Selatin Krasniqi dëshmon në Gjykatën Speciale në Hagë, 21 prill 2022

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari flet për spitalin e improvizuar në Zllash ku u dërguan të plagosurit

Selatin Krasniqi, dëshmitari i dymbëdhjetë i mbrojtjes po dëshmon në gjykimin e Salih Mustafës në Hagë ku gjatë ditës së enjte ka treguar për spitalin improvizuar në fshatin Zllash të Prishtinës dhe objektet e tjera.

Salih Mustafa i njohur me nofkën Komandant “Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Kurse, dëshmitari Krasniqi në Dhomat e Specializuara të Hagës ka rrëfyer për spitalin e improvizuar në Zllash ku janë sjellur të plagosurit.

Fillimisht dëshmitari komentoi disa fotografi të cilat iu shfaqën në ekran ku komentoi mbi strukturën e shtëpive, hyrjet e daljet, dhomat dhe odën.

“Dikun në ‘98 mes korrikut dhe fillimit të shtatorit, UÇK kërkoi nga prindërit e mi, axha, axhallarët t’ua lirojmë shtëpinë. Personi që ia liruam shpinë ka qenë Rrahman Dini, me pseudonimin ‘Bali’. Më pas, unë si i ri kam mbajt pak armatim, veshmbathje e sene dhe policia serbe e mori vesh në nëntor të 1998. Më arrestoi, por pas dy tre ore baba intervenoi dhe ika e dola në Zllash”, deklaroi Krasniqi.

Pas kësaj ai rrëfeu se familja e tij kishin shkuar në lagjen “Cubaj” ku kanë qëndruar deri në ofensivë. Ndërkaq, në Prishtinë Krasniqi shtoi se ka qëndruar deri më 30 mars ose 1 prill 1999.

Në vijim të gjykimit ai komentoi fotografitë të cilat iu shfaqën në ekran ku sqaroi se në shtëpitë e tyre kanë qëndruar Rrahman Dini, personi me nofkën Shpendi e Isa Kastrati.

“Pasi kam biseduar me prindërit e mi, axhallarët dhe babanë tim personat janë lejuar të qëndrojnë në këtë vend deri në përfundim e luftës më 15 gusht 1998”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, me 1 prill 1999 pas dëbimit nga forcat serbe Krasniqi deklaroi se diku mbi 100 persona, përfshirë këtu gra e fëmijë kanë qëndruar në oborr.

“Kjo shtëpia këtu në Zllash kufizohet me disa fshatra tjerë, edhe prapa këtu numër 1 është një rrugë që të çon në Prapashticë, Keqekollë, Marec, është një rrugë transiti. Kanë qëndruar civilë këtu, 2-3 ditë, i kena përcjellë kush ka pas të afërm në fshat tjetër, kanë ardhur tjerë, e kështu me radhë”, shpjegoi ai.

“Kurse Rrahman Dini i cili ka takuar “Brigadës 153”, kishte qëndruar në odë ku kanë qenë shtretërit dhe me pas ajo ishte shndërruar në spital të improvizuar për të plagosurit e Vitisë së Marecit”, tha ai.

Lidhur me këtë ngjarje me 20 prill 1999, gjatë granatimeve në Viti të Marecit, Krasniqi theksoi se kanë vdekur disa ushtarë e shumë të tjerë ishin plagosur.

“Kur kemi mbërri kah ora 12 e natës aty u kon tmerr, në këto dy dhoma lypshin ndihmë, nuk kishin mundësi infermierët me ju dhanë se s’kishe mundësi të mjaftueshme”, deklaroi ai.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.
Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari Halimi mohon të kenë pasur qasje anëtarë të BIA-s në kampin stërvitor të UÇK-së në Zllash