Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmon ish-deputetja Teuta Hadri

Ish-deputetja Teuta Hadri, e cila ka shërbyer si mjeke në UÇK, është dëshmitarja e katërmbëdhjetë e mbrojtjes që po dëshmon në gjykimin e Salih Mustafës në Hagë në lidhje me ngjarjet e prillit të vitit 1999.

Hadri ka shpjeguar se më 16 prill të vitit 1999 ka shkuar në Zllash. Ajo ka treguar se këtë datë e mban në mend pasi mbante një ditar lufte.

“Ishte një fat i madh se unë mbaja ditar lufte, dhe unë shkruaja në ditar çdo ditë për përjetimet e luftës”, tha Hadri.

Ajo ka shpjeguar edhe punën që ka bërë si mjeke në shtab.

“Vendi ishte në shkollën e fshtatit. Ishte ambulanta e ndërtune kishte punu edhe mjeku në kohën përpara luftës dhe kështu që ambulanta ishte adaptuar për ato momente që me ju përshtatë zonës së luftës. Pa hy ende në dhomën time, pacientët ishin shumë të nevojshëm për ndihmën time”, ka deklaruar Hadri.

Në kohë të ofensivës, që sipas Hadrit kishte filluar në mëngjesin e 18 prillit, ishte një kaos i madh.

“Ka qenë vërtetë e tmerrshme ndihma shëndetësore aty, për të ju dhënë ndihmë”, ka thënë tutje Hadri.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.
Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni duke klikuar në LINK