Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon me seancë të mbyllur

Mëngjesin e sotshëm ka filluar seanca e radhës e mbyllur e Dhomava të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së po vazhdojnë të përballen me akuza për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit me ç’rast ka vazhduar dhënien e dëshmisë dëshmitari i dytë.

Hapjen e seancës siç ka ndodhur rëndom e ka bërë gjyqtari kryesor Çharles Smith III, i cili menjëherë i’a ka kaluar fjalën mbrojtjes së Thaçit për të filluar marrjen në pyetje të dëshmitarit të dytë që po dëgjohet, atij që gjykata po i referohet me shifrën 02652.

Mbrojtja e Thaçit ishte pritur ta merrte qysh dje në pyetje dëshmitarin me shifër 02652 por koha e mbetur pas përfundimit të marrjes në pyetje të këtij dëshmitari nga ana e prokurorisë, mundësoi që vetëm mbrojtësi i viktimave ta kishte këtë mundësi për ditën e djeshme.

Kujtojmë se ky dëshmitar kishte deklaruar se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga vitet ’90 dhe se po ashtu ishte angazhuar gjatë luftës në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në rastin e titulluar nga gjykata si “Thaçi et al” (në shqip: Thaçi dhe të tjerët) gjykata po gjykon Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin me pretendimin e prokurorisë se këta kanë qenë të përfshirë në krime të cilat kanë ndodhur së paku prej marsit të vitit 1998 e deri në shtator të vitit 1999 në disa lokacione në Kosovë dhe edhe pjesën veriore të Shqipërisë në Kukës e Cahan.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Më 22 korrik 2021, gjyqtari i procedurës paraprake pranoi pjesërisht mocionet e mbrojtjes dhe urdhëroi prokurorinë të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, ndër të tjera, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krimet me dashje të veçantë. Prokuroria e ngriti aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021.

Më 23 dhjetor 2021, gjyqtari i procedurës paraprake i dha leje prokurorisë për të ndryshuar aktakuzën në mënyrë që të përfshijë një sërë pretendimesh të reja. Më 22 korrik 2022, gjyqtari i procedurës paraprake pranoi, pjesërisht, kërkesën e mbrojtjes së Thaçit që pretendonte për defekte në aktakuzën e fundit dhe urdhëroi prokurorinë që të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar më tutje, me informacion shtesë për akuzat aktuale.

Më 29 shtator 2022, gjyqtari i procedurës paraprake pranoi kërkesën e prokurorinë për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt nga aktakuza e cila u ngrit më 30 shtator. 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës është ngritur më 27 shkurt 2023.

Të katër akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në lidhur me pretendimet e prokurorisë së Speciales. 140 viktima sipas pretendimeve të Prokurorisë pritet të dëshmojnë në këtë rast.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni në LINK