Foto: KALLXO.com

Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim të Pejës, dëshmitarja rrëfen për vrasjen e prindërve, motrës dhe gjyshes së saj

Në gjykimin e Millorad Gjokoviqit, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, në seancën e së hënës, 20.01.2025, janë dëgjuar dy dëshmitare.

I pandehuri Millorad Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

Dëshmitarja Albina Krasniqi deklaroi se gjatë luftës viteve 1998-1999 ka qenë në fshatin Zahaq, ndërsa në fshatin Ozdrim, në shtëpinë e saj, është kthyer pasi kishte përfunduar lufta.

Dëshmitarja deklaroi se kur ishte kthyer në shtëpi e kishte parë shtëpinë e djegur dhe vendet ku ishin vrarë familjarët e saj.

“Aty e kam pa shtëpinë e djegur, aty u kanë dhoma ku janë vra nana edhe motra. Ka pasë shumë plumba. Edhe në korridor u vra baba dhe gjyshja. Një pjesë e korridorit u kanë krejt e gjakosur” – tha ajo.

Dëshmitarja deklaroi se më 07.05.1999 i ishin vrarë prindërit, motra dhe gjyshja, ndërsa ajo më 17.06.1999  kishte kuptuar për vrasjen e tyre, dhe këtë e kishte kuptuar nga një familjar i saj.

Dëshmitarja Albina Krasniqi tha se trupat se familjarëve të saj ende nuk janë gjetur.

Në pyetjen e prokurores Ajshe Ferati se a e kishte kuptuar se kush kanë qenë vrasësit e familjes së saj, dëshmitarja Krasniqi tha se e ka kuptuar dhe se pjesë e asaj vrasje është edhe i akuzuari Gjokoviq.

“Po, e kam kuptu, ka qenë Çeda, Çedomir mbiemrin nuk e di, pjesë e asaj vrasje është edhe personi këtu”- tha dëshmitarja Krasniqi.

“Pse po mendon që Çedomiri është vrasësi i familjes tuaj?” – ishte pyetja e radhës nga prokurorja Ferati.

“Është shume e qartë, se ai gjithmonë ka qenë kundër familjes time, sepse me prindin tim kanë pasë gjithmonë konflikte, sepse ne jemi kanë kojshi”- u përgjigj dëshmitarja Krasniqi.

Në pyetjen se a e kishte njohur më herët të pandehurin Gjokoviq, dëshmitarja tha se ajo personalisht nuk e ka njohur.

“Nuk e kam njoftë personalisht unë, po e kam njoftë në bazë të fjalëve të babës, se ka qenë një periudhë në vitin 1998, e di saktë që e ka përmend prindi jem që ky personalisht i ka thanë: “Kam me të vra, kam me të zhdukë me familje’”- tha dëshmitarja Krasniqi.

Tutje, dëshmitarja Krasniqi tha se të pandehurin nuk e ka njohur me emër, mirëpo e ka njohur me pseudonimin si “Mici”.

Tutje, në seancë u dëgjua edhe dëshmitarja Elmira Nurkoviq, e cila deklaroi se gjatë vitit 1998 kishte qenë në Mal të Zi, ndërsa në vitin 1999 kishte qenë në Ozdrim në shtëpinë e saj.

Dëshmitarja Nurkoviq deklaroi se më 07.05.1999 kishte qenë në shtëpi me nënën dhe motrën e saj dhe tha se në shtëpinë e saj kishte ardhur një grup i forcave serbe dhe i kishin kërkuar shtëpitë e Krasniqëve.

Dëshmitarja Nurkoviq tha se në ditën e shtatë pas ditës tragjike te shtëpia e Z.K.  kishte parë se kishte ardhur një ‘kombi’, ishin sjellë 4 herë dhe kishin sjellë diçka me thasë.

E pyetur se a e kishte njohur të akuzuarin Millorad Gjokoviq, dëshmitarja Nurkoviq tha së për të kishte dëgjuar dhe e kishte ditur se ku kishte punuar, mirëpo kishte dëgjuar nga një fqinje e saj që i akuzuarit Gjokoviq kishte qenë prezent në ditën kritike, por që ajo personalisht nuk e kishte parë.

Seanca e radhës për këtë çështje penale është e caktuar për më 21.01.2025.

Kjo çështje penale po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj – kryetar dhe dy anëtarët, Arben Hoti dhe Vesel Ismajli.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

Sipas aktakuzës, i njëjti tutje kishte dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe kishte aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kishin rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kishin filluar një ofensivë ushtarake-policore.

Në aktakuzë thuhet se fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit pas plagosjes ishin dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas sipas aktakuzës ishin ekzekutuar dhe ishin varrosur në fshatin Lutogllavë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të pagjetur.

Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “Shupa e Shemit”,  vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim dhe aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse 28 të tjerët i kishin ndarë në tri grupe, i kishin transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku kishte qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se të njëjtit ishin marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kishin dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kishin dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura dhe deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.