
Foto-ilustrim
Gjykimi lidhur me rastin e vrasjes së Ibush Kllokoqit, eksperti konstaton se i akuzuari nuk është në gjendje ta kuptojë shqyrtimin gjyqësor
Në gjykimin ndaj F.G., i akuzuar për vrasje të rëndë dhe vrasje të rëndë në tentativë, në seancën e sotme, më 17.12.2024, është dëgjuar eksperti i psikiatrisë forenzike, Jeton Zogaj, i cili e dha konstatimin dhe mendimin e tij lidhur me të akuzuarin.
Në seancën e datës 25.10.2024, Trupi Gjykues kishte vendosur që të ftohet eksperti mjekësor, që të japë mendimin e tij se a mund i akuzuari F.G. t’i nënshtrohet procesit gjyqësor dhe varësisht prej mendimit të ekspertit, Gjykata do të procedojë më tej me çështjen.
“Bazuar në të dhënat të cilat i kemi pasur gjatë kohës së vlerësimit psikiatrik të datës 15.11.2022 dhe në bazë të të gjeturave gjatë këtij vlerësimi, ne si ekip vlerësues kemi konstatuar se i njëjti vuan nga sindroma psikoorganike, diabeti e tipit II, angiopatia diabetike, neurapatia diabetike, redinopatia diabetike, hipertensioni arterial dhe nga çrregullimi psikotik i ngjashëm me skizofreninë, kryesisht me dominim të simptomave negative – ngadalësim psikomotor.” – tha eksperti Jeton Zogaj.
“Unë tani të akuzuarin nuk e kam trajtuar, por duke u bazuar në gjendjen e tij aktuale dhe dokumentacionin e tij trajtues nga profesionistë të lëmive përkatëse, aktualisht gjendja e tij edhe në bazë të të dhënave të familjarëve nuk është stabile dhe i njëjti është në trajtim të vazhdueshëm, edhe nga ana e psikiatrit apo neuropsikiatrit, për çka edhe përdor terapi.” – tha Zogaj.
Sipas ekspertit Zogaj, i akuzuari F.G. nuk është në gjendje ta përcjellë rrjedhën e shqyrtimit gjyqësor, e po ashtu nuk është në gjendje që ta kuptojë shqyrtimin gjyqësor.
“Bazuar në gjendjen e tij, i njëjti nuk është në gjendje me përcjellë rrjedhën e shqyrtimit gjyqësor as tani, as në të ardhmen – për shkak të ndryshimeve degjenarative të Sistemit nervor e të cilat janë të përshkruara.” – tha Zogaj.
“Po ashtu, i njëjti nuk është në gjendje që të kuptojë shqyrtimin gjyqësor.” – shtoi tutje Zogaj.
Ndërsa, prokurorja Arbëresha Raça-Shala tha se nuk ka ndonjë pyetje për ekspertin.
“Nuk kam pyetje për ekspertin, ngase e dëgjova me vëmendje të shtuar mendimin e tij dhe krahasuar edhe me ekspertizën e datës 11.05.2022, ekspertizë të cilën e ka dhënë një grup tjetër i ekspertëve psikiatrikë është plotësisht i njëjtë me atë që e tha sot.” – tha prokurorja speciale, Arbëresha Raça-Shala.
Trupi Gjykues, pas dëgjimit të ekspertit, mori Aktvendim që i njëjti nuk është i aftë që t’i nënshtrohet gjykimit në këtë çështje për shkak të gjendjes së tij psikike.
“Trupi Gjykues, në Raport, me konstatimin e ekspertit psikiatrik, shkresave të lëndës, fakteve dhe provave të administruara deri tani në këtë çështje penale, ka gjetur se tashmë i akuzuari F.G. nuk është i aftë që t’i nënshtrohet gjykimit në këtë çështje – për shkak të gjendjes së tij psikike.” – tha kryetari i Trupit Gjykues, Vesel Ismaili.
Andaj, Trupi Gjykues konform dispozitës së Nenit 510 të Kodit të Procedurës Penale bëri të ditur se do të marrë vendim mbi paaftësimin për t’iu nënshtruar gjykimit dhe këtë vendim do ta marrë në formë të shkruar, ashtu që palët e pakënaqura do të mund të atakojnë me mjetin e rregullt juridik.
Paraprakisht, në seancën e sotme u bë e ditur se ka ndryshim në përbërje të Trupit Gjykues, andaj gjykimi filloi rishtazi. Mirëpo, me pajtimin e të gjitha palëve të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani u konsideruan të lexuara.
Trupi i ri Gjykues është i përbërë nga Vesel Ismaili, kryetar i Trupit Gjykues dhe anëtarët, Valon Kurtaj dhe Violeta Namani-Hajra.
Në seancën e datës 25.10.2024, mbrojtësi i të akuzuarit F.G., avokati Tahir Rrecaj i kishte propozuar Trupit Gjykues, që të përjashtohen mediet dhe publiku në seancë, për arsye të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit F.G.
Andaj, Trupi Gjykues kishte kërkuar nga mediet të mos cenohet privatësia e të akuzuarit.
F.G. akuzohej se në bashkëkryerje me Nazim Bllacën e të tjerë ka kryer vrasje të rëndë ndaj Ibush Kllokoqit.
Për të akuzuarin F.G. në vitin 2015 nga gjyqtarët e EULEX-it ishte veçuar procedura për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Për F.G., i cili është i akuzuar edhe në rastin “Toka”, në vitin 2022 ishte veçuar procedura për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
F.G. është i akuzuar me Aktakuzë të Prokurorit special të Misionit Europian për Sundimin e Ligjit.
Ai akuzohej se në bashkëkryerje me Nazim Bllacën e të tjerë kryen vrasje të rëndë ndaj Ibush Kllokoqit.
Për këtë vrasje Nazim Bllaca kishte bashkëpunuar me Prokurorinë, e kishte pranuar fajin dhe i është shqiptuar dënim prej 4 vjet e 6 muaj burg.
“F.G. është personi që ia ka dhënë Nazim Bllacës revolen “Scorpion” për të vrarë Ibush Kllokoqin. Shpresim Uka ka pritur afër shtëpisë së viktimës, derisa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, F.G., dhe Bekim Syla kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima është paraqitur në derë, Bllaca e ka qëlluar.” – përshkruhet në Aktakuzë mënyra se si është vrarë Ibush Kllokoqi.
Nazim Bllaca e ka pranuar fajin – thuhet edhe në Aktakuzë.
Siç dihet, Nazim Bllaca fillimisht ka pranuar vrasjen e viktimës Ibush Kllokoqi në një deklaratë të xhiruar. “Më 30 nëntor 2009, kur ai është intervistuar si i pandehur, z. Bllaca përsëri ka pranuar përgjegjësinë e tij.”
Sipas Prokurorit, dy gjykimet, ai ku F.G. është akuzuar për krime të luftës kundër popullatës civile dhe tjetri, ku pesë persona janë gjykuar për vrasje, janë zhvilluar bazuar në deklaratat e Bllacës.
F.G. gjithashtu është i akuzuar edhe në rastin “Toka” “për krim të organizuar, shpëlarje parash, marrje e mitës, mashtrim i rëndë e vepra të tjera”.