Foto: KALLXO.com

Gjykimi për fajde, detyrim e mashtrim, i dëmtuari për njërin të akuzuar: “Asnjëherë në jetë nuk e kam parë”

Të pandehurit Naser Koqinaj, Ihsan Fetahaj, Arlind Krasniqi dhe Kujtim Gjilani, sot, më 10.10.2024, u ulën në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Naser Koqinaj dyshohet për veprat penale – fajde; detyrim; dhënie e ryshfetit, dhe mashtrim. Kurse, Ihsan Fetahaj dyshohet se në cilësinë e zyrtarit policor ka kryer veprën penale – marrja e ryshfetit, ndërsa Arlinda Krasniqi ngarkohet me veprën penale – mashtrimi,  e Kujtim Gjilani dyshohet se në cilësinë e zyrtarit policor ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në seancën e sotme ka vazhduar dëshminë në cilësinë e dëshmitarit  i dëmtuari Mirsad Badalli.

I pyetur nga avokati Sylë Hoxha nëse i kujtohej nëse i kishte dhënë ndonjë shpërblim apo dhuratë Ihsan Fetahajt, Badalli tha se as nuk ka kërkuar, as nuk i ka dhënë as dhuratë e as ndonjë shpërblim.

Gjatë marrjes në pyetje dëshmitari deklaroi se  nuk e konsideronte veten të dëmtuar në drejtim të të akuzuarit Ihsan Fetahut.

Avokati Hoxha e pyeti dëshmitarin lidhur me deklaratën e dhënë në Prokurori më 26.08.2021.

“Me qëllim që t’ia dhuroj Ihsan Fetahit pasi që, sipas Naserit, polici Ihsan Fetahaj ma kishte shpëtuar kokën mua, aty me Naserin kam marrë veturat ‘Tauran’ i zi, i cili është blerë nga “Mogo” nëpërmjet autosallonit “..” në Gjakovë, dhe një ‘Golf’ të cilit saktë nuk ia di tipin, a është 5 apo 6, por e di se ka ngjyrë të zezë dhe se vlera totale e këtij leasingu apo veturave është 12.000,00€ të cilat duhen të paguhen nga ana ime me këste, kesti mujor ka qenë 530€” – lexoi avokati Hoxha deklaratën që sipas tij e kishte dhënë dëshmitari në Prokurori.

“Pyetja ime është a është kjo deklarata e juaj?’’ – pyeti avokati Hoxha.

Përgjigjja e dëshmitarit ishte se deklarata ishte e tij, por se, sipas tij, e kishte dhënë nën presionin e N.A.

Në anën tjetër, në pyetjen e avokates Amina Mustafi nëse si i dëmtuar kishte pësuar ndonjë dëm material, jomaterial apo ekonomik nga ana e të akuzuarës Arlinda Krasniqi, pasi e njëjta po ngarkohet për veprën penale – mashtrim, dëshmitari tha që nuk ka pësuar ndonjë dëm prej saj.

E akuzuara Arlinda Krasniqi e pyeti dëshmitarin nëse kishte qenë në lidhje dashurie. Dëshmitari u përgjigj: “Jo në lidhje dashurie, por kemi qenë në raporte pune, na ka lidhë puna në profesion rrobaqepësi’’.

Ndërsa, i akuzuari Kujtim Gjilani gjatë seancës u shpreh se nuk e dinte pse ishte në Gjykatë. “S’pe di pse jam këtu. As nuk e njoh kush është (për të dëmtuarin)… i kam hupë krejt senet, thjesht s’po di pse jam këtu” – tha ai.

Gjithashtu e pyeti dëshmitarin nëse e njihte atë. Por, dëshmitari tha që nuk e njihte të akuzuarin. “Asnjëherë në jetën time nuk e kam parë”.

Rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Raima Elezi, Teuta Krusha dhe Nazim Vllaço.

Ndërsa, seanca e radhës u caktua të mbahet më 03.12.2024.

Sipas aktakuzës të datës 21.12.2022, Naser Koqinaj akuzohet për veprat penale –  fajde, detyrim, dhënia e ryshfetit dhe mashtrim.

Prokuroria të akuzuarin Koqinaj e akuzon se nga marsi i vitit 2018 e në vazhdim deri në arrestimin e tij, fillimisht e ndihmon të dëmtuarin Mirsad Badalli që nga ai t’i largojë kanosjet e fajdexhinjve si B.P. dhe e ndihmon të njëjtin për të kontaktuar me zyrtarët policorë të Krimeve Ekonomike, pikërisht të pandehurin e dytë Ihsan Fetahaj, i cili e ka në punë lëndën ku është i dëmtuar Naser Koqinaj, e pasi që të njëjtit fajdexhinj procedohen në procedurë penale, kërkon nga i dëmtuari shumën prej 6 mijë eurove, si dhe kërkon që i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare muaj për muaj mjete me ç’rast e ka dëmtuar të dëmtuarin në shumën prej 63 mijë e 888 euro e 40 centë.

Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale – fajdeja.

Koqinaj dyshohet po ashtu se e ka detyruar të dëmtuarin Badalli të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke e kanosur se do ta vrasë, e merrte atë për krahu, e fuste në automjetin e tij dhe e dërgonte në ndonjë nga bankomatet dhe e detyronte të dëmtuarin të tërhiqte para dhe t’ia dorëzojë atij,

Prokuroria pretendon se Koqinaj i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 83 mijë e 500 euro.

Me këto veprime Koqinaj ngarkohet se ka kryer veprën penale – detyrimi.

Tutje, thuhet se Koqinaj më 12 dhe 26 korrik 2019 në Prizren, për të dëmtuarin Mirsad Badalli jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar – të pandehurit Ihsan Fetahaj në mënyrë që ky i pandehur të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare lidhur me kallëzimin penal që e ka ngritur në Prokurori, ku Mirsad Badalli ka qenë i dëmtuar, saktësisht i jep dhuratë të pandehurit Ihsan Fetahaj dy vetura, “WV Tauran” dhe “WV Golf”, të marra përmes kontratave të lizingut financiar, të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën prej 20 mijë 109 euro e 89 centë.

Me këto veprime Naser Koqinaj po ngarkohet se ka kryer veprën penale – dhënia e ryshfetit.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Ihsan Fetahaj po akuzohet se nga 12 deri më 26 korrik 2019, në cilësinë e personit zyrtar – hetues i Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pranon nga i pandehuri Koqinaj dhuratë dy vetura, një veturë e llojit “WV Tauran”, dhe veturën “WV Golf”, vetura këto të marra përmes kontratave të lizingut financiar të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën 20 mijë 109 euro e 89 centë.

Për këto veprime, Fetahaj akuzohet se ka kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Kujtim Gjilani po akuzohet se më 9 gusht 2020 në pikë-kalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar – polic në pikën kufitare të Vërmicës, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij.

Pas marrëveshjes me të pandehurin Naser Koqinaj, Gjilani i mundëson drejtuesit të automjetit « Peugeot » kalimin e kufirit edhe pse për të njëjtin kishte qenë në dijeni se nuk posedon dokumentacion valid – autorizim për drejtimin e automjetit me targa të shtetit gjerman brenda dhe jashtë shtetit.

Në mënyrë të njëjtë vepron edhe më 17 dhe 30 gusht 2020 dhe 16 tetor 2020, me këtë rast i sjell drejtuesit të automjetit dobi në formën e qarkullimit me automjet në kundërshtim me Ligjit me nr. 05/L-088 për rregullat e trafikut rrugor dhe Ligjin nr. 05/L-132 për automjetet.

Për këto veprime, Gjilani po akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, Arlinda Krasniqi dhe Naser Koqinaj, akuzohen se nga 29 gusht 2020 e deri 09 dhjetor 2020 në Prizren, në bashkëveprim, e mashtrojnë të dëmtuarin Mirsad Badallin.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht i pandehuri Koqinaj merret vesh me të pandehurën Krasniqi që ajo të krijojë lidhje dashurie me të dëmtuarin Badalli dhe më pas e pandehura të kërkojë nga i njëjti t’i japë autorizim të pandehurës Arlinda Krasniqi, kështu e njëjta kur është autorizuar nga i dëmtuari Mirsad Badalli nga xhirollogaria e të njëjtit ka transferuar shumat në lartësi prej 4 mijë e 395 euro, e të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material për po të njëjtën vlerë.

Për këto veprime, Koqinaj dhe Arlinda Krasniqi në bashkëkryerje po akuzohen se kanë kryer veprën penale – mashtrim.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rasti i gjeni në këtë LINK.