Gjykimi ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve, të akuzuarit këmbëngulin në pafajësi

Në Gjykatën e Prishtinës, ka vazhduar seanca e radhës ndaj Liburn Aliut, ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me Aliun, në këtë rast po akuzohen edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Mimoza Berisha-Prestreshi, Zejnulla Rexhepi dhe Bahtie Uka.

Në seancën e sotme mbrojtja ka paraqitur kundërshtimet për provat dhe ka kërkuar që të hedhet aktakuza e ngritur për të akuzuarit.

Mbrojtësi i ministrit Liburn Aliu, Fatlum Podvorica ka thënë se është informuar dhe se ka konfirmim se lidhur me ngastrën kadastrale, me numër 413/3 është duke u zhvilluar procedura kontestimore, rreth vërtetësisë së pronësisë.

 

“Sot jam informuar dhe kam konfirmim se lidhur me ngastrën kadastrale, me numër 413/3 është duke u zhvilluar procedura kontestimore, lidhur me vërtetimin e pronësisë. Procedura administrative e cila është zhvilluar sipas kërkesës së Dan Imerit, të paraqitur në Komunën e Prishtinës, nuk është dashur fare të zhvillohet për arsye se kemi të bëjmë me çështje paraprake dhe këtë shprehimisht e parasheh neni 85 i Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative. Ky nen, përcakton se kur organi publik zhvillon procedurë, hasim në çështje zgjidhja e së cilës është parakusht për zgjidhjen e çështjes kryesore, e cila përbën një çështje juridike të pavarur, për zgjidhjen e së cilës është kompetente një Gjykatë apo organ tjetër”, tha avokati Podvorica.

“Organi publik, në rastin konkret Komuna e Prishtinës, do të duhej të pezullojë çështjen deri në vendosjen e çështjes paraprake, Gjykatës t’i dorëzoj kopjet e aktvendimit për masë të përkohshme ndaj ngastrës në fjalë”, shtoi avokati Podvorica.

Ai po ashtu shtoi se aktakuza e ngritur ndaj ministrit Aliu, është ngritur pas kalimit dy vjeçar të hetimit dhe kjo është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, e kjo për arsye se kallëzimi penal është dorëzuar më 23 prill 2018, ndërsa aktakuza është ngritur më 27 korrik 2020.

Ministri Liburn Aliu tha se, plani rregullues urban është miratuar me 2 tetor 2013, ndërsa plani zhvillimor urban është miratuar me 24 shtator 2013.

“Ky plan rregullues urban është miratuar më 2 tetor 2013, që i bie pas planit zhvillimor urban që është miratuar më 24 shtator 2013. Çfarëdo lloj dokumenti i planifikimit hapësinor i nivelit lokal, qoftë ai plan rregullues urban, komunal dhe lokal, i nënshtrohen 3 herë vendimeve të Kuvendit Komunal”, tha Aliu.

“Arsyeja e refuzimit të kërkesës është se Dan Imeri ka kërkuar ndërtim për banim individual, ndërsa me planin rregullues urban Prishtina e re – zona perëndim parashihet shkollë, ambulancë dhe çerdhe. Plani rregullues urban është plani me të cilin jepen lejet, drejtoria jonë ka punuar me këtë plan. Nëse s’ka plan rregullues urban për një zonë, shërbehemi me plan zhvillimor urban, por në këtë rast ka pasur plan rregullues urban”, shtoi Aliu.

Mbrojtësi i Ardian Ollurit, Arbër Istrefi tha se në këtë rast aktakuza e vë interesin individual në atë të përgjithshëm.

“Në këtë rast aktakuza e vë interesin individual në atë të përgjithshëm. Fakti se vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) nuk është vendim përfundimtar, e ka vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti administrativ kur ka vendosur lidhur me padinë e Komunës së Prishtinës, si paditëse në konflikt administrativ për anulimin e vendimit të MMPH. Me këtë aktvendim Gjykata me vendim të datës 3 mars 2018, dhe e hedhë poshtë padinë e Komunës së Prishtinës si të palejuar”, tha avokati Istrefi.

Avokati i Mimoza Berisha-Prestreshit, Florim Vërtopi tha se, Dan Imeri e ka nënshkruar pa autorizim kallëzimin penal.

“Kallëzimin penal të parin e ka nënshkruar Dan Imeri, pa autorizim, mbi këtë bazë në start Prokuroria është dashur që ta hedhë këtë kallëzim penal. Vendimin për refuzim, Mimoza e ka nënshkruar 2 ditë pasi që është punësuar, nuk e ka njoftë as Dan Imerin, e në këtë rast ka pasur qëllim për përfitim nga ana tjetër e jo nga ana e të pandehurve”, tha avokati Vërtopi.

Tutje ai tha se lidhur me ngastrën në fjalë, ka pasur gjykime dhe më herët.

Ndërsa avokatët e tjerë mbështetën avokatët parafolës.

Prokurorja e rastit, Dulina Hamiti kërkoi që kërkesat e avokatëve të refuzohen si të pabazuara dhe brenda afatit ligjor, të caktohet shqyrtimi gjyqësor lidhur me këtë rast.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në korrik 2020 ka ngritur aktakuzë kundër Liburn Aliut, Ardian Ollurit, Zejnulla Rexhepit, Nazife Krasniqit, Bahtie Ukës dhe Mimoza Berishës – Prestreshit, të cilët akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar.

Kurse, Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha – Prestreshi, Prokuroria i akuzon edhe për veprën ‘Mosekzekutim të vendimeve Gjyqësore’.

Sipas aktakuzës, të lartë-cekurit Olluri, Uka dhe Berisha – Prestreshi, në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizimit në Komunën e Prishtinës, nuk e kanë zbatuar vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e gjithashtu as vendimin e Gjykatës së Apelit.

Aktakuza thotë se të pandehurit, Liburn Aliu, Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi, kanë nxjerrë dy vendime duke mos e zbatuar Planin Zhvillimor Urban, si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” zona perëndim që ka paraparë ndërtim individual për banim.

Prokuroria pretendon, se me qëllim që t’u shkaktohet dëm të dëmtuarve, të pandehurit e kanë refuzuar si të pabazë kërkesën e tyre për lejimin e kushteve ndërtimore të të dëmtuarve, për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit në kuadër të bllokut urban ”1-1” dhe “1-2” të tërësisë hapësinore “I” të Planit Rregullues Prishtina e Re Zona Perëndim.

Në aktakuzë përshkruhet edhe rrjedha e ngjarjeve që ka rezultuar me ngritjen e aktakuzës.

Historiku i Çështjes

Prokuroria në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal nga të dëmtuarit, kundër të akuzuarve të lartëpërmendur, e kështu ka nisur edhe hetimi ndaj të njëjtëve.

Drejtoria e Urbanizimit nuk i ka respektuar rekomandimet e Ministrisë dhe kanë refuzuar kërkesën për lejimin e kushteve ndërtimore.

Kështu, pronarët e parcelave kanë paraqitur ankesë në Ministri, e cila ka nxjerrë vendim që shfuqizon vendimin e Drejtorisë së Urbanizimit, dhe ka obliguar atë që të veprojë në bazë të vendimit të Ministrisë.

Përsëri, Drejtoria me vendim, refuzon kërkesën e pronarëve të parcelave, të cilët ankohen në Ministri dhe kjo e fundit ua pranon atë ankesë, duke shfuqizuar vendimin e Drejtorisë së Urbanizimit.

Kundër vendimit të Ministrisë, Komuna e Prishtinës, ka iniciuar konflikt administrativ në Gjykatë, me kërkesë për anulimin e vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe me kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të këtij vendimi të kësaj Ministrie.

Gjykata me datë 08.11.2017 ka nxjerrë vendim me të cilin e ka refuzuar si të pabazuar propozimin e Komunës së Prishtinës lidhur me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kundër vendimit të shkallës së parë, Komuna është ankuar në Apel, e cila me aktvendim ka refuzuar ankesën e paditëses dhe e ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë.

6 muaj pas vendimit të Ministrisë, arkitekti Zejnulla Rexhepi dhe Nazife Krasniqi, shefe e sektorit të Urbanizimit, në janar 2018, kanë përpiluar një njoftim publik dhe kanë vendosur në parcelë dhe në rrugë publike në distancë prej 50 metra nga kufijtë e parcelave të kadastrave, për të cilët të dëmtuarit kanë kërkuar kushtet ndërtimore dhe qytetarët kanë pasur 5 ditë kohë që të paraqesin ankesa apo komente, mirëpo asnjë nuk është paraqitur.

Përkundër kësaj, Drejtoria e Urbanizmit nuk vazhdon procedurë për nxjerrjen e vendimit për caktimin e kushteve ndërtimore, por në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Drejtoria e refuzon kërkesën për caktimin e kushteve ndërtimore.

Ky vendim i Drejtorisë, është nënshkruar nga Ardian Olluri – drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Bahtie Uka – arkitekte e Drejtorisë së Urbanizimit dhe nga ushtruesja e detyrës së shefes së sektorit të Drejtorisë së Urbanizmit.

Me këtë vendim, Drejtoria ka refuzuar kërkesën e pronarëve të parcelave për lejimin e kushteve ndërtimore dhe po kundër këtij vendimi pronarët e parcelave kanë bërë ankesë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kjo ministri në korrik të 2018, ka nxjerrë vendim, me të cilin vendimin e Drejtorisë së Urbanizmit e ka shpallur të pavlefshëm. Nga ky vendim, të akuzuarit e rastit prapë kanë filluar ta trajtojnë lëndën nga fillimi.

Në bazë të këtyre veprimeve Prokuroria me aktakuzë pretendon se të pandehurit, të dëmtuarve u kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Sot pritet të mbahet seanca e radhës ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve