Gjykimi ndaj dy ish-zyrtarëve të ASHNA-s, caktohet grupi i ekspertëve të rinj
Në gjykimin ndaj Bahri Nuredinit dhe Driton Mehajt, të akuzuar se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në Aeroportin e Prishtinës e më pas në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), trupi gjykues vendosi të caktojë një grup prej tre ekspertëve të rinj për të dëshmuar në lidhje me këtë rast.
Këta ekspertë do të jenë nga fusha e aviacionit, financiare dhe ajo e prokurimit publik.
Vendimi pse trupi gjykues vendosi më 20.11.2024 që të caktohen ekspertë të rinj u mor pasi avokatët e të të akuzuarve patën vërejtje për ekspertizën e mëparshme. Në këtë rast si ekspert financiar ka dëshmuar deri më tani, Agim Sheqiri.
Në vitin 2018, “Jeta në Kosovë” pati publikuar një seri të emisioneve hulumtuese në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me titullin “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar”.
Në seancën gjyqësore më 20.11.2024, mbrojtësi i të akuzuarit Bahri Nuredinit, avokati Agron Selimaj kërkoi ekspertizë të re financiare.
Kjo pasi sipas tij, eksperti financiar i angazhuar nga Prokuroria Speciale ka bërë një ekspertizë të mangët dhe se “në më shumë se 50 pyetje ai ka deklaruar se nuk ka përgjigje.”
“Nga raporti i ekspertizës dhe nga seanca gjyqësore që ka prezantuar eksperti është dëshmuar se i njëjti fare nuk kërkuar dokumentacion shtesë nga ASHNA, nga Dogana e Kosovës, nga ATK-ja apo sistemi bankar” – tha avokati Selimaj.
“Eksperti nuk ka treguar nëse legjislacioni primar dhe sekondar i asaj kohe e ka ndaluar që përfaqësuesi i njësisë kërkuese mund të jetë edhe menaxher i kontratës së nënshkruar, nuk e din nëse janë 523 ditë kalendarik apo ditë të punës për realizimin e projektit të nënshkruar, herë thotë lejohet vazhdimi i garancionit të sigurimit e herë thotë që është në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik” – shtoi tutje avokati Selimaj.
Sipas Selimajt, eksperti fare nuk i pranon si dokumente të pranimit teknik certifikatat e pranimit, ftesat e pranimit në fabrikë, ftesat e pranimit në lokacion.
“Madje në më shumë se 50 pyetje ka deklaruar se nuk kam përgjigje” tha ai.
“Duke vërejtur këto mangësi dhe jo kompetencë e ekspertit, ne kemi angazhuar ekspertin privat financiar, andaj kërkojmë nga gjykata që të ndërpresë këtë seancë gjyqësore të na ofrojë kohë shtesë të paktën dy muaj me qëllim që të vijmë me ekspertizë të re financiare”-theksoi avokati.
Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Driton Mehaj, avokati Ilir Rashiti e mbështeti këtë propozim të avokatit Agron Selimaj, i cili po ashtu kërkoi nga gjykata që të ju lejohet nxjerrja e një ekspertize krahasuese.
Këtë propozim të mbrojtësve të akuzuarve e kundërshtoi prokurori special, Milot Krasniqi dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Kushtrim Palushi, duke shtuar se mbrojtja ka pasur kohë më herët për ekspertizë dhe ky propozim sipas Palushit, vetëm që do ta zvarrisë procedurën.
Trupi gjykues sa i përket këtij propozimi të mbrojtësve, mori aktvendim duke refuzuar propozimin e mbrojtjes për angazhimin e një eksperti të pavarur dhe urdhëroi një ekspertizë nga ekspertë të tjerë.
Gjyqtari Kujtim Krasniqi në fund të seancë, bëri të ditur se nuk do të caktohet seanca e radhës deri sa të përfundohet ekspertiza nga grupi i cili do të caktohet.
Paraprakisht në seancën e së mërkurës, ka përfunduar dëshminë eksperti financiar, Agim Sheqiri i cili kishte mbetur pa u përgjigjur vetëm në pyetjet e të akuzuarit Driton Mehaj.
Ai theksoi se i ka dhënë të gjitha përgjigjet për pyetjet e parashtruara nga ana e prokurorisë dhe mbrojtjes.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës në përbërje të trupit gjykues: Kujtim Krasniqi – kryetar i trupit gjykues, dhe dy anëtarët Vesel Ismajli dhe Lutfi Shala.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Milot Krasniqi.
Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj nga prokuroria po akuzohen se në periudhën kohore nga muaji shtator 2011 deri në gusht 2018, në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, më pas Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) i kanë mundësuar operatorit ekonomik “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës “Furnizim me Sistem të Navigimit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese”.
Emisioni i parë i “Jeta në Kosovë” kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e Aeroportit nga kompania “Limak”, i dyti për sigurinë e këtij Aeroporti, ndërsa në emisionin e tretë ka qenë prezent vetë Bahri Nuredini, i cili u përgjigj për të gjitha raportimet dhe gjetjet e dy emisioneve paraprake të fokusuara në Aeroportin e Prishtinës dhe ASHNA dhe punësimet aty.
Ndërsa në emisionin e katërt ishte i pranishëm drejtori i kompanisë “Limak” për t’iu përgjigjur akuzave.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për dy të akuzuarit?
Sipas aktakuzës së ngritur më 10.05.2022 nga prokurori special Milot Krasniqi, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, po akuzohen se në bashkëveprim dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria po pretendon se në periudhën kohore nga muaji shtator 2011 deri në gusht 2018, në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, më pas Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), të pandehurit në fjalë, Bahri Nuredini si kryeshef ekzekutiv i ASHNA-s dhe Driton Mehaj, menaxher i kontratës për furnizim me sisteme të navigacionit (AIDS) dhe rilokim të sistemeve ekzistuese në ASHNA, i kanë mundësuar operatorit ekonomik “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës “Furnizim me Sistem të Navigimit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese”.
Ata po akuzohen se pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror i kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 08 dhe 09.09.2011, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit kompaninë tiranase me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808,296.00 euro.
Ndërsa, sipas dosjes së Prokurorisë, kontrata është nënshkruar më 06.10.2011, duke e ditur se “rilokimi i sistemeve ekzistuese” ishte pjesë e kontratës të lidhur që para një viti ndërmjet Komisionit Drejtues Ndërministror të projektit të partneritetit publiko-privat dhe kompanisë “LIMAK Kosova Internacional Aeroport” J.S.C.
Të njëjtit akuzohen se gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj kompanisë tiranase ashtu që në mënyrë të kundërligjshme kanë bërë zgjatjen e afatit të kontratës nga 523 ditë në 1,700 ditë.
Por aty thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga “TCN” më 19.09.2016, marrë për bazë se deri me këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7,808,296.00 euro.
Për kryerjen e punëve të papërfunduara ASHNA kishte lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Leonardo” nga Italia më 31.08.2018 në vlerë 386,180 euro, me të cilat veprime sipas aktakuzës i kanë shkaktuar dëme materiale buxhetit të ASHNA-s dhe buxhetit publik në lartësi të paktën 1,937,230 euro.