Foto: Kallxo.com

Gjykimi i tre të akuzuarve për vrasje të rëndë në tentativë, ky është vendimi i Gjykatës së Prishtinës

Gjykata e Prishtinës ka shpallur sot, më 27.05.2024, aktgjykim ndaj të pandehurve Veton Gashi, Durim Krasniqi dhe Durim Aliu, të cilët akuzohen për veprat penale – tentim vrasje e rëndë në bashkëkryerje; armëmbajtje pa leje, dhe manipulim me prova.

Gashi, Krasniqi dhe Aliu janë liruar nga akuza për vrasje të rëndë në tentativë dhe për veprën penale të manipulimit me prova.

Ndërsa, vetëm për armëmbajtje pa leje është dënuar Veton Gashi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, kurse Krasniqi dhe Aliu janë liruar nga kjo akuzë.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dërmaku.

Kujtojmë se Prokuroria kishte ngritur aktakuzë më 15.06.2023 ndaj të akuzuarve Veton Gashi, Durim Krasniqi dhe Durim Aliu për veprat penale – vrasje e rëndë në tentative në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.

Sipas Prokurorisë të pandehurit së bashku me një person ende të paindetifikuar nga organi i akuzës, më 12.02.2023, rreth orës 23:50, në rrugën “Rrahman Bahtiri” në Prishtinë me dashje kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarve Euron Selimi dhe Arton Rrahmani, me qëllim të privimit nga jeta.

Sipas Prokurorisë, të dëmtuarit ishin duke lëvizur me veturën e tipit “Golf”, dhe të akuzuarit kanë shtënë në drejtim të tyre, duke e goditur veturën në pjesën e pasme. Pas gjuajtjeve me armë zjarri, tashmë të pandehurit kanë ikur nga vendi i ngjarjes duke arritur t’i fshehin armët.

Me këtë, të pandehurit Veton Gashi, Durim Krasniqi dhe Durim Aliu në bashkëkryerje me personin NN kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Po ashtu, të pandehurit akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Tutje, të pandehurit akuzohen se kanë manipuluar me prova me qëllim që t’i fshehin ato. Pas të shtënave me armë zjarri, të pandehurit sipas Prokurorisë i kanë marrë gëzhojat dhe i kanë fshehur diku.

Me këto veprime të pandehurit kanë konsumuar elementet e veprës penale – manipulim me prova.

Një orë para shpalljes së aktgjykimit, palët ndërgjyqësore kanë dhënë fjalët përfundimtare.

Prokurorja Dulina Hamiti në fjalën e saj përfundimtare  tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës ndaj të pandehurve.

“I propozoj Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat po akuzohen” – shtoi tutje Hamiti.

Më tej, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor fjalën përfundimtare e dhanë edhe të akuzuarit me mbrojtësit e tyre.

Mbrojtësja e Veton Gashit, Luljeta Jashari Hertica tha se qëndron pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim si dhe në elaborimin e saj në pika të shkurta theksoi se vazhdon ta kundërshtojë këtë aktakuzë.

“Mbrojtja vazhdon ta kundërshtojë këtë  aktakuzë si të pabazë, të paqëndrueshme si dhe të pa mbështetur në fakte dhe prova relevante. Konsiderojmë që nuk është paraqitur asnjë dëshmi konkrete që është vërtetuar se i mbrojturi im ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë, dhe – manipulim me prova, ndërsa sa i përket veprës tjetër penale – armëmbajtje pa leje, i njëjti ka pranuar këtë vepër që në shqyrtim fillestar, andaj qëndrojmë pranë atij pranimi që e kemi bërë në shqyrtim fillestar”- tha avokatja.

I akuzuari Veton Gashi në fjalën përfundimtare kërkoi nga trupi gjykues dënim sa me të lehtë.

“Mbështes mbrojtjen dhe i kërkoj Gjykatës që të marrë një vendim sa më të lehtë në raport me veprën penale  – posedim të paautorizuar të armëve’- tha i akuzuari Gashi.

Mbrojtësi Besnik Bajrami, që përfaqëson Durim Krasniqin, potencoi se ka dorëzuar me shkrim fjalën përfundimtare, ndërsa shtoi se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë së i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet në aktakuzë.

“Prokuroria në këtë shqyrtim gjyqësor nuk ka arritur  ta përmbushë kushtin përtej dyshimit të bazuar dhe të dëshmojë se i mbrojturi im ka kryer veprat penale për të cilat po akuzohet” – tha ai.

Më tej gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor fjalën përfundimtare e dha edhe i akuzuari Durim Aliu, i cili përfaqësohej nga dy mbrojtës. Mbrojtja e tij në fjalën përfundimtare theksoi se Prokuroria nuk ka arritur të argumentojë përgjegjësinë penale të Aliut.