Selatin Krasniqi dëshmon në Gjykatën Speciale në Hagë, 21 prill 2022

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari Krasniqi: Në Zllash nuk ka pasur kamp ndalimi

Dëshmitari Selatin Krasniqi, në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mohuar të ketë pasur ndonjëherë kamp ndalimi në fshatin Zllash të Prishtinës në kohën e luftës.

“Nuk e di ku i ka marr prokuroria këto informata, por në këtë kompleks dhe në fshatin Zllash kurrë nuk ka pasur kamp ndalimi. Nuk e di, ku i ka marrë këto informata prokuroria, nuk e di kush ia ka dhënë dhe seriozisht neve si familje shumë na ka bërë dëm kjo”, ka deklaruar Krasniqi.

Salih Mustafa i njohur me nofkën Komandant “Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Selatin Krasniqi dëshmon në Gjykatën Speciale në Hagë, 21 prill 2022

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata. Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Dëshmitari Krasniqi, familja e të cilit në kohë lufte kishte lëshuar shtëpinë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka mohuar bindshëm të jenë ndaluar ndonjëherë persona në fshatin Zllash.

“Nuk i kam pa, as nuk ka pas”, deklaroi Krasniqi kur u pyet përsëri nga avokati Julius Von Bone si do të reagojë nëse do t’i thuhej se në objekte dhe në kamp pretendohet se janë ndaluar njerëz aty.

Edhe pas shfaqjes së fotografive të ekran, në të cilën përshkruhen si ndërtesa-zona ku mund të jenë ndaluar persona në kohë lufte, dëshmitari mohoi përsëri të ketë pasur kamp ndalimi në fshat.

“Prokuroria ka një hartë që quhet kampi i ndalimit në Zllash, ku shfaqet ky vend si një kamp ndalimi, çfarë reagimi ke për këtë, çfarë mund të thuash, pyeti avokati Von Bone?

“Në këtë kompleks dhe në fshatin Zllash kurrë nuk ka pasur kamp ndalimi”, është shprehur Krasniqi.

Të njëjtën gjë deklaroi edhe për të akuzuarin Salih Mustafa, ku Krasniqi mohoi të ketë dëgjuar ndonjëherë se i akuzuari i Speciales kishte ndaluar ndonjë person.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje nga mbrojtja, dëshmitarit do t’i parashtrohen pyetje nga Zyra e Prokuoririt të Specializuar.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari flet për spitalin e improvizuar në Zllash ku u dërguan të plagosurit