kishte pasur me përfaqësuesin e operatorit ekonomik, fillimisht kishte shkuar në zyrën e të pandehurit Vllaznim Emërllahut dhe i kishte kërkuar që të mos e publikonte tenderin në fjalë ndërsa pas disa minutash i kishte dërguar edhe e-mail zyrtar duke i kërkuar që të mos e publikonte ofertën për shitje të qymyrit në platformën E-prokurimi, ndërsa dosjen e tenderit t’ia dërgonte operatorit ekonomik “EnertechSh.P.K, me të cilin ishin takuar më herët.

Lidhur me të pandehurin Flamur Bekteshi Prokuroria pretendon se nga 12.02.2021 e deri më 30.06.2021, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar si zyrtar përgjegjës i Zyrës së Prokurimit në KEK, me dashje ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare duke mos e përmbushur detyrën e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për “Entertech” Sh.P.K.

Në dosje thuhet se i pandehuri me dashje dhe vetëdije të plotë nuk ka vepruar në tërësi në pajtim legjislacionin për prokurim publik edhe pse ka qenë në dijeni dhe i njoftuar në vazhdimësi për mospublikimin e tenderit në fjalë. Aty pretendohet se i njëjti, përkundër përgjegjësive që kishte, përveç që nuk i kishte ndërmarrë veprimet ligjore për ndërprerjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm, ai prapëseprapë kishte vazhduar tutje me procedurën e prokurimit, deri sa më 01.04.2021 e kishte shpërblyer operatorin ekonomik “Enertech” Sh.P.K. duke e nënshkruar kontratën për shitjen e thëngjillit.

Prokuroria po pretendon se në këtë mënyrë të pandehurit e lartcekur përpos që i kishin mundësuar përftime të kundërligjshme operatorit ekonomik “Enertech” SH.P.K, në të njëjtën kohë u kishin mohuar konkurrencën dhe mundësinë e ofertimit edhe operatorëve të tjerë ekonomikë në këtë aktivitet të prokurimit.