Gjykimi i Asdren Mekajt - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për detyrim, dëshmitari merret në pyetje për 4 orë nga avokati i të akuzuarit

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca në rastin e Asdren Mekajt, të cilin Prokuroria Speciale po e akuzon për detyrim.

Në seancat e kaluara Asdren Mekaj lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale kishte deklaruar se nuk ndihej fajtor.

“Në rastin konkret ndihem i dëmtuar dhe i mashtruar nga Pal Gruda dhe për këtë mashtrim është iniciuar edhe një kontest juridiko-civil pranë kësaj Gjykate”, kishte deklaruar i akuzuari Mekaj.

Rasti ndaj Mekajt po ashtu ishte përcjellë me tensione dhe me ndërrimin e trupit gjykues.

Fillimisht, lëndën ndaj të akuzuarit për veprën e detyrimit në shqyrtim e kishe gjyqtari Xheladin Osmani, mirëpo avokati Besnik Berisha kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Xheladin Osmani, me pretendimin se klienti tij është ndier i fyer dhe i lënduar nga konstatimi i gjyqtarit lidhur me dajën e të akuzuarit Kastriot Kukaj.

Pas kësaj, lëndën në shqyrtim e ka marrë gjyqtarja Teuta Krusha.

Shqyrtimi i sotëm ndaj Mekajt ka vazhduar me marrjen në pyetje të Pal Grudës, në cilësinë e të dëmtuarit dhe dëshmitarit.

Dëshmitari Gruda nga përfaqësuesi i të akuzuarit Asdren Mekaj, Besnik Berisha, në seancë u mor në pyetje më shumë se katër orë.

Gjatë deklarimeve të tij, Pal Gruda theksoi se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në Prokurori Speciale, kurse lidhur me deklaratat e dhëna në Polici, dëshmitari sqaroi se deklaratat e tilla janë tjetërsuar ngase kanë qarkulluar në duart e të akuzuarve përfshirë këtu familjen Mekaj.

“Deklarata mua më nxjerr sikur kam dashur të blejë, apo të bëjë biznes gjë që nuk është e vërtetë, sepse çdo veprim i imi ka qenë i detyruar dhe një dëshmitar si unë që ka pasur gjithë ato kërcënime, detyrime dhe presione nuk do të jepte atë deklaratë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari po ashtu theksoi se të sakta janë deklarimet që i ka bërë në Prokurori. Ai tha se edhe nëse gjykimi do të zgjasë edhe 10 vjet të tjera do të deklarohet në mënyrë të njëjtë.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit Asdren Mekaj, Besnik Berisha, e pyeti dëshmitarin nëse ka pasur konflikt me policët dhe a është në dijeni për ndonjë motiv se pse i është tjetërsuar deklarata.

“Konflikt kurrë nuk kam pasur, dhe nuk e di motivin”, tha dëshmitari Pal Gruda.

Në lidhje me pyetjet e parashtruara nga ana e avokatit Besnik Berisha, përfaqësuesja e Prokurorisë Speciale, Merita Bina – Rugova pati shumë vërejtje, ngase avokati Berisha po bënte pyetje në lidhje me rastin tjetër ku është i përfshirë i akuzuari Mekaj.

“Apeloj trupin gjykues që të mos lejojë përsëritjen e pyetjeve të bëra, dhe maltretimin e pafund të dëshmitarit. Nëse fillojmë t’i përsërisim deklaratat që janë dhënë dhe nëse fillojmë të elaborojmë për çdo detaj, ky rast nuk do të kryhet edhe për 3 vjet”, deklaroi prokurorja.

Seanca ndaj Asdren Mekajt u ndërpre për shkak të përfundimit të orarit të punës, e seanca e radhës u caktua të mbahet  më 1 dhe 4 shtator 2021.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj ngarkohet se nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur, që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vetë i ka caktuar.

Më tutje, aktakuza e Prokurorisë pretendon se në këtë mënyrë i pandehuri Asdren Mekaj i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Kujtojmë se Asdren Mekaj më 20 maj 2019 ishte shpallur fajtor për veprën penale të shantazhit dhe ishte dënuar me 14 muaj burgim.

Ndërsa, më 27 dhjetor 2019, Apeli e kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

I pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit, kishte parashtruar mjetin e jashtëzakonshëm juridik – kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Me këtë rast, Supremja kishte aprovuar kërkesën e Berishës dhe kishte anuluar dy aktgjykimet e mëparshme duke e kthyer rastin në pikën zero apo në rigjykim.

Asdren Mekaj, ndaj të cilit po zhvillohet procesi, është djali i gjyqtares së krimeve të rënda, Nushe Mekaj dhe kushëri i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, saktësisht nipi i tij.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.