Gjykimi i Asdren Mekajt - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për detyrim, dëshmitari: Kam takuar nënën – gjyqtare dhe babanë - avokat të të akuzuarit

Asdren Mekaj është ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit për t’u përballuar me aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Mekaj po ngarkohet se ka përdorur shantazhe dhe kërcënime ndaj Pal Grudës, duke e detyruar t’i japë të holla në periudha të ndryshme në vlerë rreth 200 mijë euro.

Zef Gruda, babai i të dëmtuarit, për trupin gjykues sqaroi se ai ishte ftuar nga prindërit e të akuzuarit të cilët kishin kërkuar përmbushjen e një detyrimi-borxhi në vlerë prej 200 mijë euro.

“Jam takuar me nënën e të akuzuarit, e cila ka thënë se është gjyqtare. Në këtë takim po ashtu është prezantuar edhe babai i të akuzuarit, i cili më ka njoftuar se është avokat. Nga unë kanë kërkuar përmbushjen e një borxhi në vlerë prej 200 mijë euro”, deklaroi dëshmitari Gruda.

Në lidhje me këtë, dëshmitari theksoi se prindërit e të akuzuarit nuk i kishin treguar për bazën e këtij detyrimi por kjo vetëm nënkuptonte se Pali i kishte mbetur borxh 200 mijë euro Asdren Mekajt.

Tutje, Zef Gruda tha se në këtë takim ishte kërcënuar nga nëna e të akuzuarit.

“Takimi me prindërit e të akuzuarit ka shkuar shumë keq, sepse gjatë bisedës unë kam pasur edhe kërcënime nga ana e prindërve të tij. Gjatë bisedës, unë i kam thënë se nëse doni të flasim si prindër, Pali në këtë rast është i dëmtuar prej Asdrenit dhe atë në vlerë prej 400 mijë eurove”, tha dëshmitari.

Përveç që ishte ftuar nga prindërit e të akuzuarit, dëshmitari shtoi se ai kishte pasur edhe një takim me gjykatësin, Sali Mekaj.

Zef Gruda tutje pohoi deklarimet e dhëna më parë në Polici, duke thënë se gjatë vitit 2013 Pal Gruda kishte qenë i kërcënuar dhe shantazhuar nga Kastriot Kuka dhe Asdren Meka për t’i larë borxhet e tyre.

Ndërkaq, për të gjitha këto shantazhe e kërcënime të bëra ndaj Pal Grudës, dëshmitari tha se ishte njoftuar nga një person i Shqipërisë, i cili, sipas tij, i ka thënë se Pali është në rrezik.

“Ky person më ka pyetur: A është Pali djali juaj? Unë i kam thënë: po. Ai më tha: Unë e kam pa Palin në rrezik prej disa personave dhe atë kur kanë tentuar ta fusin në bagazh”, tha dëshmitari.

Mirëpo, pas këtyre informacioneve ky person kishte refuzuar që të dëshmojë në Polici.

“Pas bisedës, të njëjtit person i kam thënë se a mund të vjen të dëshmojë në Polici, mirëpo përgjigja e tij ka qenë: “Unë çfarë tmerri kam pa nuk mund të vij që të dëshmojë në Prizren”, tha Gruda.

Zef Gruda tregoi edhe momentin kur djali i tij, Pal Gruda, kishte filluar të merrte vetura me fajde nga i akuzuari.

“Pali prej Asdrenit ka marrë kerre me fajde. Prej këtyre fajdeve të Asdrenit, Pali është detyruar të bjerë në duart e grupit dhe krimeve më të këqija në Prizren”, shtoi dëshmitari.

Sipas tij, përqindja e fajdesë ka qenë 50% mbi borxhin bazë, dhe kjo duhej të bëhej në afatin prej 1-2 javësh, apo varësisht prej borxhit.

“Nëse ia ka dhënë Asdreni – Palit një veturë prej 45 mijë euro, këtë veturë kur e ka marrë Asdreni e ka zhvlerësuar në 30 mijë euro. Por, kur ia ka dhënë veturën tjetër më të shtrenjtë ia ka llogaritur vlerën 90 mijë euro, e cila nuk e ka pasur vlerën reale. Veturën që e ka marrë në kompensim e cila ka e ka pasur vlerën 45 mijë euro, e ka zhvlerësuar dhe ia ka marrë 30 mijë euro, kështu ia ka zbritur prej veturës që ka pasur vlerën 90 mijë euro. Pra që i bie se Palin e ka futur në borxh edhe për 60 mijë euro”, sqaroi dëshmitari Gruda.

Me përfundimin e orarit të punës u përmbyll edhe dëshmia e dëshmitarit Zef Gruda.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua për më 19 dhe 21 prill 2021.

Më 17 janar 2018, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Asdren Mekajt për shkak të kryerjes së veprës penale  detyrimi.

Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat Mekaj vetë i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Mekaj ka qenë i akuzuar edhe për veprën penale të shantazhit, por Gjykata e Prizrenit më 31 gusht 2019 ka marrë aktvendim me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme.

Asdren Mekaj, ndaj të cilit po zhvillohet procesi, është djali i gjyqtares së Krimeve të Rënda, Nushe Mekaj dhe kushëri i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj.

Shkrimet lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.