
Gjykimi ndaj Rexhep Selimit në Hagë, Prokuroria synon përmbylljen e paraqitjes së provave deri më 1 prill 2025
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në atë kohë, Rexhep Selimi ishte arrestuar më 05.11.2020 dhe ishte dërguar në objektet e Hagës nën akuzat për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale të pretenduara se u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës e Cahan, në veri të Shqipërisë.
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjes së tij, Rexhep Selimi u vetëdeklarua “i pafajshëm” – lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar, të dorëzuar më 29 prill 2022.
Deri në nëntorin e vitit 2024 janë dëgjuar rreth 110 dëshmitarë të Prokurorisë, që nga fillimi i administrimit të provave personale. Sipas përgjigjes së Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe rreth 43 dëshmitarë të Prokurorisë pritet të dëgjohen, pastaj do të merren propozimet nga ana e mbrojtjes, nëse ka për të thirrur ndonjë dëshmitar për të dëshmuar.
Më 23.03.2023, në një Konferencë për media, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik e Gjykatës Speciale, diskutoi aspekte të ndryshme lidhur me zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – duke konfirmuar se data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave nga Prokuroria është 1 prill 2025.
Sipas të dhënave që gjenden në uebfaqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës deri më tani janë mbajtur 182 ditë gjykimi në salla të Gjyqit.
Pra, që nga fillimi i gjykimit në vitin 2020 – sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara – janë mbajtur 210 seanca gjyqësore.
Rexhep Selimi gjendet nën masën e paraburgimit që nga nëntori i viti 2020 dhe i njëjti vazhdon të qëndrojë nën këtë masë.
Pra, që nga arrestimi i tyre, janë marrë 18 Vendime që kanë të bëjnë me Vendimin për “paraburgim“. Këto Vendime për “paraburgim” kanë kohëzgjatjen prej 2 muajsh.
Selimi mund të lirohet nga masa e paraburgimit në rast se Prokuroria nuk paraqet Kërkesë për t’i vazhduar paraburgimin ose në rast se Gjykata nuk i sheh të arsyeshme pretendimet e Prokurorisë për t’i vazhduar paraburgimin, ose në rast se mbrojtja bën Kërkesë për t’u ndryshuar masa e paraburgimit.
“Pas ngritjes së aktakuzës dhe deri në shpallje të Aktgjykimit apo seancën për caktimin e dënimit, nëse ka të tillë, paraburgimi mund të caktohet, të vazhdohet ose të hiqet vetëm me Aktvendim të gjyqtarit të vetëm gjykues, Kryetarit të Trupit Gjykues ose Trupit Gjykues në seancë. Gjyqtari i vetëm gjykues ose Kryetari i Trupit Gjykues së pari dëgjon mendimin e Prokurorit të Shtetit dhe mendimin e të pandehurit ose mbrojtësit. Kundër Aktvendimit, palët kanë të drejtë ankese. Neni 186, Paragrafët 3 dhe 4 të këtij Kodi zbatohen përshtatshmërisht.” – thuhet në Nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale.
Rexhep Selimi mund të lirohet nga paraburgimi në rast se pushojnë shkaqet për ndikim në dëshmitarë ose në zhdukje të provave, nëse nuk paraqitet rreziku për të përsëritur veprën penale apo duke u bazuar në rëndësinë e veprës penale. Por, lirimi nga paraburgimi nuk nënkupton që Selimi ka Aktgjykim lirues nga ndjekja penale. Paraburgimi është vetëm masë për ta siguruar prezencën e të akuzuarit në procedurë penale.
“Gjykata mund të caktojë paraburgim ndaj një personi vetëm nëse në mënyrë të qartë ka gjetur se: ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale, kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij, kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, të fshehë, të ndryshojë ose të falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit; ose, kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryejë.” – thuhet në Nenin 184 të Kodit të Proceudrës Penale, që flet për paraburgim.
Ndaj Selimit dhe të bashkakuzuarve Gjykata vjen në shpallje të Aktgjykimit, pasi të kalojnë disa prej fazave të procedurës penale.
Së pari, meqë rasti i Selimit dhe të tjerëve gjendet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve, duhet të përfundohet kjo fazë, të vazhdohet me administrimin e provave materiale, tutje të japin mbrojtjen të akuzuarit, në procesin e fundit jepen fjalët përfundimtare dhe vetëm tri ditë pasi të jepen fjalët përfundimtare bëhet shpallja e Aktgjykimit.
“Pasi Gjykata merr Aktgjykimin, gjyqtari i vetëm gjykues ose Kryetari i Trupit Gjykues e shpall menjëherë. Kur Gjykata nuk ka mundësi që në të njëjtën ditë pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor ose të seancës për caktimin e dënimit të marrë Aktgjykimin, shpalljen e Aktgjykimit e shtyn më së shumti tri (3) ditë dhe e cakton kohën dhe vendin e shpalljes së Aktgjykimit.” – thuhet në Nenin 365 të Kodit të Procedurës Penale.
Përkundër faktit që Selimi vazhdon të mbetet në paraburgim, në “TikTok” në vazhdimësi janë publikuar video për gjykimin e tij dhe pretendimet se i njëjti do të lirohet së shpejti (shih: këtu, këtu dhe këtu).
Aktakuza
Sipas kësaj aktakuze, pjesëtarë të UÇK, gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer “krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit” – duke arrestuar e ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar e zhdukur.
Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.
Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Xhek Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre. Mirëpo, kishin nxitur kryerjen e tyre.
Në këtë aktakuzë, thuhet se Thaçi e të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK përmes deklaratave publike e veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë e kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e aktakuzës 68 faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.
Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe të Shqipërisë. Sipas Prokurorisë, ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.
Në aktakuzë, thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK.
Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera, të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK në Jabllanicë.
Përpos vrasjeve në Jabllanicë, në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.
Aktakuza, tutje, pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.
Aty përshkruhen edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë, gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.
Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës, në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.
Prokuroria e Specializuar, në këtë aktakuzë, nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe Qendrën e Paraburgimit në Kleçkë.
Në këtë lokacion – sipas Prokurorit të Specializuar – gjashtë persona ishin dërguar e ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Një tjetër person – sipas aktakuzës – kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.
Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata – sipas aktakuzës – ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK në shtëpitë e tyre dhe nuk ishin parë kurrë më.
Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.