Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Ukë Rugovës dhe të tjerëve, dëshmitarët rrëfejnë se a i ndihmuan të akuzuarit për viza italiane

Dy dëshmitarë janë dëgjuar në seancën e sotme të gjykimit të Ukë Rugovës, ish-ministrit Astrit Haraqija dhe të tjerëve, të akuzuar për krim të organizuar, që lidhet me vizat italiane.

Së pari ka dëshmuar alergologu, Bajram Abdullahu, i cili tha se të akuzuarin Florian Petani e ka pasur pacient për vite të tëra.

“Florianin e kam pasur pacient për vite të tëra. Ai në atë kohë ka punuar në Ambasadën italiane, ashtu që kemi biseduar për çështje të vizës, pasi që unë kisha një konferencë në Itali dhe doja t’i merrja fëmijët me vete. Floriani më ka ndihmuar në plotësimin e aplikacionit, asnjëherë s’më ka premtuar që kanë me m’u rregullu vizat për fëmijët e mi, por është mendim i imi personal që një person që punon në Ambasadë është ndihmë në marrjen e vizave”, tha Abdullahu.

“Nuk kam kërku asnjëherë asi lloj premtimi që me m’i rregullu vizat për fëmijët ai, asnjëherë s’kam kërku premtim të tillë e as që më ka premtu, e as që është diskutuar për atë punë. Nuk ka qenë problem marrja e vizave, por thjesht shpejtimi i procedurës dhe asgjë tjetër”, shtoi Abdullahu.

Ndërsa dëshmitari tjetër, Fevzi Caka, tha se më 2014 ka aplikuar për vizë Schengen për nënën e tij në Ambasadën e Italisë.

Ai tha se nuk e lidh asgjë me të akuzuarin Petani.

“Mua s’më lidhë asgjë me Florian Petanin, përveç faktit që i njëjti ka ardhë me pa makina në auto-sallonin tim. Kur e kam dorëzuar aplikacionin në Ambasadën italiane për nënën time Petani nuk ka qenë aty”, tha Caka.

“Këtë e them me përgjegjësi morale dhe penale se asnjëherë nuk më është kërkuar nga Florian Petani asnjë favor”, shtoi Caka.

Seanca e radhës u caktua për më 8 qershor.

Ky gjykim ka filluar rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017, e po ashtu dhe në seancën e 16 prillit 2021.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë, ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Po ashtu, edhe të akuzuarit e tjerë të këtij procesi penal të ndarë në “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.