Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i vazhdohet paraburgimi Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara, informoi të enjten në një seancë të përcjellë nga mediat në platformën ‘Zoom’ se do t’i vazhdohet masa e paraburgimit Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Në të njëjtën çështje gjyqësore, trupi gjykues më 17 maj 2023 ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit me vendim përkatës për secilin” – tha Doyle.

Zëdhënësi Doyle më tej bëri të ditur se në çështjen e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitarët e pestë, të gjashtë dhe të shtatë, të thirrur nga Prokuroria, kanë përfunduar dëshmitë e tyre këtë javë.

Një pjesë e dëshmive u paraqitën në seancë private, ndërsa një pjesë në seancë publike.

Vendimi i Trupit Gjykues për të mbajtur disa pjesë të gjykimit në seancë private merret rast pas rasti dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e sigurisë dhe identitetit të dëshmitarëve dhe viktimave.

Me përfundimin e dëshmive të dëshmitarit të shtatë të martën, seancat gjyqësore për këtë javë kanë përfunduar dhe do të rifillojnë të hënën, më 12 qershor në orën 09:00.

Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 18 maj Trupi Gjykues pjesërisht ka miratuar mocionin e përbashkët të ekipeve të Mbrojtjes, me të cilin i kërkuan Trupit Gjykues të bëjë konstatim gjyqësor për disa fakte të gjykuara më parë nga gjykata në Kosovë dhe TPNJ-ja.

Mw 18 maj, kryetarja e DHSK-së Ekaterina Trendafilova ka emëruar Panelin e Gjykatës së Apelit për të shqyrtuar apelin e paraqitur nga z. Thaçi, z. Selimi dhe z. Krasniqi në lidhje me pyetjen e dëshmitarëve nga Trupi Gjykues. Paneli i Apelit përbëhet nga gjykatësja Mishelë Pikar, gjykatësi Kai Ambos dhe gjykatësja Nina Jorgensen.

Më 23 maj, Trupi Gjykues ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për shtimin e pesë materialeve që lidhen me një dëshmitar ekspert në listën e provave materiale të kësaj çështjeje gjyqësore.

Në mes tyre përfshihet një aktekspertizë forenzike e ADN-së dhe një analizë e përditësuar e ADN-së në lidhje me një viktimë të vrarë që përmendet me emër në aktakuzë. Lista e provave materiale të Prokurorisë duhet të dorëzohet deri më 30 maj 2023.