Foto: KALLXO.com

Gjykimi i të akuzuarve për krime lufte në Vushtrri, dëshmitari: Këta të pandehur nuk kanë të bëjnë me rastin tonë

Në gjykimin e Zoran Kostiqit dhe Dragan Milloviqit, të cilët po akuzohen për krime lufte të kryera në territorin e komunës së Vushtrrisë, në seancën e së enjtes (06.02.2025) janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Dëshmitari Sabri Dallku tha se dy të pandehurit nuk kanë të bëjnë me rastin që u kishte ndodhur atij dhe familjarëve të tij më 22.05.1999.

“Në seancën e parë kur kam ardhur kam qenë prezent këtu dhe kam thënë se këta nuk kanë të bëjnë me rastin tonë, edhe nuk kam mujtë me ju njoftu juve se seanca u mbyll shumë shpejt. Porsa kam dalë i kam thirrë hetuesit policorë që më kanë marrë në pyetje, i kam njoftu që ta njoftojnë prokuroren që këta të dy nuk kanë të bëjnë me rastin, kanë të bëjnë dy persona të tjerë, por kanë rastisë me emrat e mbiemrat si të përafërt, por këta njerëz nuk janë” – tha dëshmitari Sabri Dallku.

Gjatë seancës dëshmitari Sabri Dallku u kthye nga i akuzuari Zoran Kostiq për të parë nëse është i njëjti person me mbiemrin Kostiq që e kishte parë në ditën kritike. “Jo, nuk është ky” – tha dëshmitari Dallku.

“Edhe unë kisha pasë qejf me qenë këtu akterët që e kanë kry veprën edhe me u deklaru ma me qejf se që nuk janë. Mu pak më ka vra ndërgjegjja kur nuk janë e me dhanë dëshmi të rrejshme. Unë jam në gjendje çmos me bë, edhe të vërtetën, vetëm të vërtetën”- tha dëshmitari Sabri Dallku gjatë dëshmisë së tij.

Dëshmitari Sabri Dallku tha se Sh.D. kishte mbetur i vrarë nga forcat serbe më 22.05.1999.

“Sh., e kanë vra paramilitarët. Millan Quk ka qenë iniciator për me ardhë deri te kjo” – tha dëshmitari Dallku.

Paraprakisht në seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Myrteza Dallku, i cili tha se më 22.05.1999 ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre nga një patrullë policore, dhe ishin dëguar në një vend tjetër.

Dëshmitari Dallku tha se një polic me mbiemrin Kostiq i ishte afruar Sh.D. dhe i kishte nxjerrë 4-5 fishekë të automatikut dhe i kishte lënë te këmbët e Sh.D. (tashmë i ndjerë), me preteksin se i kishte gjetur në xhepin e të ndjerit Sh.D., dhe e kishte akuzuar duke i thënë se “Pse po mban fishekë për me vra policinë serbe”.

Tutje, dëshmitari Dallku tha se një polic tjetër i kishte ndarë 5 persona nga grupi i tyre, dhe personin Sh.D. e kishin vrarë para syve të tyre, dhe se pas vrasjes së Sh.D. në vendin e ngjarjes kishte ardhur Dragan Mihajloviq i cili e kishte parë të ndjerin Sh.D. të shtrirë në tokë.

“A po e shihni Zoran Kostiqin këtu në sallë? A është ky Kostiqi të cilin ju po e përmendni?” – ishte pyetja e mbrojtësit të të akuzuarit Kostiq, avokatit Predrag Milkoviq drejtuar dëshmitarit Dallku.

“Jo, nuk është. Ai është zeshkan, nuk kam qejf me rrejtë, e du të vërtetën”- u përgjigj dëshmitari Dallku në pyetjen e avokatit Milkoviq.

Seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale janë caktuar për në muajin mars 2025.

Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Lutfi Shala (kryetar i trupit gjykues), Valon Kurtaj dhe Rrahman Beqiri (anëtarë).

 Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të Kosovës, më 06.04.1999, i akuzuari Zoran Kostiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë, Ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, i veshur me uniformë të Policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani.

Sipas aktakuzës, në mesin e pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë dhe paramilitarëve serbë ishte edhe Zoran Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik, si: I.U., M.U. me bashkëshorte, B.U., F.U., S.U. dhe F.U.

Tutje, sipas aktakuzës, në ditën kritike vriten edhe T.U. me bashkëshorten H.U. dhe me qëllim për t’i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar kishte urdhëruar dëbimin e popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre – duke e detyruar popullatën civile të vazhdojnë në drejtim të varrezave të qytetit, duke i ndarë meshkujt nga gratë dhe fëmijët.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Dragan Milloviq si dhe pjesëtarë të tjerë të uniformuar, tani për tani të paidentifikuar, gjatë muajit maj 1999, me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë së Serbisë në Vushtrri, në periudhën e luftës në Kosovë, forcërisht i kanë dërguar diku 20,000 banorë civilë të Vushtrrisë te varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë maltretuar, rrahur, torturuar civilë të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit.

Me këto Prokuroria të lartcekurit i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – krimet e luftës kundër popullatës civile.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.