Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, viktimat nuk do të udhëzohen për padi në Gjykatat e Kosovës

Gjykata Speciale në rastin e Pjetër Shalës ka vendosur që viktimat të mos i referojë për padi në Gjykatat e Kosovës por për ta të merret urdhër për dëmshpërblim.

Trupi gjykues më tej ka theksuar se procedurat për dëmshpërblim dhe ato penale do t’i zhvillohej njëkohësisht në këtë çështje.

Pjetër Shala po akuzohet se ka kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së. Prokuroria pretendon se ai ka ndalur persona të ndryshëm në qeli të cilët i ka keqtrajtuar dhe rrahur me mjete të ndryshme.

“Paneli vendos që: a) të zhvillohen procedurat e dëmshpërblimit dhe procedurat penale njëkohësisht në rastin konkret; (b) në rast të një dënimi, ai nuk do t’i referojë viktimat në proceset gjyqësore civile në gjykatat e Kosovës në pajtim me nenin 22(9) të Ligjit dhe rregullin 167 të Rregullores, por nxjerrin një Urdhri për dëmshpërblim në përputhje me nenin 22(8) dhe 44(6) të ligjit”- thuhet në vendim.

Në bazë të raporteve të ekspertëve, paneli i gjykatës ka arsyetuar se gjykatat në Kosovë nuk ofrojnë një rrugë realiste për viktimat e krimeve të supozuara për të kërkuar dëmshpërblime.

“Paneli rikujton se në bazë të raporteve të ekspertëve të dorëzuara për këtë çështje në rastin 05, gjykatat kombëtare në Kosovë nuk ofrojnë një rrugë realiste për të viktimat e krimeve të supozuara për të kërkuar dëmshpërblime dhe, nëse do të kishte reparacione të dhëna me aktgjykime të nxjerra nga gjykatat kombëtare në Kosovë, që të ketë të tilla aktgjykimet e ekzekutuara”- sqarohet në vendim.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge ku dhe është duke qëndruar në paraburgim.

Shala akuzohet për krimet të cilat supozohet se u kryen midis majit dhe qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në një fabrikë në Kukës të Shqipërisë.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020 e të redaktuar më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Sipas aktakuzës Pjetër Shala akuzohet së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Në aktakuzë përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Tutje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK