Foto: KALLXO.com

Gjykimi për falsifikimin e dokumenteve të tenderit në vlerë 800 mijë euro, dëshmon zyrtari i PSRK-së

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca ku i akuzuar është përfaqësuesi i firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”, Tahir Sopa.

Në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Artan Hajdini, zyrtar për buxhet dhe financa në Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSRK).

Gjatë dëshmisë Hajdini tha se ka qenë menaxher i kontratës për renovimin e PSRK-së, e cila ishte lidhur me kompaninë e të akuzuarit Sopa.

Në pyetjet e trupit gjykues Hajdini u përgjigj se kontrata në fjalë përmbante aktivitete për demolimin e objektit, ku bënin pjesë dyert e kamerat.

Hajdini tha se sipas kontratës të gjitha materialet e demoluara dhe të papërdorshme duhet të transportohen deri në deponinë e caktuar nga autoriteti kontraktues dhe organit mbikëqyrës, mirëpo nuk kanë pasur ndonjë deponi të caktuar për këtë gjë.

Tutje Hajdini deklaroi se gjërat të cilat janë larguar nga objekti është dashur që të regjistrohen nga Policia mirëpo për ta ai tha se nuk ka njohuri çfarë kanë bërë.

Në lidhje me dyert ai tha se punëkryesi e ka njoftuar për çdo gjë e cila ka dalë nga objekti përveç dyerve.

Kujtojmë se Prokuroria e Prishtinës në muajin korrik të vitit 2021 ka ngritur akuza ndaj përfaqësuesit të firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”, Tahir Sopa.

Dosja e Prokurorisë thotë se Sopa kishte aplikuar në tenderin e shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe se njëra nga kushtet për përmbushjen e kontratës ka qenë një deklaratë që vërteton disponueshmërinë e 200 mijë eurove në llogarinë bankare, si vlerë për të siguruar tenderin.

Tutje në aktakuzë thuhet se Sopa për vërtetimin e disponueshmërisë së 200 mijë eurove për përkrahjen e kompanisë “NBT ING SHPK” kishte paraqitur një letër-përkrahje kinse të lëshuar nga Banka “NLB” e cila ka rezultuar e falsifikuar.

Sopa me këtë rast dyshohet se i kishte shkaktuar dëm buxhetit të KPK-së në mënyrë që duke paraqitur dokumentacion të rrejshëm kishte fituar tenderin në vlerë prej 811 mijë e 372 euro e 13 centë dhe kështu akuzohet se me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik.

Për këtë arsye Tahir Sopa akuzohet nga Prokuroria për veprën penale – keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik.