I akuzuari Rrustem Gashi dhe dëshmitari Luan Krasniqi gjatë seancës së datës 02.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës.
Gjykimi ndaj anesteziologut Rrustem Gashi, dëshmitari: Nuk merret specialisti me afatin e barnave
Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar rigjykimi për anesteziologun Rrustem Gashi, i cili po akuzohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj një fëmije, i cili vdiq në sallën e operacionit – rast që ka ndodhur në vitin 2006.
Në seancën e datës 02.09.2024 është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit Luan Krasniqi, aso kohe teknik i anestezionit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores së rastit Javorka Perlinçeviq, dëshmitari Krasniqi tregoi se në ditën kritike kishte qenë në punë në QKUK në Klinikën e Kirurgjisë – Departamentin e Anestezionit, duke shtuar se në atë kohë sa ishte në dijeni ka pasur një ndryshim të sallave.
Ai pohoi se kishte qenë në sallë kur ishte operuar A.H., foli për përgjegjësitë që ushtronte si teknik i anestezionit si dhe tregoi se si organizohej puna.
“Urdhërat për përdorim [të barnave] vinin prej anestiziologut çka me përgatitë. Atë ditë kanë qenë edhe dy teknikë të tjerë, Naim Berisha dhe Adem Osmani, shefat kanë qenë Dr. Rrustem Gashi dhe Dr. Naim Kuqi. Atë moment kemi qenë të 5-it aty dhe kemi kërku ndihmën e doktoreshës Buqe në momentin kritik kur e pamë sa u kompliku situata” – deklaroi Luan Krasniqi.
Dëshmitari disa herë e vuri theksin në numrin e madh të profesionistëve që u angazhuan për rastin në fjalë.
“Nuk ndodhë me qenë 3 teknikë, 3 specialistë gjatë natës dhe për shkak të ngarkesës së madhe” – potencoi Luan Krasniqi.
Mëtutje radhën për të bërë pyetje e mori babai i fëmijës tashmë të ndjerë N.H.
“Ky [Luan Krasniqi] nuk e di që u kanë mrenda ne sallë” – tha në cilësinë e të dëmtuarit N.H, prind i A.H.
“Jo që kam qenë në sallë po edhe fminë kur jena shku me marrë jom kanë unë dhe doktor Naimi edhe e di kur i ka thonë me bo konsultë te pediatri. Prezenca jem ne sallë u kon ton kohën” – u kundërpërgjish tashmë ish-tekniku i anestezionit, Luan Krasniqi.
“Unë atë ditë të kam pa në koridor dhe keni kërku me bo një analizë dhe analizën ja kam bërë ku ja kanë marrë gjakun në gisht” – shtoi babi i fëmijës së ndjerë N.H.
Gjatë gjykimit Luan Krasniqi potencoi se që nga viti 2018 nuk e ushtron profesionin e teknikut të anesteziologjisë.
Radhën për pyetje e treta e pati avokatja mbrojtëse e të akuzuarit Rrustem Gashi, Kosovare Kelmendi.
Avokatja e pyeti nëse dëshmitari qëndron pranë deklaratave të dhëna në prokurori, shqyrtimin gjyqësor të kaluar të datës 05.11.2018, dhe pasi ia lexoi disa nga deklarimet, dëshmitari Luan Krasniqi i pohoi të njëjtat.
Ndër të tjera avokatja Kelmendi citoi deklarimin e dëshmitarit ku ai ishte shprehur se “…Atë ditë kemi qenë [stafi mjekësor i lartëcekur] në ditë të ngarkuar dhe kemi punuar shumë raste para këtij rasti me të njëjtin aparat ku ka qenë hollotoni dhe të njëjtin ekip dhe asnjë komplikim se kemi pasur dhe pas rastit të këtij fëmije të ndjerë prapë kemi punuar njëjtë dhe asnjë komplikim nuk ka qenë dhe ju e dini se nuk ka pasur rast tjetër përveç të ndjerit A.H.”.
“E vërtetë është” – konfirmoi dëshmitari Luan Krasniqi.
Avokatja Kosovare Kelmendi ia lexoi dëshmitarit edhe një deklaratë të tij paraprake lidhur me kompetencat e specialistit sai përket afatit të barnave.
“Më tutje ju keni deklaruar se në momentin kur jemi kujdestar apo kur ishim kujdestar ne furnizohem me barna nga barnatorja jonë dhe barnat jepen varësisht nga kërkseat dhe neve teknikëve na është thënë se ju mund t’i përdorni këto ne i kemi përdorur. Tek barnat ne e kemi një plus minus 6 muaj, 6 muaj para ose pas sa i përket kohëzgjatjes së barnave. Sai përket çështjeve teknike që janë përgatitja e sallës, vënia e hollotonit në aparat për operacion të kujtdo Dr. Rrusta nuk merret me to, ai nuk meret me çështje teknike. Ato janë kompetencat tona. Me të njëjtin holloton keni deklaru është operu para këtij rasti dhe pas. A qëndroni prapa këtij deklarimi?” – parashtroi avokatja Kelmendi.
Dëshmitari Luan Krasniqi e rikonformoi këtë deklaratë paraprake.
Mëtej Krasniqi e rikonfirmoi po ashtu deklarimin e ti të mëhershëm se prej momentit të furnizimit të QKUK-së me barna e deri te aplikmi prej anesteziologut, ky i fundit nuk ka e ka kompetencë afatin e barnave që aplikohen dhe të njëjtat i gjen të gatshme për aplikim.
Më tutje dëshmitari u përball edhe me disa pyetje të anëtarit të trupit gjykues Adnan Kamberi lidhur me kompetencat e specialistit në raport me afatin e barnave.
“Nuk merret specialisti me gjëra aq elementare, ka një kod mirëbesimi” – ritheksoi dëshmitari Luan Krasniqi.
I pyetur sërish nga gjyqtari Adnan Kamberi se kush atëherë është përgjegjës, ai tha se kjo bëhet nga ana e udhëhqësve të barnatores.
Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje të: Medie Bytyqi – kryetare dhe anëtarët: Adnan Kamberi, Gent Beka.
I akuzuari Rrustem Gashi nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën po akuzohet.
Lidhur me këtë rast, anesteziologu Rrustem Gashi ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës më 29.03.2019 me dy vjet dënim me burgim me kusht.
Me këtë vendim të Gjykatës së Prishtinës nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, duke e kthyer rastin në rigjykim.
Çka thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 26.11.2006, i pandehuri Rrustem Gashi si doktor – anesteziolog primar, ka filluar operimin e fëmijës A.H dhe atë sipas gjendjes shëndetësore urgjente të tij, pa analiza të domosdoshme, pa marrë pëlqimin e prindit të fëmijës e duke mos e marrë për bazë mendimin e pediatrit.
Më tej në aktakuzë thuhet se operacioni ka zgjatur dy orë e për këtë nuk janë siguruar mjetet e domosdoshme para fillimit të operacionit – oksigjeni. Aktakuza vijon duke shpjeguar se gjatë operacionit është ndalur rryma dhe mjekët kanë vazhduar operacionin me ndihmën e baterive të cilat i kanë pasur në xhep dhe me dritat e telefonave celularë.
Në këtë rast fëmijë i ishte përkeqësuar gjendja në përfundim të operimit kur ka filluar faza e zgjimit nga anestezioni.
Në aktakuzë thuhet se fëmija kishte vdekur në tavolinën e sallës së operimit.
Prokuroria e akuzon Rrustem Gashin se në këtë rast ka kryer veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”.