Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për keqpërdorim me kabllo elektrike, dëshmon eksperti  

Ish-shefi i shërbimeve publike në Malishevë po akuzohet se hapi tender për një kabllo elektrike që nuk u vendos asnjëherë në fshatin e paraparë.

KEDS gjithashtu pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës dhe nuk është investim i komunës.

Tenderi i komunës për kabllo kalon vlerën  8 mijë euro.

Të enjten para Gjykatës së Gjakovës, u dëgjua eksperti i energjetikës, Muhamet Shala.

Sot, eksperti Muhamet Shala, tregoi se pas daljes në vendin e ngjarjes me datën 27 nëntor, kishte bërë raport me shkrim.

“Unë kam kontaktuar kompaninë “elektro stublla” , kam kërkuar katalog e saktësisht e kam kërkuar kabllon x00-A-3x70mm20kv,  që është e shënuar në raport dhe e njëjta kompani më ka thënë që nuk e ka këtë lloj të kabllos në depo”- deklaroi eksperti i elektrikës Muhamet Shala.

Sipas tij “Kabllo e shënuar në raport nuk i ka karakteristikat në emërtimin e kabllos, ndërsa dimensioni e tensioni përputhet, pra nuk përputhet në tërësi me kabllon në vendin e ngjarjes”.

“Me kabllon e vendit të ngjarjes e me atë të “elektrostublles” ,ka ngjashmëri vetëm me dimension ndërsa karakteristikat si tipi dhe natyra e punës nuk është në përputhshmëri, pasi që kablloja e elektrostubllës ka të bëjë me tensionin e ulët, ndërsa sa i përket kabllos së KEDS-it është në përputhshmëri dhe katalogët që i kam nxjerrë nga interneti, prodhuesi dhe karakteristikat janë të njëjta”- deklaroi eksperti.

Ai tha se mund të jenë bërë ndryshime të rrjetit elektrik, me qëllim të furnizimit me rrymë.

“Në bazë të incizimeve dhe deklarimeve të qytetarëve përreth, KEDS-i me kalimin e viteve ka bërë ndryshime në zhvendosjen e trafos për furnizim me rrymë”- tha eksperti Hoti.

Ndërsa koordinatori i depove në kuadër të KEDS-it në Prishtinë, Fehmi Vojvoda i cili ishte i pranishëm në sallë të gjykatës, tha se nuk kanë pasur libra ose evidenca për mallin e regjistruar, përveç se ato ishin bërë me kompjuter.

Seanca e radhës për të dhënë mbrojtjen i akuzuari Ismet Mazreku, u caktua për datën 17 dhjetor.

Në seancën e kaluar kishte dëshmuar  fituesi i tenderit i firmës N.T.Sh. “Leoni”, Muharrem Hoti dhe eksperti i sotëm Muhamet Shala.

Hoti kishte thënë se i kishte marrë të dhënat e kabllos dhe me ato të dhëna kabllon e kishte blerë nga kompania “elektro stublla”, me seli në Prishtinë dhe me të njëjtën kabllo e ka furnizuar komunën.

Një seancë ishte shtyrë për shkak të mungesës së një dëshmitari dhe një tjetër kishte dështuar.

Në njërën nga seancat e kaluara kishin dëshmuar ish-drejtori u KEDS-it, Agnez Furra dhe dëshmitarë të tjerë.

Në këtë rast, KEDS-i pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës, mirëpo në anën tjetër komuna thotë se ka blerë kabllo përmes procedurës së prokurimit dhe kanë vendosur kabllon në të njëjtin fshat.

Projekti kishte filluar me tela të zhveshur, por kur ka arritur në lagjen Begaj të Malishevës, banorët kanë protestuar dhe pastaj është vendosur me kabllo të veshur.

Një gjë të tillë, zyrtarët të KEDS-it të cilët janë dëgjuar si dëshmitarë, pretendojnë se kablloja e vendosur në fshatin Gajrak të Malishvës ka qenë investim i tyre.

Në këtë gjykim kishte dëshmuar edhe kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të shërbimeve publike në komunën e Malishevës, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik

Në aktakuzë thuhet se ai kishte inicuar kërkesën për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8.727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të Komunës së Malishevës.