Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, dëshmitarja e mbrojtur rrëfen për 'përjetimet e burrit të saj'

Dëshmitarja identiteti i të cilës nuk është bërë i ditur ka përshkruar torturat dhe pasojat që ka pasur burri i saj gjatë mbajtjes në fabrikën e metaleve në Kukës.

Të mërkurën në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar të mbahet seanca ndaj ish-pjesëtrait të UÇK-së, Pjetër Shala i akuzuar për krime lufte.

Dëshmitarja ka deklaruar se burri ka pasur gjendjen e rënduar pasi është liruar nga fabrika e metaleve në Kukës.

“Ka fituar sëmundjen e sheqerit, trauma dhe trajtime të vazhdueshme mjekësore, kurse në aspektin emocional ka qenë shumë rëndë… Pas disa viteve ka fituar edhe sëmundje të tjera, nga diabeti humbi të pamurit, pastaj kishte probleme dhe me prostatën, pastaj edhe veshkat, sepse është keqtrajtuar shumë keq në fabrikën e metaleve në Kukës. E nga ato tortura ka fituar këto sëmundje”- u shpreh ajo.

Dëshmitarja ka përshkruar edhe halucinacionet që atij i ishin shfaqur.

“Halucinacionet i kishte nga torturat. Gjatë natës, menjëherë sa i vinte gjumi, thoshte, ku jemi. I thërriste djemtë, e thoshte, ku janë? Kishte probleme, thoshte ku jemi? I thoshim se jemi në shtëpi. Sapo shihte ato ëndrra, ngrihej nga shtrati, çohej, ulej në shtrat, ngrihej në këmbë e nuk mund të rrinte shtrirë”- u shpreh dëshmitarja.

Dëshmitarja rrëfeu se vajzat e saj për shkak të sigurisë e kanë ndërprerë shkollimin.

“Jo, nuk kanë mundur ta vazhdojnë shkollën për shkak të sigurisë, sepse ishim sikur të përcjellur për rastin që ka ndodhur, sepse e kemi paraqitur rastin në EULEX, KFOR dhe vajzat e kanë ndërprerë shkollimin për shkaqe sigurie”- tha dëshmitarja.

Dëshmitarja ka pohuar deklaratën e dhënë dje se Pjetër Shala i kishte thënë burrit të saj se ka qenë tek shtëpia në maj të vitit 1998.

“Burri e mësoi se ishte Pjetër Shala, menjëherë pas kalimit të kësaj ngjarjeje, pas një ose dy jave, duke kërkuar të di, sepse të tjerët nuk i kemi njohur. Por vetëm ata dy që kanë hyrë në oborr. Burrit i kanë thënë se ka qenë Pjetër Shala, por nuk e di kush i ka thënë atij. E këtë burrit ia ka thënë edhe vetë Pjetër Shala, sa është mbajtur burri im në fabrikën e metaleve në Kukës”- ka deklaruar ajo.

Dëshmitarja pohoi se ishte burri që e ka mësuar emrin e Pjetër Shalës, e ata që i kanë treguar për të, i kanë thënë edhe për pseudonimin e Shalës që e kishte “Ujku”.

Dëshmitarja e cila filloi të deklarohej që nga dita e djeshme sot e përfundoi dëshminë e saj.

Pjetër Shala i njohur me nofkën Komandant “Ujku” po  akuzohet për krime lufte.

Krimet për të cilat ngarkohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, ku po mbahet në paraburgim.

Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.