Gjykimi ndaj ish drejtorit të KF “ Kosova “ – Gjykata cakton ekspertizë financiare

Gjykata e MitrovicëS ka caktuar ekspertizën financiare në rastin ku po gjykohet ish-drejtorit i klubit të futbollit KF “Kosova”, Agron Selimi

Selimi nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohet se gjatë kryerjes së detyrës së tij zyrtare si drejtor i klubit të futbollit ka përvetësuar mbi 19 mijë euro.

Trupi gjykues me kryetar Bekim Veliqi, kanë marr aktvendim me anë të se cilit kanë caktuar që për seancën e ardhshme të caktohet një ekspertizë financiare që të bëhet një sqarim më i hollësishëm lidhur me faturat e lëshuara dhe të marra nga shteti i Zvicrës që janë në shumë prej 23.137,30 franga dhe përmbledhjen e faturave të tjera që kapin shumën prej 7.972 euro.

Po ashtu gjatë kësaj seance është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit ish-trajneri i klubit futbollistik Besnik Kollari.

Duke u përgjigjur ne pyetjet e prokurorit Njazi Rexha, dëshmitari Kollari ka thënë se kishte dëgjuar për donacionin të cilën PTK-ja do t’ia dhuronte klubit futbollistik, por ka shtuar se nuk kishte qenë në dijeni se tani i akuzuari Selimi ka përvetësuar një pjesë të tyre.

“ Po është diskutuar që ka pasur një donacion… Nuk e di, është fol për një donacion por nuk e di si janë marr a qysh“, ka thënë dëshmitari.

Kurse duke u përgjigjur ne pyetjen e mbrojtësit të të pandehurit avokati Florent Latifaj, dëshmitari Kollari ka thënë se sipas tij, gjatë kohës kur i pandehuri Selimi kishte qenë drejtor i klubit KF “ Kosova “, shpenzimet vjetore të cilat janë bërë për klubin, kanë qenë 120.000 deri në 150.000 euro duke përfshirë edhe shpenzimet e stërvitjeve jashtë vendit.

Ndërsa pas marrjes së vendimit për caktimin e ekspertizës financiare, seanca e shqyrtimit të sotëm është shtyrë, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 20 janar 2021.

Prokuroria e Mitrovicës e akuzon Agron Selimin se gjatë muajit nëntor 2010 dhe mars 2011 me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar sipas detyrës.I njëjti në cilësinë e drejtorit të KF “Kosova” në Vushtrri ka pranuar shumën 30,000.00 në emër të ndihmës financiare nga PTK-ja.

Sipas aktakuzës kjo ndihmë ishte bërë për rimëkëmbjen e klubit, kurse Agron Selimi nga shuma prej 30,000.00 akuzohet se ka përvetësuar shumën prej 19,236,00 euro.