Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, dëshmitari rrëfen për shtabin ku ka qëndruar
Dëshmitari i Prokurorisë Speciale para trupit gjykues ka rrëfyer se ka qëndruar në një shtab ku është takuar me Pjetër Shalën.
Të martën në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet seanca ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala i akuzuar për krime lufte.
Krimet për të cilat prokuroria e ngarkon Shalën pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej nga UÇK.
Dëshmitari i shtatë me shifrën TW4-01 ka përshkruar shtabin ku ai pretendon se ka qëndruar për disa ditë.
“Unë kam qenë të magazina, shtabi ku kam qenë në anën e majtë kanë qenë zyret. Në fund ka qenë kuzhina në anën tjetër të majtë, në të djathë ka qenë dhoma ku kam qenë i mbyllur ku më kanë çu në ato dhomat”- deklaroi dëshmitari.
TW4-01 më tej në fotografinë e cila nuk ishte e qasshme për publikun identifikoi ndërtesat dhe derën kryesore të shtabit.
Në ditën e dytë dëshmitari deklaroi se ka qëndruar me Pjetër Shalën dhe persona të tjerë ku kanë luajtur me letra.
“Ditën e dytë kena ndejt me të njëjtit njerëz, janë konë të policisë ushtarake dhe policisë tjetër, ka mbrëmja kemi lujt letra dhe kemi fjet”- shpjegoi ai.
Dëshmitari sqaroi se aty ka pasur dhe një magazinë të ushqimit.
“I kam pa, ka qenë në magazinën tjetër të ushqimit, një person i Drenicës… se di si e ka emrin”- rrëfeu ai.
Dëshmitari i mbrojtur tutje tregoi se në magazinë kanë qenë edhe tre rom të cilët i kishte parë ditën e tretë.
“Të tretën ditë i kam pa romët”- pohoi TW4-01.
Dëshmitari i Prokurorisë përshkroi dhe profesionin e romëve duke iu referuar se ata i binin tupanit.
“Janë kon me tupanë me surle me këto gjana”- tha ai.
Krimet për të cilat ngarkohet Shala pretendohet u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.
Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.
Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.
Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, ku po mbahet në paraburgim.
Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.