Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon në seancë të mbyllur
Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, të akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit, edhe seanca e sotme po zhvillohet e mbyllur.
Në këtë seancë po vazhdon dhënien e dëshmisë dëshmitari i Prokurorisë me kodin W04489, i cili e ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur.
Në përmbledhjen që është dhënë më 17 janar, për këtë dëshmitar është thënë se është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë dhe zhdukur në Drenoc.
Ai në dëshminë e tij e tij është duke dhënë informacione lidhur me këtë viktimë, herën e fundit që e kanë parë dhe përpjekjet që ka bërë familja për ta gjetur të njëjtin.
Në seancën përgatitore, ky dëshmitar kishte bërë ndryshime në intervistimin e tij, për të cilën nuk pati kundërshtime nga askush në gjykatë, dhe ky ndryshim u mor të trajtohet në shkresat e lëndës.
Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27 shkurt 2023.
Aktakuza fillestare kundër tyre u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.
Secili prej të akuzuarve është i akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.
Krimet e pretenduara, sipas Prokurorisë, janë kryer në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë, nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999. Lidhur me këto akuza, ata janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjen e tyre para Gjykatës.
Gjykimi ndaj tyre kishte filluar më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë rast janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.
Të akuzuarit ishin vendosur në paraburgim në Hagë në nëntor të vitit 2020 dhe vazhdojnë të jenë akoma nën këtë masë.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.