Gjykimi ndaj të akuzuarve për 400 kg kokainë, dëshmia e drejtorit të shitjes në kompani: Në disa raste më është ndaluar hyrja në depo

Në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin e 400 kg kokainë janë dëgjuar dëshmitarët Fatbardh Dervisholli dhe Arta Sheqiri, e cila nuk arriti të përfundoj dëshminë e saj deri në fund.

Në këtë rast të akuzuar janë Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi nën akuzat se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me një kompani “SEARA” për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, por sipas prokurorisë në to ishin vendosur substanca narkotike.

Fatbardh Dervisholli, i cili kishte punuar në kompaninë “MC FOOD” si drejtor i shitjes në vitin 2010 deri në vitin 2013 deklaroi se i njihte të akuzuarit që kishin punuar në këtë kompani.

Sipas Dervishollit i akuzuari Izet Sheqiri kishte postin e drejtorit të kompanisë “MC FOOD”, Faton Vrajolli mbante postin e drejtorit të menaxherit të importit kurse i njëjti deklaroi se Kadri Brahimi kishe mbajtur pozitën e depoistit.

Tutje Dervisholli tha se për Kadri Sheqirin nuk e dinte specifikisht se çfarë pozite ka mbajtur por e dinte që nuk kishte punuar në divizionin ku punonte dëshmitari.

“Kadri Sheqirin e njoh, përgjatë kohës që jam kanë unë në “MC FOOD”, nuk e di zyrtarisht çfarë pozite ka qenë por nuk ka qenë në divizionin tim”- tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se lidhur me porosinë e mallit në emër të kompanisë e kishte bërë menaxheri/djetori i importit që në këtë rast ka qenë i akuzuari Faton Vrajolli.

Dëshmitari tutje konfirmoi për prokurorinë se kjo kompani ishte marrë edhe me transportin e mishit të pulës.

Tutje Dervisholli tha se kishte qasje në depon ku ruhen mallrat herë pas here në kohën e numërimit të stokut, por që i njëjti tha tutje se ka pas raste duke mos specifikuar periudha kohore që i është ndaluar qasja në depo nga tashmë i akuzuari Kadri Ibrahimi.

Tutje gjykimi për këtë rast ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares, Arta Sheqiri e cila konfirmoi se të akuzuarin Kadri Sheqiri e kishte bashkëshort.

Dëshmitarja tha se në momentin kur ishte marrë nga hetuesia për t`u intervistuar në prokurori kishte qenë shumë e shqetësuar pasi e kishin marrë nga vendi i punës.

Dëshmitarja u pyet nga prokuroria se sa herë ka kërkuar ndihmë mjekësore për të shkuar te psikiatri i akuzuari Kadri Sheqiri, dëshmitarja u përgjigj se sa herë ka qenë e nevojshme.

Por pas kësaj përgjigje, dëshmitarja u ballafaqua me deklaratën që e ka dhënë në prokurori me përgjigjen “Me sa mua më kujtohet 5 ose 6 herë”.

E njëjta tha se për këto shërbime te psikiatri kanë kontribuar financiarisht vëllezërit dhe motrat e të akuzuarit.

E njëjta u pyet nga prokurori nëse edhe Izet Sheqiri kishte kontribuar për ta dërguar të njëjtin tek psikiatri, dëshmitarja u përgjigj “Po normal se vëlla, s’kena mujt me ja dal e vetme”.

Prokuroria vazhdoi me marrjen në pytje të dëshmitares por që pas një kërkese të prokurorit, Vladet Gashi se ka një urgjencë në prokurori e cila sipas tij u konsiderua si konfidenciale seanca u ndërpre për të vazhduar në janar të vitit 2025.

Ky rast po trajtohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ngadhnjim Arrni, Valon Kurtaj dhe Rrahman Beqiri.

Pesë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale të cilat po u vihen në barrë nga Prokuroria, ndërsa i akuzuari Izet Sheqiri kishte thënë se ndihet fajtor vetëm për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes bashkëpunimit me persona nga shteti i Brazilit duke shfrytëzuar kompaninë “MC Food” kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, dhe në brendi të pakove është vendosur substancë narkotike.

Kjo substancë e llojit kokainë u gjet më 17.05.2021 në sasi prej 400 kilogramësh.

Aktakuza ndaj të akuzuarve është ngritur më 14.11.2022.

Emisioni “Kallxo Përnime” ka transmetuar pamje ekskluzive të aksionit të Policisë me rastin e sekuestrimit të kësaj sasie të drogës.