Ilustrim

Gjykimi për fajde në Pejë, viktima tentoi të vrasë veten 

Burri me inicialet V.SH. kishte tentuar të vrasë veten duke pirë zbardhues në gusht të vitit të kaluar.

Një letër e gjetur në xhepin e tij zbuloi se ai ishte viktimë e fajdeve.

Ky rast përfundoi me aktakuzë ndaj Isa Dautaj, Binak Nikci e Arton Gjocaj.

Këta janë paraparë të dalin sot para gjykatës, mirëpo gjykata nuk ka arritur të mbajë seancën sot me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarve.

Prokuroria e Pejës po akuzon Isa Dautaj për fajde, ku i dëmtuari V.SH. ka marrë nga ai shumën prej 7 mijë e 200 euro me kamatë mujore prej 10%.

Për këtë shumë i dëmtuari Shala deri me datë 15.08.2019 ishte detyruar të paguajë kamatat mujore në 10% të akuzuarit Dautaj.

Humbjet financiare në këtë rast ishin 66 mijë e 922 euro.

V.SH. i cili  tentoi të vetëvritej në Pejë, ishte obliguar ta shiste një pronë të cilën familja e kishte marrë si parcelë për familjet e dëshmorëve.

Siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë kur V.SH. kishte përcaktuar që të shkonte së bashku me bashkëshorten tek noteri dhe të nënshkruante kalimin e pronës tek një person tjetër.

Ky obligim e kishte shtyrë viktimën që të tentonte vetëvrasjen duke pirë pastrues të banjove.

Në këtë rast penal për fajde akuzohen edhe Binak Nikqi dhe Arton Gjocaj.

Dosja e prokurorisë përshkruan  se Nikçi i kishte dhënë viktimës 1 mijë e 700 euro ndërsa për të njëjtat nga viti 2015 deri më tani viktima kishte paguar mbi 7 mijë euro.

Gjocaj akuzohet se i ka dhënë viktimës shumën prej 2 mijë e 500 euro, duke i shkaktuar humbje në vlerë mbi 6 mijë euro.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me 22 qershor