Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Ukë Rugovës për vizat italiane, dëshmitarët tregojnë cili i akuzuar u ndihmoi

Në gjykimin e Ukë Rugovës, ish-ministrit Astrit Haraqija dhe të tjerëve për krim të organizuar për veprat që ndërlidhen me e vizat italiane sot kanë dëshmuar dëshmitarë të rinj.

Fatos Mehmeti tha se kishte dorëzuar dokumentet për aplikim në Ambasadën italiane. Ai tregoi se e kishte njohur të akuzuarin Florian Petanin, të cilin tha se e kishte takuar te alergologu.

“Para se të plotësoj aplikacionin jam takuar me Florian Petanin, me të cilin më parë isha takuar te mjeku Bajram, për alergji, mbiemri i tij s’më kujtohet. Deri sa isha duke pritë për vizitë tek mjeku, Florianit i tregova se merrem me tregti dhe se kam nevojë për vizë Schengen. Ai më tha: “Kompletoji dokumentet dhe dorëzoji në ambasadë”. Florianin nuk e kam njohur më parë”, tha dëshmitari Mehmeti.

Tutje dëshmitari ceku se Florian Petanin pastaj rastësisht e ka takuar në Ambasadën e Italisë dhe atij ia ka dhënë dokumentacionin për ta dorëzuar.

“Ia kam dorëzu Florianit pasaportën time, të bashkëshortes dhe të dy fëmijëve të mi. Floriani më ka thënë: “Të lajmërojmë kur bëhen gati dokumentet”. Kam pagu aq sa është kërkuar për vizë, shuma e saktë nuk më kujtohet se a ka qenë 35 apo 60 euro, pasi qe unë kam marrë shumë viza dhe shuma e tillë ndryshon nëpër ambasada dhe nuk kam paguar asgjë tjetër, e as që më është kërkuar tarifë shtesë”, shtoi dëshmitari.

Dëshmitari po ashtu tha se nuk ka arritur t’i marrë këto viza Schengen, por se pasaportat dhe dokumentet personale i janë kthyer nga Policia, 2 apo 3 muaj më pas dhe se Policia e ka informuar se të njëjtat janë gjetur gjatë bastisjes te Florian Petani.

Më tej dëshmitari tha se nuk ka marrë asnjë garancë dhe premtim për suksesin e atij aplikimi.

Ndërsa dëshmitari i radhës, Arben Hajdini, deklaroi se Florian Petanin e ka mik të mirë.

“Po i kam dorëzu dokumentet për vizë në Ambasadën italiane, me ndihmën e Florian Petanit. Atë e njoh përmes biznesit tim, pasi unë rregulloj vetura ku ai ka ardhë dhe jemi miq të mirë që atëherë”, tha dëshmitari Hajdini.

“Lidhur me vizat me Florianin kemi diskutuar pasi ai ka punuar në ambasadë si zyrtar që është marrë me pranimin dhe përpunimin teknik të aplikacioneve. Ai më ka thënë: “A po vjen për Itali?” dhe unë i kam thënë: “S’kam vizë”. Ai më ka tregu se cilat dokumente duhet t’i kompletoj, i kam kompletu, nëse s’gaboj kam pasë pak të holla në bankë por Floriani më ka thënë: “Sille dokumentacionin tjetër, ndërsa për atë nëse mundem me të ndihmu unë të ndihmoj”, shtoi dëshmitari.

Tutje dëshmitari tha se dokumentet i ka dorëzuar te Florian Petani dhe se Petani ia ka paguar shpenzimet për aplikim. Dëshmitari po ashtu tha se më vonë ka aplikuar për gruan dhe djalin e vogël në këtë Ambasadë.

“Pastaj pas një kohe kam aplikuar për bashkëshorten dhe djalin e vogël, te Floriani, pasi ky ka punuar aty. Gruaja ime ka pasë me shku te familja e saj në Zvicër dhe i kam dorëzu pasaportat, por ata nuk arritën me marrë vizë, kur kam apliku ka qenë shumë tollovi në Ambasadë dhe e kam thirrë Florianin pasi e kam mik të shtëpisë. Pastaj më vonë më kanë thirrë në EULEX me dhënë një deklaratë dhe sa më kujtohet pas një viti më janë kthyer pasaportat e gruas dhe djalit nga EULEX”, tha dëshmitari.

Seanca e radhës u caktua për më 12 korrik.

Ky gjykim ka filluar rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017, e po ashtu dhe në seancën e 16 prillit 2021.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë, ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Po ashtu edhe të akuzuarit e tjerë të këtij procesi penal të ndarë në “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.