Foto: KALLXO.com

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu për rastin e vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi, dëshmon gruaja e njërit të akuzuar

Dy dëshmitarë janë dëgjuar më 19.09.2024 në seancën e gjykimit të vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të cilët po akuzohen në lidhje me rastin e vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi.

Në Gjykatën e Prishtinës u dëgjua dëshmia e Nadire Gashit, bashkëshortja e të akuzuarit Jeton Vllasaliu.

Po ashtu, ka dëshmuar edhe dëshmitari Salih Salihi.

Dëshmitarja Nadire Gashi iu përgjigj një numri të madh pyetjesh të prokurorit të rastit, Armend Hamiti, i cili ndër të tjera e pyeti nëse qëndron prapa deklarimit të bërë në Polici, gjë të cilën dëshmitarja e pohoi.

Gjatë marrjes në pyetje të Nadire Gashit nga prokurorit, mbrojtësi i Jeton Vllasaliut, avokati Ndrecë Doda, bëri një vërejtje.

“Ky (Jeton Vllasaliu) ka deklaru ma shumë se çdo dëshmitar… Kjo është bashkëshorte, nuk mundet me thanë: “Ky e ka vra”. Nuk mundet me marrë rolin e prokurorit. Këtë e ka thanë vetë i pandehuri. Krejt pyetje të parëndësishme faktikisht. Aktakuza është komplet e ndërtume në deponimin e tij. Çka kanë me deklaru dëshmitarët, sidomos bashkëshortja. Ky o kah e detyron me thanë: ‘E ka vra’” – deklaroi mes tjerash avokati Ndrecë Doda.

“Jo, jo, s’ka nevojë se e dimë” – tha prokurori Armend Hamiti.

Kurse kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi, tha se që me fillim dëshmitares i janë bërë të ditura të drejtat e saj si dëshmitare dhe ndër të tjera edhe mundësia për të mos u përgjigjur në pyetje konkrete e cila vlerësoni se do të ju vendosë juve apo familjarët tuaj para dëmit të konsiderueshëm, turpit të rëndë apo ndjekjes penale.

Por avokati Ndrecë Doda këmbënguli se këto të drejta po cenohen nga prokurori.

Më tutje, dëshmitarja u pyet lidhur me ditën kritike, për të cilën ajo pohoi se bashkëshortin e saj e kishte takuar pasi ky i fundit e kishte dërguar në punë e edhe pas punës kishin ndenjur në shtëpi si zakonisht, ku e kishin pasur mysafire motrën e Jetonit, Hanumshahen. Kjo e fundit e kishte dhënë dëshminë e saj lidhur me këtë rast më 09.07.2024.

Pas afërsisht 2 orëve, ajo tregoi se Jeton Vllasaliu kishte dalë nga shtëpia pa veturë dhe ishte kthyer rreth orës 9:20-9:25.

Duke iu përgjigjur prokurorit, ajo tregoi se bashkëshorti i saj nuk kishte treguar se ku po shkon, pasi as ajo nuk e kishte pyetur.

Aty prokurori e përballi me deklarimin e saj të mëparshëm në Polici duke i thënë se më herët kishin deklaruar se Jeton Vllasaliu i kishte thënë se po del për të biseduar lidhur me një tender.

“4 vite në pyetje, sendet munden me u harru, edhe psiqika, edhe smuja… se me siguri për diçka ka dalë… Po nëse e kam deklaru – qajo ka qenë” – u përgjigj Nadire Gashi.

Dëshmitarja Nadire Gashi, ndër të tjera, tha se bashkëshorti i saj merrej me punimin e fasadave dhe kishin të hyra mesatare.

Më tutje prokurori Hamiti e pyeti nëse kishte vërejtur ndonjë shqetësim te Jeton Vllasaliu në ditën kritike.

Gjë të cilën Nadire Gashi e mohoi.

“Jo, beso që nuk e kam vërejtë… Ka hangër bukë, ka ndejtë me neve në sallon edhe ka shku në dhomë me flejtë” – tha dëshmitarja Nadire Gashi.

“Ni çokolatë a është çelë pasi erdh?” – e pyeti prokurori.

“Mbasi që kemi fëmijë në shtëpi ka mundësi me pasë po nuk e mbaj mend. Kurrkush nuk e kemi memorien e njëjtë” – u përgjigj Nadire Gashi.

Dëshmitarja Nadire Gashi foli edhe për raportet që i kishin me kunatin, Nexhat Vllasaliun, për të cilat tha se i kanë të mira. “Qysh i ke me kunat” – precizoi ajo.

Më vonë prokurori e pyeti nëse Jeton Vllasaliu kishte qenë i arrestuar ndonjëherë.

“Përpos gjatë luftës si ushtar në Serbi që u kanë në burg s’u arrestu asnjëherë” – tregoi Nadire Gashi.

“Hera e parë (i arrestuar) edhe nuk e ki t’vulostë në kry qit periudhë?… Periudhë e jashtëzakonshme edhe nuk po të kujtohet?” – parashtroi dy herë prokurori Armend Hamiti.

“U kanë shok për neve, nuk ka pasë problem me dikë” – u përgjigj ndër të tjera Nadire Gashi.

Nadire Gashi tha se e njihte tashmë të ndjerin Bedri Rexhepin.

“Bedri Rexhepin e kam pa nja 2-3 herë te rruga, ose kur u ardhë jam përgjigjë” – tregoi dëshmitarja Nadire Gashi.

Prokurori Armend Hamiti e pyeti nëse kishte biseduar me burrin e saj, Jetonin, për Bedri Rexhepin pasi kishte parë lajmet në media.

Ajo pohoi se po, se kishte biseduar dhe edhe bashkëshorti i kishte thënë se Bedri Rexhepi është zhdukur.

“A ke njohuri që Jetoni është taku me familjarë të Bedriut dhe ka premtu që ka me u ndihmu me e gjetë?” – e pyeti prokurori Armend Hamiti.

“Jo, s’me kujtohet” – u përgjigj Nadire Gashi.

Prokurori më tej e pyeti dëshmitaren lidhur me shtëpinë në Vllasali, vendin ku Prokuroria sipas aktakuzës po pretendon se është kryer vrasja e Bedri Rexhepit.

“Ka ca vjet që në Vllasali s’jam kanë se ka qenë e pabanueshme.. sa kemi jetu ka qenë e përbashkët, tani u bo e Nexhatit afërsisht para 17 viteve. U mbetë e pabanueshme, vetë n’punë nuk na ka dalë koha me shku, t’ndalume s’e kemi pasë… Çelësin e shtëpisë e ka mbajtë Nexhati” – tregoi Nadire Gashi.

Më tej, për të dhënë dëshmi është ftuar Salih Salihi.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, dëshmitari Salihi deklaroi se nuk e di përse ndodhet në gjykatë, duke aluduar në mungesën e relevancës së dëshmisë së tij.

Më pas ai tha se qëndron prapa deklaratës së dhënë në Polici.

Tutje ai tregoi se e njihte Jeton Vllasaliun pasi ky i fundit kishte punuar te një kushëri i tij dhe aty ishin takuar e ishin marrë vesh që dëshmitari t’ia shiste të akuzuarit një veturë.

Veturën në fjalë dëshmitari tha se ia kishte shitur Jeton Vllasaliut afërsisht 10,000 euro. Për veturën, Salih Salihi tha se më i akuzuari Jeton Vllasaliu nuk i kishte asnjë para borxh.

Seanca u ndërpre pas kërkesës së të dëmtuarit Vedat Rexhepi, i cili konfirmoi se kishte disa pyetje për dëshmitaren Nadire Gashi, por meqenëse avokati i tyre nuk kishte mundur të jetë prezent kërkoi që pyetjet t’i parashtrojë në seancën e radhës.

Prokurori Armend Hamiti nuk e kundërshtoi propozimin në fjalë.

Por propozimi u kundërshtua nga dy avokatët e të akuzuarve të cilët posaçërisht potencuan faktin se dy të akuzuarit ndodhen në paraburgim.

“E kundërshtojmë kërkesën, kanë mujtë me u konsultu me prokurorin, pyetjet m’i bo prokurori… S’pe dimë qëllimin e kësaj kërkese, disa herë i kemi toleru”  – tha mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Vllasaliu, avokati Ndrecë Doda.

“Na kemi qenë ja tolerant sa i përket shtyrjes, në këtë stad me kërku me shty pse s’është përfaqësuesi i tyre është ligjërisht e papranueshme, e kundërshtoj” – tha mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Vllasaliu, avokati Shemsedin Dreshaj.

Të akuzuarit i mbështetën fjalët e avokatëve.

Kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi njoftoi se shqyrtimi gjyqësor shtyhet për në muajin tetor.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen se në bashkëkryerje e kanë vrarë biznesmenin, Bedri Rexhepi në prillin e vitit 2021. Prokuroria konsideron se vrasja është kryer për shumë të konsideruar të parave.

Rasti ndaj vëllezërve Vllasaliu gjendet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve. Rast për të cilin Jeton dhe Nexhat Vllasaliu nuk e kishin pranuar fajësinë.

Misteri i Zhdukjes së Biznesmenit” ishte hulumtimi i të cilin e kishte transmetuar emisioni Kallxo Përnime në majin e vitit 2021.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 08.04.2021 Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë – Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.