Foto-ilustrim
Gjykimi i të akuzuarve për rastin e kontrabandimit të 80 mijë kilogramëve duhan, dështon të mbahet seanca
Seanca gjyqësore ndaj 13 të pandehurve në lidhje me akuzat për kontrabandimin e 80 mijë kilogramëve duhan, ka dështuar të mbahet më 18.09.2024 në Gjykatën e Prizrenit për shkak që në seancë nuk mund të prezantonin i akuzuari Milan Vidosavleviq dhe mbrojtësi i të akuzuarit Dritëro Zeka, avokati Halim Shala.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, njoftoi se ka pranuar parashtresë nga mbrojtësi i të akuzuarit Dritëro Zeka, i cili kishte njoftuar Gjykatën se për arsye shëndetësore nuk mund të prezantonte në seancën e ditës së sotme. Avokati kishte njoftuar se për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore nuk mund të jetë prezent as në seancën e radhës, e cila ishte paraparë të mbahej më 19.09.2024.
Gjyqtarja Skenderi njoftoi se edhe mbrojtësi i të akuzuarit Vidosavleviq, avokati Shyqyri Syla, përmes një emaili të dërguar ka bërë të ditur se i mbrojturi i tij nuk do mund të jetë prezent në seancën e sotme për shkaqe familjare.
Gjithashtu, gjyqtarja në fjalë njoftoi se edhe seanca e caktuar për më 19.09.2024 do të shtyhet.
Në këtë rast për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen Besart Malaj, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Milan Vidosavleviq, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, ndërsa i akuzuari Dritan Hasimaj për veprën penale – marrja e ryshfetit.
Nga ana tjetër, Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen për veprat penale – kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar.
Rasti po udhëhiqet nga kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi. Ndërkaq, aktakuza përfaqësohet nga prokurorja Ervehe Gashi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, të ngritur në qershor të vitit 2021, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Milan Vidosavleviq, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këto thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Dritan Hasimja gjatë muajit shkurt-mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë, kërkojnë përfitime për vete, për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019 kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.
Po ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019 kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.
Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 03 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i janë të liruara nga dogana.
Aktakuza thotë se më 08 shkurt 2019, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale – marrje e ryshfetit në vazhdimësi.
Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë-refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi akuzohen se kanë kryer veprat penale kontrabandim me mallra, veprën penale – shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore, si dhe veprën penale – tregti e ndaluar.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.