Foto: KALLXO.com

Gjykimi në mungesë i Çedomir Aksiqit, i akuzuar për krime lufte në zonën e Shtimes, dëshmojnë 3 dëshmitarë

“Ma kanë prishë jetën mua edhe fëmijëve të mi. S’jua fal kurrë se na kanë shkaktu shumë trauma. Kam pasur ankth shumë. Gjumin si gjumë s’un e kam bo kurrë”.

Kështu ka deklaruar dëshmitarja Shukrije Hysenaj në gjykimin kundër të akuzuarit për krime lufte, Çedomir Aksiq (Çedo), në seancën e datës 18.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës.

Çedomir Aksiq akuzohet se në periudhën janar-maj 1999, në territorin e komunës së Shtimes ka kryer vepra të rënda ndaj popullsisë civile shqiptare.

Këto vepra përfshijnë vrasje, vuajtje, dëmtime të mëdha fizike, cenim të integritetit të trupit dhe shëndetit, shpërndarje të frikësimit dhe urdhërime për zhvendosjen e popullsisë civile.

Dëshmitarja deklaroi se forcat serbe e kishin marrë bashkëshortin e saj dhe pastaj pasi e kishin marrë atë ata ishin kthyer në mal ku kishte qenë ajo, dhe e kishin detyruar bashkëshortin e saj (tashmë i ndjerë) që të thërriste emrin e saj se të njëjtit nuk i kishin besuar se ai kishte qenë me ta.

“Më ka thirre: “Oj Shukri!”. Unë isha shumë keq dhe menojsha a me dalë, a mos me dalë, edhe tani e kam marrë vendimin me dalë. Qaq keq që jam kanë, unë djalin nuk kam mujtë me majtë n’dorë edhe u pata thanë me ardhë me ndihmu me marrë djalin”- tha dëshmitarja Shukrije Hysenaj.

Tutje, ajo rrëfeu se kur kishte dalë i kishte menduar minutat e fundit të jetës.

“Kur kam dalë aty, qaq tutë që kam pasë, i kam mendu minutat e fundit qysh kanë me më  mbytë”- shtoi tutje dëshmitarja.

Në pyetjen e prokurores Habibe Salihu se kur dëshmitarja e kishte mësuar vdekjen e bashkëshortit, ajo tha se këtë e kishte mësuar nga fqinjët e saj.

“E kam kuptu ditën e nesërme, me datë 14, kojshia kur kanë arritë me i këqyrë shtëpitë qysh kanë mbetë e kanë pa edhe mua në mbrëmje më kanë tregu”- tha dëshmitarja Shukrije Hysenaj.

Në seancë u dëgjuan edhe dëshmitarët Ruzhdi Jashari dhe Agim Hysenaj.

Ruzhdi Jashari deklaroi se është i sigurt se Çedomir Aksiq është përgjegjës për djegien e shtëpisë së tij.

“Përgjegjësi është 100% Çedomir Aksiq në aspektin lokal, ndërsa sa i përket rrethanave të tjera aspekti i përgjegjësisë është aspekt i përgjegjësisë  shtetërore të politikës të shtetit serb”- tha dëshmitari Ruzhdi Jashari.

I njëjti deklaroi se forcat serbe një herë kishin hyrë në shtëpitë e tij, i kishin plaçkitur, ia kishin djegur shtëpinë dhe kishin ardhur për të kërkuar atë pasi që ky i fundit po jepte informacione nga shtëpia e tij në luftë.

Tutje, ai deklaroi se familja e tij kishin bërë edhe një kallëzim penal ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq.

“Po, është e vërtetë, kallëzimin penal e kam drejtu te Prokuroria Speciale në Prishtinë, atëherë UNMIKU”- deklaroi dëshmitari Ruzhdi Jashari.

Dëshmitari Agim Hysenaj deklaroi se e ka njohur të akuzuarin Çedomir Aksiq dhe se të njëjtin e kishte parë në mal.

“Na të gjithë kemi qenë si në qosh të  malit dhe kemi dëgju kur kanë ardhë serbët afër edhe kemi ikë, edhe H. na tha: “Po shkoj po e këqyri se kush janë” duke menduar se është UÇK-ja dhe shkoi për me i këqyrë edhe aty drejtpërdrejt e kanë kapë H., e kanë mbështetë për stani”- tha dëshmitari Hysenaj.

“Çeda ka qenë se e kam parë me sytë e mi, edhe  e kane vetë H.: “Me kënd je?”- shtoi tutje dëshmitari Agim Hysenaj.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Çedomir Aksiq, avokatit Zharko Gajiq, se a kishte pasur ndonjëherë raporte të këqija me tanimë të akuzuarin ,dëshmitari Agim Hysenaj deklaroi se ai nuk kishte pasur, por H., kishte pasur sepse i njëjti kishte bartur dru, dhe i akuzuari kishte qenë shef i pyllit dhe gjithnjë kishin pasur konflikte.

Ndryshe kujtojmë se procesi gjyqësor ndaj  të akuzuarit Çedomir Aksiq po  zhvillohet në mungesë, pasi që Prokuroria dhe Gjykata kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për sigurimin e prezencës së tij në gjykim.

Kjo çështje penale po gjykohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Çështja po gjykohet nga Violeta Namani-Hajra  -kryetare e trupit gjykues, anëtarët Arben Hoti dhe Rrahman Beqiri.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës të datës 02.05.2023, i pandehuri Çedomir Aksiq akuzohet se së bashku me një grup ende të panjohur kriminal, në fillim të prillit të vitit 1999 ka drejtuar një operacion në një zonë të njohur si “Kodra e Gështenjave”, që ndodhet në mes të komunës së Shtimes dhe fshatrave Mollopolc, Reçak dhe Petrovë.

Ata akuzohen për urdhërimin dhe dëbimin e banorëve të kësaj zone, si dhe për kryerjen e ekzekutimeve dhe shkatërrimin e shtëpive të vëllezërve Ruzhdi, Sadri, Rexhep dhe Hamdi Jashari në Shtime, më të cilat veprime kishin shkaktuar dëme në vlerë prej 300 mijë euro.

Në datat 13-14 maj 1999, sipas dosjes së Prokurorisë, në një vend të njohur si “Lugu i Neshës” në fshatin Petrovë të Shtimes, Halil Hysenaj, tashmë i ndjerë, po qëndronte me familjen e tij dhe të tjerë pjesëtarë të komunitetit shqiptar që kishin zgjedhur të qëndronin në mal për t’u mbrojtur nga sulmet e forcave serbe. Kur forcat serbe kishin filluar të drejtoheshin drejt vendndodhjes së tyre në mal, Halil Hysenaj ishte nisur për të konfirmuar nëse ata ishin pjesëtarë të UÇK-së apo forcave serbe. Hysenaj ishte ndaluar nga i akuzuari Aksiq, i cili kishte veshur një uniformë “lara-lara” dhe kishte përdorur një armë pushkë “10-she”, duke shtënë ndaj tij. Më vonë, trupi i të njëjtit ishte gjetur pa shenja jete nga banorët e fshatit.

Tutje, i akuzuari Aksiq së bashku me grupin e tij, sipas dosjes së Prokurorisë, më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e disa individëve gjatë sulmit të armatosur ndaj popullatës civile shqiptare, përfshirë Hajriz Brahimi, Hakin Murati, Sabri Murati, Arif Murati, Ahmet Mustafa, Sadik Mujota, Skënder Halili dhe Hanumshahe Mujota.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në momentin kur i moshuari Hajriz Brahimi, tashmë i ndjerë, po përpiqej të largohej nga shtëpia e tij dhe po shkonte në drejtim të malit, Çedomir Aksiq dhe grupi i tij kishin shtënë drejt tij me armë zjarri duke e lënë të vdekur brenda sekondash. Më pas, ishin afruar pranë të ndjerit, duke shtënë përsëri me armë në drejtim të tij, për t’u siguruar që ai të kishte vdekur. Në të njëjtën kohë, pas disa çastesh, të njëjtit kishin shtënë me armë edhe në drejtim të të moshuarve – vëllezërve Haki, Sabri dhe Arif Murati, të cilët kishin mbetur të vrarë në vend, ku më pastaj ishin afruar pranë tyre duke i goditur përsëri me plumba.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Aksiq së bashku me grupin kishin zbritur poshtë fshatit në shtëpinë e Ahmet Mustafës, duke thyer derën me forcë dhe duke nxjerrë Ahmetin, gruan e tij Salën dhe Mentor Halilin nga shtëpia e tyre, ku në prezencën e bashkëshortes Sala dhe Mentorit vranë Ahmet Mustafën, ndërsa Mentori kishte arritur të shpëtonte.

Në ato momente, Aksiq dhe grupi i tij kishin shtënë me armë, duke e vrarë edhe Sadik Mujotën, i cili ishte duke kaluar rrethojën e oborrit me qëllim që të largohej nga vendi ku ndodheshin të njëjtit, dhe duke e plagosur në këmbë Skënder Halilin i cili kishte mbetur i shtrirë për tokë.

Vajza e Sadik Mujotës, sipas dosjes së Prokurorisë, Hanumshahe Mujota, nëpër breshëri plumbash kishte shkuar t’i ndihmonte babait të saj por kishte mbetur e vrarë afër kufomës së babait të saj. Skënder Halili që ishte plagosur në këmbë, e kishin goditur përsëri me qëllim që të sigurohen se ka vdekur, nga aty kishin shtënë dhe kishin lënë të vdekur edhe Mehmet Mustafën në oborrin e shtëpisë.

“Ky artikull është mundësuar përmes mbështetjes së YIHR KS, si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e Interneës Kosova dhe nuk reflekton pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ose Nismës së të Rinjve për Të Drejta të Njeriut (YIHR KS)”.