Gjykimi i Pjeter Shales, Deshmitari i mbrojtur TW4-07

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës - Dëshmitari: Pas lufte nuk me kanë pranuar si polic në Kosovë

Dëshmitari TW4-07 ka deklaruar se pas lufte për të dhe vëllezërit e tij nuk ka pasur perspektivë më në Kosovë.

Të enjten në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar të mbahet seanca ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala i akuzuar për krime lufte.

Krimet për të cilat prokuroria e ngarkon Shalën pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej nga UÇK.

Dëshmitari i mbrojtur ka deklaruar se për të dhe vëllezërit nuk ka pasur perspektivë në Kosovë pasi kanë hasur vështirësi që të punësohen.

“Perspektiva është që nuk kemi pas mardhënie pune. Vëllai madh ka qenë polic dhe mandej në ‘96 apo ‘97 u largu se e ka ndi vetën jo të sigurt”-shpjegoi dëshmitari.

TW4-07 pohoi se e gjitha kjo ishte për shkak të asaj që i ndodhi babait. I njëjti rrëfeu se kishte aplikuar që t’i bashkohej forcave të Policisë së Kosovës, por nuk ishte pranuar.

“Kam qenë edhe unë për polic, më ka dal emri që jam pranuar, pastaj e kanë tërhequr. Ka dal emri e ka pa edhe vëllai madh që ka qenë polic por e kanë heq”- tha dëshmitari.

Me këtë ai konsideroi se ia kanë ndaluar të drejtën që t`i bashkoheshin forcave të Policisë në Kosovë.

“Më ka dal emri, e ka pa vëllai madh pastaj e kanë hekë emrin që del publikisht kush u pranu”- përsëriti dëshmitari i mbrojtur.

TW4-07 për gjykatën bëri të ditur se pas luftës nuk ka punuar askund.

“Pas luftës s’kam punuar askund”- deklaroi ai.

Dëshmitari TW4-07 sot e ka përfunduar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Hagës. Gjykimi po vazhdon me dëshmitarin e radhës, TW4-09.

Pjetër Shala i njohur me nofkën Komandant “Ujku” po  akuzohet për krime lufte.

Krimet për të cilat ngarkohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, ku po mbahet në paraburgim.

Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.