Gjykimi ndaj Pjetër Shalës: Dëshmitari rrëfen për rrahjet në shtabin e Kukësit dhe praninë e Sabit Gecit

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, po zhvillohet gjykimi kundër Pjetër Shalës, ish-pjesëtarit të UÇK-së, i cili është i akuzuar për krime lufte.

Të mërkurën, dëshmitari i shtatë me radhë, i cili mban kodin TW4-01, po jep dëshminë e tij ku ky dëshmitar ka filluar të deklarohet që nga dita e martë.

Dëshmitari i mbrojtur ka rrëfyer për rrahjet që ndodhën në shtabin e Kukësit, ku Sabit Geci ishte i pranishëm.

“500 herë kena pas rrahje, kanë ardhë do e herë do tjerë, me emra po harroj. Na kanë rrah me shuplaka, se i kanë detyruar me i sjellë njani-tjetrit, atë ditë ka qenë Sabiti aty, se për tjerët po harroj kush ka qenë. Sabiti nuk i ka ra askujt, po kanë sjellë këta tjerët, se nuk ka pas karrige ku m`u ulë…se ka qenë invalid…”- ka deklaruar ai.

Në vazhdim, dëshmitari ka treguar se Geci kishte një nofkë të veçantë, “Qopa”, e cila nënkuptonte që ai ecte pak shtremb.

“E kanë thirre ‘Qopa’, edhe unë e kam thirr ashtu gjithmonë prej se e njoh’’- tha dëshmitari.

Dëshmia e këtij dëshmitari po bëhet në seancë të mbyllur për publikun dhe vetëm një pjesë e dëshmisë po zhvillohet e hapur.

Paraprakisht, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Fogliaka, ka diskutuar në lidhje me pranimin ose mospranimin e dëshmisë dhe deklaratës me shkrim të një dëshmitari në vend të dëshmisë së dhënë në prezencë fizike.

“Trupi gjykues synon të marrë vendim për kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) pas dëshmisë së dëshmitarit 1, duke marrë parasysh disa situata të ndryshme”- ka arsyetuar Foglia.

Pjetër Shala po e ndjek procesin gjyqësor nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Krimet për të cilat ngarkohet Shala pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që sipas Prokurorisë u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, ku po mbahet në paraburgim.

Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.