Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Dëshmitari i Prokurorisë rrëfen për vrasjen e një personi

Dëshmitari i pestë, i identifikuar me numër 3165 ka rrëfyer për një pretendim të tij për kidnapimin dhe vrasjen e një personi.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohet seanca kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të hënën dëshmitari i Prokurorisë Speciale ka dëshmuar për kidnapimin dhe vrasjen e një personi, referuar me numër 1.

Në lidhje me kidnapimin, dëshmitari ka bërë të ditur se burrat e maskuar morën numrin 1, 2 dhe 3 nga fshati.

Megjithëse dëshmitari nuk ka qenë prezent gjatë momentit kur personi numër 1 u vra, ai ka pretenduar se ka gjetur trupin e tij të vrarë dhe një letër pranë tij.

Fillimisht dëshmitari i mbrojtur ka shpjeguar se disa burra të veshur me tesha të zezë, uniformë të UÇK-së e me maska e kanë kërkuar personin numër 6.

“E kanë kërkuar personin me numër 6 dhe nuk e kanë lënë me dalë më andej, nuk e di pse e kanë kërkuar dhe e kanë marrë numrin 1. Me zbutë situatën, ka thënë hajde shkojmë te unë edhe e bi numrin 6, bisedojmë në odë. Çka do që doni bisedojmë aty” – ka thënë dëshmitari 3165.

Dëshmitari më pas shtoi se për këtë ngjarje me bashkëfshatarët ka diskutuar vetëm pas luftës.

“Kena bisedu veç rreth vrasjeve kena bisedu. Qysh ka ndodhë rasti, qysh e kanë marrë. Për këto kemi bisedu, pas vrasjes kemi diskutu, se para vrasjes nuk kena mujt” – ka deklaruar ai.

Njëri nga avokatët mbrojtës më tej ka kërkuar qartësim mbi faktin se, megjithëse është e pranuar se burrat e maskuar kanë kidnapuar personin në fjalë, nuk dihet nëse ata janë të njëjtët individë përgjegjës për vrasjen e tij.

Por dëshmitari pretendoi se burrat me maska kanë marrë jo vetëm personin numër 1, por edhe personat numër 2 dhe 3 dhe më pas e kanë kryer vrasjen e personit 1.

“Njerëzit me maska e kanë marrë numrin 1, 2 dhe 3. Pastaj 2 dhe 3 i kanë zbrit, dhe e kanë bërë vrasjen e personit 1” – ka thënë dëshmitari.

Avokati ka kërkuar qartësim nga dëshmitari nëse ai është i sigurt në 100% se burrat e maskuar që morën personin numër 1 janë të njëjtët që e kanë vrarë.

“Ti nuk e di 100% se ky që mori personin 1 janë të njëjtit që e kanë vrarë?” – ka pyetur njëri nga avokatët.

“Nuk kam qenë prezentë, kur kam shkuar e kam gjetur të vrarë, edhe letrën e kam gjetur aty”-tha dëshmitari.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani,140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Rasportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.