
Gjykimi ndaj 22 të akuzuarve në rastin e dëmtimit të shtetasve gjerman, nëpërmjet "Call Center"
Njëzet e dy (22) të pandehurit e akuzuar për veprat penale “krim i organizuar”, “shpëlarje e parave”, “mashtrim” dhe vepra të tilla të ngjashme janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës, të hënën, më 23.12.2024.
Andi Fosa, Kushtrim Gecaj, Idriz Lipa, Mendim Tetaj, Drin Hajredini, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Çlirim Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala, Florida Hoti, Ilir Sejdija, Suana Peja, Argjent Veseli, Agim Nezha, Ivi Xhahysa, Alen Dhimitri, Erald Lila, Adem Muqiqi, Klodina Recani, Elmedina Recani, dhe Qamile Abazi po akuzohen për “shpëlarje të parave” e “mashtrim”.
I akuzuar, në këtë rast, është edhe Leotrim Haxhiaj, mirëpo ndaj tij është veçuar procedura, pasi që i njëjti ndodhet në shtetin gjerman.
Me pëlqimin e palëve, Aktakuza u konsiderua e lexuar dhe, tutje, të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë.
Njëzet e dy (22) të akuzuarit u deklaruan “të pafajshëm” për veprat penale, të cilat u vihen në barrë.
Pas deklarimit të të pandehurve, gjyqtari, Kujtim Krasniqi njoftoi palët se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë “për kundërshtim të provave” dhe kërkesë “për hedhje të aktakuzës”.
Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të datës 06.06.2024, të pandehurit po akuzohen se që nga viti 2018 dhe në vazhdimësi deri më 31.03.2021, duke vepruar si grup i organizuar e i strukturuar si hierarki në grup, me role të përcaktuara, dhe atë të udhëhequr nga i pandehuri Andi Fosa – pronar i kompanisë “Future Media”, e të pandehurit e tjerë, si: Kushtrim Gecaj dhe Idriz Lipa, që ishin pjesë e menaxhmentit në kompaninë “Future Media”, të pandehurit: Drin Hajdini, Mendim Tetaj, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Leutrim Haxhiaj, Çlirim Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala në pozitën e operatorëve telefonikë apo më saktë “Retention” dhe Florinda Hoti në pozitën “back office”, me dashje dhe qëllim të përftimit pasuror të kundërligjshëm e veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për kryerjen e veprimeve mashtruese në formën e së ashtuquajturës tregtisë kibernetike/cybertrading, përmes platformave dhe një softueri të programuar pikërisht për drejtimin e platformave të tilla, të pandehurit e lartcekur paraqiten si tregtar në faqet e internetit: www.goldsteininvest.com, www.fxcmarkets.com dhe www.swissinv24.com,
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit të cilët e kanë mbajtur pozitën “Retention” dhe “FTD”, në këtë kompani kanë kontaktuar me personat e interesuar në Gjermani – tani të dëmtuarit në këtë çështje penale – përmes telefonit, në atë mënyrë që janë paraqitur me emra të rrejshëm, me të vetmin qëllim që t’i bindin që të bëjnë pagesa në llogari të ndryshme, nëpër shtete të ndryshme, duke i vënë të njëjtit në lajthitje, me premtimin se kinse kanë për të nxjerrë fitime të larta.
Në aktakuzë thuhet se këto pagesa kanë përfunduar në llogaritë e kompanisë “Future media LLC” në Kosovë, ku dëmi i shkaktuar në këtë kompani, i paraqitur vetëm nga ana e të dëmtuarve të paraqitur, kalon shumën prej 3,858,380.29 euro.
Sipas aktakuzës, Andi Fosa ka qenë udhëheqës i grupit si pronar i kompanisë “Future Media”. I njëjti ka bërë të gjithë organizimin e punës së grupit kriminal, ashtu që ka udhëhequr të gjithë grupin duke angazhuar të pandehurit në punët dhe pozitat e përcaktuara në këtë kompani.
Sipas aktakuzës të pandehurit Kushtrim Gecaj dhe Idriz Lipa, si pjesë e menaxhmentit të kompanisë “Future media”, kanë udhëhequr ekipet e të pandehurve dhe të punëtorëve të tjerë në kompani, si në pjesën qendrore, ashtu edhe te njësia e ndarë apo siç quhet “Future Media Brain”, të cilët janë marrë direkt me mbikëqyrjen e punës së punëtorëve-agjentëve telefonikë të njohur, si: “Broker” apo “Retention” dhe “FDT” në këtë kompani, të cilët janë marrë direkt me klientët nga shteti i Gjermanisë e që në këtë çështje penale janë të dëmtuar.
Të pandehurit: Drin Hajdini, Mendim Tetaj, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Leotrim Haxhiaj, Çlirim Qelaj, Mario Kepi, dhe Fatmir Kala po akuzohen se në pozitën e operatorëve telefonikë apo më saktë “Retention”, duke vepruar si anëtarë të grupit dhe nën udhëheqjen e të pandehurve të cekur më lart, për qëllime të grupit, janë marrë direkt me personat e interesuar në Gjermani, tani të dëmtuarit, duke i kontaktuar përmes telefonit ku janë paraqitur në emra të rrejshëm, me të vetmin qëllim që t’i bindin që të bëjnë pagesa në emër të investimeve, duke i vënë në lajthitje me premtimin se kinse kanë për të nxjerrë fitime të larta.
Sipas aktakuzës, e pandehura Fatlinda Hoti akuzohet se në pozitën “Back office”’, duke vepruar si anëtare e grupit dhe nën udhëheqjen e të pandehurve të lartcekur më lart, për qëllime të grupit është marrë direkt me gjetjen e kontakteve dhe sigurimin e të gjithë personave të interesuar në Gjermani – tani të dëmtuarit në këtë çështje penale – si dhe caktimin e agjentëve, me të cilët do të bashkëpunojnë të njëjtit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Andi Fosaj po akuzohet për veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe për veprën penale “mashtrimi”.
Ndërsa, të pandehurit: Kushtrim Gecaj, Idriz Lipa, Drin Hajdini, Mendim Tetaj, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Leotrim Haxhiaj, Çlrimin Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala dhe Florinda Hoti po akuzohen për veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe për veprën penale “mashtrimi”.
Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Ilir Sejdija dhe Suana Peja akuzohen se kanë kryer veprat penale “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” dhe “mashtrimi”.
Në dispozitivin e tretë të akuzuar janë Argjent Veseli, Agim Nezha, Ivo Xhahysa dhe Alen Dhimtri, të cilët akuzohen se kanë kryer veprën penale “mashtrimi”.
Sipas dispozitivit të katërt, në bashkëkryerje për “shpëlarje e parave”, po akuzohen Andi Fosa, Idriz Lipa e Kushtrim Gecaj.
Në dispozitivin e pestë, të akuzuar për veprën penale “ndihmë në shpëlarje e parave” po akuzohen Erald Lila e Adem Muçiqi.
Tutje, sipas dispozitivit të gjashtë të aktakuzës, të pandehurat Klodina Raçani, Elmedina Raçani dhe Qamile Abazi po akuzohen se në bashkëkryerje i kanë ndihmuar të pandehurit Andi Fosa, që t’i fshehë mjetet e provat e veprës penale. Të akuzuarat e lartcekura në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale “dhënia e ndihmës kryersve pas kryerjes së veprave penale”.