Gjykimi ndaj Shalës, dëshmitari i shtatë i Prokurorisë deklarohet në seancë të mbyllur

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet seanca ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala i akuzuar për krime lufte.

Të martën po jep dëshminë e tij, dëshmitari i shtatë me radhë i cili mban kodin nr.1.

Lidhur me këtë dëshmitar Prokuroria ka kërkuar 12 orë kohë që ta merr në pyetje.

Paraprakisht kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia njoftoi palët se dëshmia e këtij dëshmitari do të zhvillohet në seancë të mbyllur për publikun.

Shala po e ndjek procesin gjyqësor nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Krimet për të cilat ngarkohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, ku po mbahet në paraburgim.

Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.