Gjykimi ndaj 4 të akuzuarve për sulmin kundër zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, dëgjohet një dëshmitare

Në gjykimin ndaj të akuzuarve Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”, dhe ish policëve Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, ka dhënë dëshminë një dëshmitare në seancën e datës 29.10.2024 në Gjykatën e Prishtinës. Të pandehurit e lartcekur po akuzohen për sulmin me granata në zyrat e KKZ-së në Mitrovicën Veriore në dhjetor të vitit 2022.

Në gjykimin ndaj 4 të akuzuarve dëshminë para trupit gjykues e ka dhënë dëshmitarja e Danijela Sokoviq. E njëjta tregoi se në kohën kur kishte ndodhur ngjarja kishte punuar si doktoreshë e përgjithshme në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicën Veriore.

Në pyetjen e mbrojtësit të tëakuzuarit Millun Millenkoviq, avokati Predrag Milijkoviq, se ku kishte qenë ajo më datë 06.12.2022.

“Po më kujtohet isha në vendin e punës në qendrën e mjekësisë  do të thotë në emergjencë, më datë 06.12.2022 dhe kam dalur dy herë në terren”- u përgjigj dëshmitarja Danijela Sokoviq.

Dëshmitarja deklaroi se daljet e saj më datë 06.12.2022 në terren kishin qenë njëra në orën 10:00 ndërsa tjetra pak para orës 15:00 dhe deklaroi se thirrja e dytë kishte qenë thirrje nga një person N N për t`i dhënë ndihmë.

“Kemi marrur një thirrje nga një person N N i panjohur, na kanë thënë që ka një person të lënduar afër tre rrokaqiejve dhe ne menjëherë jemi nisur”- tha dëshmitarja Sokoviq.

Tutje, gjatë dëshmisë së saj dëshmitarja deklaroi se kur kishte mbërritur në vendin e ngjarjes kishte qenë një turmë njerëzish.

“Jemi ndalë pak para udhëkryqit ka qenë një turmë njerëzish si me qenë protestë e ata janë afruar afër nesh, dhe ne kemi pyetur ku është personi i lënduar na kanë thënë askush nuk është lënduar, ne jemi shikuar çuditërisht dhe jemi kthyer në të djathtën dhe duke shkuar kemi shikuar rrethinën mos është ndokush i lënduar por askënd nuk e kemi parë dhe jemi kthyer në shtëpinë shëndetësore”- deklaroi dëshmitarja Sokoviq.

Dëshmitarja deklaroi se në veturën e ambulancës kishte qenë ajo, shoferi dhe tekniku.

Dëshmitarja deklaroi se të pandehurin Millun Millenkoviq e njeh nga qyteti, ndërsa tha se në grupin ku kishte qenë turma nuk i kujtohej nëse e kishte parë.

Tutje, prokurori Bekim Kodraliu e pyeti dëshmitaren nëse e kishte parë të akuzuarin Millun Millenkoviq afër derës së ambulancës duke biseduar me dikë në ambulancë. E njëjta u përgjigj se nuk i kujtohej.

E pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj nëse e dinte se kush i kishte hapur dyert e ambulancës në kohën kur kishte shkuar për të dhënë ndihmë në herën e dytë kur kishte dalur në terren: “Nuk më kujtohet, a i kemi hapur ne apo kush”- u përgjigj dëshmitarja Sokoviq.

Dëshmitarja tutje deklaroi se në çantën mjekësore janë gjërat medicionale dhe se atë ditë kanë qenë ashtu pasi që është rutinë dhe futja e sendeve në çantë është punë e teknikut.

Dëshmitarja gjatë pyetjes se nga cili shtet e merr pagën, ajo deklaroi se pagën e saj e merr nga shteti i Serbisë.

Tutje pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitares, prokurori Bekim Kodraliu i propozoi si prova materiale fotografi në të cilat shihen se si autoambulancat janë përdorur nga grupet kriminale në veri të vendit. Sipas prokurorit Bekim Kodraliu, deri të ky propozim i këtyre provave ka ardhur pasi që edhe në ditën kritike të datës 06.12.2022, autoambulanca që shihet në foto ishte përdorur për kryerjen e veprave kriminale.

Tutje, prokurori Bekim Kodraliu tha se edhe dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve dhe dëshmitarja që u dëgjua Danijela Sokoviq kanë deklaruar se autoambulancat janë përdorur për të intervenuar në raste mjekësore, mirëpo sipas tij përmes këtyre provave dëshmohet e kundërta.

Tutje, Prokurori Bekim Kodraliu tha se pikërisht këto autoambulanca janë përdorur nga grupet kriminale gjatë protestave të dhunshme në Zveçan dhe se nga këto fotografi shihen persona duke nxjerrë gjësende të forta nga këto autoambulanca.

“Andaj dëshmitë e dëshmitarëve të radhës konsideroj se nuk do të jenë relevante ngase kjo është e vërteta”- shtoi tutje prokurori Kodraliu.

Ndërsa lidhur me provat e propozuara nga ana e prokurorit, mbrojtja e të akuzuarve njoftoi Gjykatën se me shkrim do t’i kundërshtojnë këto prova.

Kujtojmë së të akuzuarit  Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”, dhe ish policët Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq ishin deklaruar të pafajshëm.

Kjo çështje po gjykohet nga Valon Kurtaj- kryetar, Violeta Namani- Hajra dhe Arben Hoti, anëtarë.

Kallxo.com kishte siguruar Dosjen e Prokurorisë në të cilën përshkruhen në detaje veprimet e katër të akuzuarve në ditën kritike si dhe komunikimet e tyre elektronike.

“Prej sot zyrtarisht unë jam zëvendëskomandant i brigadës së veriut… nuk ka tani mbrojtje civile, tani ka brigadë të veriut”- ishte një prej mesazheve të cilat në Dosje thuhet se i janë nxjerrë nga telefoni i të akuzuarit Millun Millenkoviq.

“Aty shkunden dardhat… ti gjuaju ndonjë mollë”- ishin mesazhet e këmbyera në mes të Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, sipas Dosjes, duke aluduar për vendndodhjen e Policisë dhe hedhjen e mjeteve shpërthyese.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit sulmin e kanë kryer me dy granata dore dhe dy shok bomba. Shok bombat kishin shpërthyer ndërsa vetëm një granatë dore jo, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të KQZ-së dhe Policëve.

Granatat të cilat, sipas Dosjes, i ka marrë i akuzuari “Llune” nga një ambulancë me sinjale alarmuese.

Ambulanca në fjalë thuhet në Dosje të jetë parë vetëm pesë minuta para ngjarjes kritike duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt vendit ku ndodhi sulmi. Kjo pamje është kapur nga kamerat e sigurisë të Prokurorisë së Mitrovicës.

Sipas deklaratës së Millenkoviqit në Prokurori, në ambulancë kanë qenë shokët e tij të cilët ai i kishte përshëndetur, por nuk kishte marrë granata nga ta dhe në vendin e ngjarjes kritike ishte afruar nga kureshtja

Ndër provat e paraqitura në aktakuzë figuron edhe një postim i të akuzuarit “Llune”, përmbajtjen e së cilit Prokuroria e ka cilësuar si inkriminuese.

“Nëse më arrestojnë, gjuani në drejtimin tim, gjuani në veturën në të cilën jam edhe unë, qojeni në ajër dhe në rast se duhet edhe mua të më vritni. Vetëm mos i lejoni të më çojnë të gjallë”- ishte përshkrimi i fotos së postuar nga Millenkoviq dy javë para sulmit.

Po ashtu, në Dosje thuhet se katër të akuzuarit këto veprime i kanë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët akoma janë të paidentifikuar.

Fillimisht të akuzuarit kishin thyer dritaret e zyrave me gurë, duke mundësuar kështu hedhjen e mjeteve shpërthyese brenda në lokal.

Më tutje Dosja thotë se ka qenë edhe një përpjekje për ndezjen e një zjarri përmes hedhjes së një mollotovi.

E tërë kjo, sipas dosjes, thuhet të ketë qenë me qëllim të frikësimit të popullatës dhe shkatërrimit të strukturave politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës përmes pamundësimit të zgjedhjeve lokale.

Kujtojmë se i akuzuari Millun Millenkoviq është i dyshuar edhe për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në trazirat e majit të vitit që shkoi në veri të vendit, për çka edhe ishte arrestuar në qershor të atij viti.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se Millenkoviqi i kishte rezistuar arrestimit gjë e cila ka rezultuar me lëndime trupore tek policët si dhe vetë i akuzuari.

I njëjti gjatë deklaratës së dhënë në Prokurori ka mohuar se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyreve të KQZ-së për të cilin po akuzohet.

“Llune” për momentin ndodhet nën masën e paraburgimit deri në mars të këtij viti.

Dejan Pantiq është i akuzuari tjetër, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022, ndërsa përmes 30 mijë eurosh dorëzani ndodhet në liri që nga shtatori i vitit 2023.

Njëlloj si “Llune”, edhe Pantiq në Polici ka mohuar përfshirjen në sulmin terrorist që i vihet në barrë.

Kur ishte ballafaquar me mesazhet që i janë gjetur në telefon, Pantiq kishte thënë se “aty shkunden dardhat” ka implikuar se Policia mund të kenë pasur ftohtë. Ndërsa shtoi se nuk e di se çfarë ka dashur të thotë i akuzuari Vakiq me mesazhin “hidhjani nga një mollë”.

Miomir Vakiq po ashtu gjatë deklaratës në Polici kishte mohuar veprimet inkriminuese të cilat rëndojnë mbi të.

Në kontekstin e mesazheve telefonike, Vakiq kishte deklaruar se nuk ka pasur qëllime keqdashëse.

Po ashtu edhe i akuzuari Aleksandar Vllaiq kishte mohuar akuzat. Ai po ashtu ka mohuar edhe të jetë pjesë e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.